Pa e mbyllur llogarinë në Instagram, nuk mund ta fshini profilin në Threads

Teknologji

Pa e mbyllur llogarinë në Instagram, nuk mund ta fshini profilin në Threads

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 08:44
Foto ilustrim

Threads, rivali i Twitter, po tërheq përdorues në një ritëm mahnitës, ku në vetëm 7 orët e para të lansimit, sipas drejtorit ekzekutiv dhe bashkëthemeluesit të Meta-s, Mark Zuckerberg, platforma e rrjeteve sociale ka mbi 10 milionë përdorues.

Por shërbimi i ri i shumëpritur, i cili për regjistrim kërkon edhe një llogari në Instagram, përmban diçka intriguese: Fshirja e një llogarie në Threads kërkon fshirjen e llogarisë së lidhur nga Instagram.

Në një Politikë Suplementare të Privatësisë, Meta shpjegon: “Mund ta çaktivizoni profilin tuaj Threads në çdo kohë, por profili juaj Threads mund të fshihet vetëm duke fshirë llogarinë tuaj në Instagram”, raporton TechCrunch.

Arsyetimi pas kësaj, të cilën e shtjellon Meta në faqen e politikave të saj, është se një profil Threads është pjesë e llogarisë së përdoruesit në Instagram. Zbulimi i kësaj kërkese ka habitur shumë përdorues. Threads, një aplikacion bisedash i bazuar në tekst, është alternativa e profilit të lartë e Twitter, platformës së rrjeteve sociale nën pronësinë e Elon Musk.

Instagram, platforma e popullarizuar për shpërndarjen e fotove me mbi 2 miliardë përdorues, e lansoi Threads-in gjatë së mërkurës tek përdoruesit e tyre në mbi 100 shtete. Aplikacioni i fundit i cili hyn në një seri rivalësh të Twitter me rritje të shpejtë, duket të jetë më i kërkuari deri më tani.

Në një postim në Threads, Zuckerberg e shpjegoi vizionit të cilin ai e ka për aplikacionin e ri: “Unë mendoj se duhet të ketë një aplikacion për biseda publike me mbi 1 miliardë përdorues në të. Twitter e ka pasur mundësinë që ta bëjë këtë, por se nuk ka arritur tek ajo shifër. Shpresoj se ne do ta bëjmë këtë”.

Pas marrjes së reagimeve të përdoruesve mbi këtë vendim të politikës, kreu i Instagrami-t Adam Mosseri sqaroi se si do të funksiononte fshirja e llogarisë. Ai thotë se përdoruesit mund të çaktivizojnë llogarinë e tyre Threads duke fshehur profilin dhe përmbajtjen e tyre, por se gjithashtu edhe mund ta bëjnë privat profilin e tyre, ose edhe mund të fshijnë të gjitha postimet e tyre individuale pa fshirë llogarinë e tyre në Instagram.

Por, tani për tani, Threads dhe Instagram janë të gjitha një llogari, kështu që fshirja e njërës do të fshinte tjetrën. Mosseri shton se kompania “po kërkon një mënyrë për të fshirë llogarinë tuaj të Threads ndaras asaj të Instagram-it”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat