Intel do të prodhojë çipa në Gjermani, investon më shumë se 30 miliardë euro

Teknologji

Intel do të prodhojë çipa në Gjermani, investon më shumë se 30 miliardë euro

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 00:21
Foto ilustrim

Gjiganti amerikan i teknologjisë Intel njoftoi të hënën se do të investojë më shumë se 30 miliardë euro në prodhimin e çipave në Gjermani, dhe marrëveshja me qeverinë në Berlin përfshin 10 miliardë euro subvencione shtetërore.

Vetëm një javë më parë, ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, hodhi poshtë kërkesën e gjigantit të teknologjisë amerikane për të rritur subvencionet për fabrikën e tij të çipave, duke përmendur kufizimet buxhetore.

Qeveria dha 6.8 miliardë euro mbështetje shtetërore për fabrikën e re të Intel, por kompania po kërkon që shuma të rritet në rreth 10 miliardë euro për shkak të kostove më të larta të energjisë dhe ndërtimit, raportoi në atë kohë Financial Times.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha në fillim të muajit se shuma e kërkuar është e lartë, por gjithashtu theksoi se duan Intelin në Gjermani.

Intel është ndër “lojtarët e mëdhenj” dhe prodhimi i gjysmëpërçuesve është shumë i rëndësishëm, tha ministri Habeck në atë kohë.

Sot, drejtori i Intel, Pat Gelsinger falënderoi qeverinë gjermane dhe shtetin federal të Saksoni-Anhalt, ku ata planifikojnë të ndërtojnë objektin e prodhimit, për “krijimin e kushteve për të realizuar vizionin e një industrie gjysmëpërçuese dinamike, të qëndrueshme dhe moderne në Gjermani dhe BE”.

Fillimisht, Intel donte të investonte 17 miliardë euro në fabrikën në Magdeburg dhe kjo shumë tani është pothuajse dyfishuar.

Fabrika e parë e prodhimit duhet të fillojë të funksionojë katër deri në pesë vjet, pasi Komisioni Evropian të miratojë paketën e subvencioneve, tha Intel.

Qeveria në Berlin po shpenzon miliarda euro për të tërhequr kompanitë e teknologjisë, dhe për të lehtësuar problemet e furnizimit dhe varësinë nga çipat nga Koreja e Jugut dhe Tajvani.

“Marrëveshja e sotme është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e Gjermanisë, në një vend të prodhimit të sofistikuar teknologjik dhe për qëndrueshmërinë tonë”, tha sot kancelari Olaf Scholz.

Nën udhëheqjen e Gelsinger, Intel investoi miliarda në ndërtimin e fabrikave në tre kontinente për të rikthyer pozicionin e saj dominues në prodhimin e çipave dhe për të konkurruar më me sukses me AMD, Nvidia dhe Samsung.

Marrëveshja me Gjermaninë do të jetë investimi i tretë i madh i Intel në katër ditë, pas 4.6 miliardë eurove të paralajmëruara për një fabrikë çipash në Poloni dhe 25 miliardë investimeve në Izrael. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat