TikTok detajon hapat e ndërmarrë ndaj dezinformimit pas kërkesës së BE-së

Teknologji

TikTok detajon hapat e ndërmarrë ndaj dezinformimit pas kërkesës së BE-së

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 07:30
Foto ilustrim

Aplikacioni TikTok tha të dielën se kishte mobilizuar menjëherë burimet dhe personelin për t’iu kundërvënë urrejtjes dhe dezinformimit të shfaqur pas sulmit të grupit islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit.

Shefi i industrisë së BE-së, Thierry Breton i dha të enjten TikTok, 24 orë, për të detajuar masat e marra për t’iu kundërvënë përhapjes së dezinformatave në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu hapi një hetim ndaj rrjetit social X.

Pas kësaj letre, TikTok në një deklaratë listoi veprimet që kishte ndërmarrë, megjithëse nuk pranoi të thoshte se si i ishte përgjigjur në mënyrë specifike Bretonit, raporton Reuters.

“TikTok qëndron kundër terrorizmit. Jemi të tronditur dhe të tmerruar nga aktet e tmerrshme të terrorit në Izrael javën e kaluar. Jemi gjithashtu thellësisht të pikëlluar nga kriza humanitare në rritje që po shpaloset në Gaza”, bëri të ditur TikTok.

Tutje, TikTok, në pronësi të firmës kineze ByteDance, deklaroi se veprimet e tij përfshinin hapjen e një qendre komandimi, përmirësimin e sistemeve të tij të automatizuara të zbulimit për të hequr përmbajtjen e dhunshme dhe shtimin e më shumë moderatorëve që flasin arabisht dhe hebraisht.

Ndër të tjera Tik Tok po hiqte gjithashtu përmbajtjen që sulmonte ose tallte viktimat e dhunës ose nxit dhunën, kishte shtuar kufizime në përshtatshmërinë për funksionin e tij të transmetimit të drejtpërdrejtë dhe po bashkëpunonte me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe po angazhohej me ekspertë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat