​Çeku kërkon gjyqësor më efikas për luftimin e trukimeve e dhunës në sport

Sporti

​Çeku kërkon gjyqësor më efikas për luftimin e trukimeve e dhunës në sport

Më: 18 maj 2024 Në ora: 15:08
Hajrullah Çeku

Në xhirot e fundit të kampionatit, Superliga dhe Liga e Parë e futbollit kosovar u goditën nga disa raste të dhunës, por edhe trukimeve të rezultateve. Si rezultat, Federata e Futbollit të Kosovës përjashtoi Ulpianën dhe Vllazninë e Pozheranit nga Liga e Parë, ndërsa me rastet e dhunës po merret organet kompetente.

Kundër këtyre dukurive negative ka reaguar edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku. Ai ka kërkuar që organet e drejtësisë, përkatësisht gjyqësori të jetë më efikas kundër akterëve të dhunshëm në sport.

Çeku: Gjyqësori të jetë më efikas ndaj akterëve të dhunshëm në sport

“Jo për ta relativizuar, mirëpo dhuna dhe dukuritë negative sport ekzistojnë gjithkund në botë. Është shumë me rëndësi të matet edhe me reagimin institucional shtetëror, nuk besoj që deri më tani si ministri, si qeveri dhe si këshill të kemi bërë ndonjëherë ndonjë lëshim në raport me si luftohen dukuritë negative. Kemi nevojë, ndonëse shpresoj që të mos më lexohet si kritikë e drejtpërdrejtë që të kemi një gjyqësor shumë më efektiv, pra edhe në fushat tjera, por edhe në sport. Nganjëherë pamjet janë shumë të qarta, sepse ka shumë kamera në stadiume dhe palestra, shumë lehtë është të identifikohet kush e ka shkaktuar një trazirë, një problem ose një dhunë dhe nëse të tillët nuk marrin dënime meritore, unë mendoj që gjithë kjo përpjekja jonë do të jetë shumë më e zbehtë”, tha Çeku.

Përveç gjyqësorit, Çeku ka theksuar se ministria që ai drejton është duke punuar që t’i jep kompetenca shtesë edhe Këshillit kundër dukurive negative në sport. Sipas tij, ky organ shumë shpejt do të ketë të drejtë të iniciojë edhe vetë rastet e tilla në organet e hetuesisë, e jo vetëm t’i procedojë ato.

Çeku: Këshilli kundër dhunës me kompetenca shtesë

“Një nga veprimet e para prej kur e kam marrë detyrën ka qenë që ta fuqizoj Këshillin për parandalimin e dukurive negative në sport. Fati i mirë është që ai këshill ndonëse funksionon si mekanizëm brenda Ministrisë së Sportit në përbërje ka prokurorinë, policinë, Komitetin Olimpik, federatat dhe është një përbërje adekuate, sepse nevojitet bashkëpunim për t’i trajtuar dhunën dhe dukuritë tjera negative, trukimet e të tjera në sport... Mirëpo nuk mjafton që këshilli të jetë vetëm një lloj organi që identifikon rastet problematike dhe vetëm i njofton institucionet tjera, duhet të ketë mandat edhe vetë për të iniciuar raste, duhet të ketë edhe mundësi që ta përfaqësojë institucionin, shtetin e të tjera në rastet kur ndodhin dhuna ose dukuri të tjera negative”, theksoi Çeku.

Ndryshe, së fundi Komisioni Disiplinor brenda FFK-së ka iniciuar procedura në disa raste, si ndaj Dritës, Ballkanit, por edhe disa trajnerëve, lojtarëve e drejtuesve të klubeve të ndryshme të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat