​Google do të prodhojë telefona Pixel në Indi nga viti i ardhshëm

Teknologji

​Google do të prodhojë telefona Pixel në Indi nga viti i ardhshëm

Më: 22 tetor 2023 Në ora: 21:11
Ilustrim

Google ka njoftuar përmes blogut të saj se do të fillojë prodhimin e telefonave inteligjentë Pixel në Indi nga viti 2024.

Në të kaluarën, telefonat Pixel prodhoheshin kryesisht në pjesë të ndryshme të Azisë, duke filluar nga Kina. Në vitin 2019, Google filloi të lëvizte prodhimin jashtë atij vendi.

Vitin e kaluar u njoftua se Google do të zhvendoste prodhimin e Pixel, të paktën pjesërisht, në Indi, dhe tani ka ardhur konfirmimi i këtij informacioni.

"Sot, ne shohim një mundësi edhe më të madhe për t'i vënë në dispozicion telefonat inteligjentë Pixel për më shumë njerëz në Indi dhe jemi shumë të emocionuar të njoftojmë planin tonë për të prodhuar telefona inteligjentë Pixel në Indi.

Ne synojmë të fillojmë me Pixel 8 dhe do të bashkëpunojmë me prodhues ndërkombëtarë dhe vendas për të prodhuar telefonat inteligjentë Pixel në vend. Ne presim që këto pajisje të fillojnë të shfaqen në vitin 2024, duke iu bashkuar nismës së Indisë 'Make in India'", shkroi Google.

Google shtoi se India është një treg me prioritet për telefonat inteligjentë Pixel dhe se është e përkushtuar të "sjellë më të mirën në harduerin dhe aftësitë kryesore të softuerit të integruar për njerëzit në të gjithë vendin".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat