Aplikacioni Threads nuk është shfaqur në dyqanet e App Stores në vendet e BE-së

Teknologji

Aplikacioni Threads nuk është shfaqur në dyqanet e App Stores në vendet e BE-së

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Meta do të lansojë të enjten aplikacionin të bazuar me tekst, Threads, që do të rivalizojë platformën Twitter.

Mirëpo, kjo platformë nuk po shfaqet në disa dyqane aplikacionesh evropiane, pasi përdoruesve në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar iu ofrua opsioni për shkarkim para lansimit.

Aplikacioni Threads nuk ishte shfaqur në dyqanet e aplikacioneve në disa vende të Bashkimit Evropian sikurse në Gjermani dhe Belgjikë, së paku deri të martën vonë.

Platforma do të bëhet aktive të enjten sipas dyqanit App Store të Apple.

Në anën tjetër, Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës tha se shërbimi nuk do të lansohet në BE për momentin, sipas një raporti në gazetën Independent të martën që citoi një zëdhënës. Rregullatori i privatësisë së BE-së nuk e ka bllokuar në mënyrë aktive aplikacionin, por Meta nuk është përgatitur për ta lansuar atë në bllok, tha gazeta, pa përmendur një burim.

Një zëdhënës i Meta-s tha se ndërsa po përgatitej të lansonte platformën Threads në më shumë se 100 vende, me të tjera që do të vijnë së shpejti, kompania nuk po ofron të gjithë listën.

Meta është përplasur vazhdimisht me rregullatorët evropianë për trajtimin e të dhënave të përdoruesve. Në maj, kompania u godit nga një gjobë rekorde prej 1.2 miliardë eurosh për privatësinë dhe iu dha një afat për të ndaluar dërgimin e të dhënave të përdoruesve në SHBA pasi rregullatorët e privatësisë thanë se nuk arriti të mbronte në mënyrë adekuate informacionin personal. Kompania ka thënë se do të apelojë vendimin irlandez, duke e përshkruar atë si “të metë” dhe “të pajustifikuar”.

Aplikacioni Threads do të lidhet me Instagramin, duke mbajtur të njëjtit ndjekës dhe emrin e njëjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat