Microsoft thotë se Irani qëndron pas sulmit të hakerëve ndaj revistës franceze Charlie Hebdo

Teknologji

Microsoft thotë se Irani qëndron pas sulmit të hakerëve ndaj revistës franceze Charlie Hebdo

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 10:30
Revista u hakerua në fillim të janarit pasi publikoi një seri karikaturash që përshkruan negativisht figurën e liderit suprem të Iranit

Një ekip hakerash i mbështetur nga qeveria iraniane dyshohet se vodhi dhe zbuloi të dhënat private të klientëve që i përkisnin revistës satirike franceze Charlie Hebdo, thanë të premten studiuesit e sigurisë në Microsoft.

Revista u hakerua në fillim të janarit pasi publikoi një seri karikaturash që përshkruan negativisht figurën e liderit suprem të Iranit Ayatollah Khamenei. Karikaturat ishin pjesë e një fushate mediatike që Charlie Hebdo tha se kishte për qëllim të mbështeste protestat antiqeveritare në kombin islamik.

Asnjë nga përfaqësuesit e qeverive iraniane dhe franceze nuk u përgjigjën ndaj kërkesave për koment në lidhje me rastin. Një zyrtar i shtypit për Charlie Hebdo tha se revista nuk kishte asnjë koment mbi këtë çështje “për momentin”, raporton Reuters.

Irani u zotua publikisht për një “përgjigje efektive” ndaj karikaturave “fyese” dhe thirri të dërguarin francez në Teheran, duke i dhënë fund aktiviteteve të Institutit Francez të Kërkimeve në Iran dhe tha se po rivlerësonte aktivitetet kulturore të Francës në Iran.

Hulumtuesit e Microsoft-it thanë në një raport, se hakimi dhe rrjedhja e informacioneve që synonte Charlie Hebdo ishte pjesë e një operacioni më të gjerë të ndikimit digjital me teknika që përputheshin me aktivitetin e identifikuar më parë të lidhur me ekipet e hakerave të mbështetura nga shteti iranian. Grupi përgjegjës është i njëjti që zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së identifikuan më herët se kishte kryer një “fushatë të gjithanshme” për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2020-ës në SHBA, tha Microsoft. Irani i mohoi pretendimet e bëra në atë kohë.

Mes kritikave të Iranit për karikaturat e Khameneit, një grup hakerësh që e quajnë veten “Shpirtrat e Shenjtë” – “Holy Souls”, postuan në një forum në internet se kishin qasje në emrat dhe detajet e kontaktit të më shumë se 200,000 abonentëve të Charlie Hebdo. Në postimin e tyre, ata thanë se do ta shisnin informacionin për 20 bitcoin (434 mijë euro – 470 mijë dollarë).

Një mostër e të dhënave të rrjedhura u publikua më vonë dhe pastaj u verifikua si autentike nga gazeta franceze Le Monde.”Ky informacion, i marrë nga aktori iranian, mund t’i vërë abonentët e revistës në rrezik për shënjestrim në internet ose shënjestrim fizik nga organizatat ekstremiste”, deklaruan studiuesit e Microsoft.

Për të përforcuar operacionin e tyre, hakerët iranianë përdorën llogari në Twitter me identitete të rreme ose të vjedhura për të kritikuar karikaturat e Khameneit. Dy llogari që imitojnë një redaktor të Charlie Hebdo dhe një ekzekutiv të teknologjisë postuan gjithashtu të dhënat e zbuluara përpara se Twitter t’i largonte profilet e tyre nga platforma e vet, bëri të ditur Microsoft.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat