Qeveria dhe hekurudhat zvicerane goditen nga sulmet kibernetike

Teknologji

Qeveria dhe hekurudhat zvicerane goditen nga sulmet kibernetike

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 00:52
Foto ilustrim

Një numër i ueb-faqeve të administratës federale të Zvicrës momentalisht nuk janë në dispozicion, raportoi gjatë ditës radio publike zvicerane SRF.

Sipas ministrisë së financave, faqet u goditen nga një sulm i ashtuquajtur DDoS.

Grupi “NoName” ka marrë përgjegjësinë për sulmin në internet deklaroi SRF.

Ky grup gjithashtu ishte edhe pas sulmit ndaj ueb-faqes të parlamentit zviceran javën e kaluar, raporton Swissinfo.

“Specialistët federal të IT-së e zbuluan shpejtë sulmin dhe po ndërmarrin hapa për të kthyer qasjen në ueb-faqet dhe aplikacionet sa më shpejtë që është e mundur”, bëri të ditur në mëngjesin e së hënës ministri i financave.

Hekurudhat Federale të Zvicrës dhe autoritetet kantonale të Aargaut janë prekur gjithashtu nga një sulm i mëparshëm në internet kundër kompanisë së IT-së me bazë në Bernë, Xplain, e cila ofron shërbime për departamentet federale dhe kantonale.

Kompania kombëtare e hekurudhave dhe kantoni konfirmuan për agjencinë zvicerane të lajmeve Keystone-SDA se pas një sulmi “ransomware” ishin vjedhur disa të dhëna. Kjo pason një raport të mëhershëm në gazetën NZZ am Sonntag.

Autoritetet e Aargaut thonë se “një vëllim i vogël i të dhënave operacionale të lidhura me protokollet e gabimeve që u analizuan në Xplain” është prekur nga rrjedhja, e bashkë me to nga ky sulm është prekur edhe “korrespondenca tregtare”.

Shtrirja e vjedhjes së të dhënave është ende duke u analizuar nga Xplain dhe autoritetet federale.

Hakerët thuhet se përdorën malware për të shfrytëzuar një dobësi në serverët Xplain që presin aplikacione për shërbimet kantonale.

“Ransomware” zakonisht bllokon të gjithë qasjen derisa një çelës ose një mjet zhbllokues i dërgohet viktimës në këmbim të një shume parash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat