​Ish-drejtori i Nokia-s blen Interin?

Teknologji

​Ish-drejtori i Nokia-s blen Interin?

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 22:39
Thomas Zilliacus

Biznesmeni finlandez Thomas Zilliacus, i panjohur për publikun e gjerë dhe kandidat për blerjen e Manchester United, tashmë është i interesuar për Interin, siguroi ai të hënën mediat italiane.

“Unë jam serioz, këtë javë ose më së voni javën e ardhshme, pronari aktual i Interit do të marrë një ofertë adekuate për të marrë përsipër klubin”, tha ai në një intervistë të publikuar në ueb sajtin e të së përditshmes La Repubblica.

Zilliacus pretendon se falë "investitorëve të ndryshëm, të vegjël dhe të mëdhenj, familje dhe investitorë institucionalë", emrat dhe kombësitë e të cilëve nuk donte t'i zbulonte, ai mblodhi 2.5 miliardë euro për të blerë Interin.

Oferta, shpjegon ai, do të bëhet nga kompania XXICenturyCapital, e cila është e vendosur në Singapor dhe është e interesuar për futbollin dhe modën.

Interi i Milanos, nëntëmbëdhjetë herë kampion i Italisë dhe tri herë kampion evropian, kontrollohet që nga viti 2016 nga grupi kinez Suning dhe biznesmeni Steven Zhang. Revista “Forbes” e vlerëson klubin italian në 1.03 miliard dollarë (960 milionë euro).

Zilliacus është një ish-ekzekutiv i Nokia-s, i cili thotë se e ka ndërtuar pasurinë e tij në sektorin e teknologjisë në Azi. Ai jeton në Singapor, ku në vitin 1998 themeloi një fond investimi të specializuar në teknologjitë e reja, Mobile FutureWorks (MFW).

Oferta e tij për të blerë Manchester United ishte e pasuksesshme. Themeluesi i gjigantit petrokimik INEOS, miliarderi britanik Jim Ratcliffe, po përgatitet të marrë 25 për qind të aksioneve të klubit anglez për rreth 1.7 miliardë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat