Elon Musk tallet me Sam Altman pasi ky i fundit u shkarkua nga OpenAI

Teknologji

Elon Musk tallet me Sam Altman pasi ky i fundit u shkarkua nga OpenAI

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 00:42
Elon Musk

Ashtu si shumë të tjerë, edhe Elon Musk nuk mund të ndalojë së shikuari dramën rreth Sam Altman dhe OpenAI.

Dhe tani ai është tallur me kompaninë startup të AI dhe ish-CEO-n e saj pasi u pushua nga puna përmes Google Meet.

“Tani ata do të duhet të përdorin Teams!”, Musk shkroi në një përgjigje ndaj njoftimit të CEO të Microsoft, Satya Nadella se Sam Altman dhe Greg Brockman do t’i bashkoheshin kompanisë – një referencë për faktin se bordi i OpenAI me sa duket mbështetet në teknologjinë e thirrjeve video të Google, pavarësisht se Microsoft investoi 10 miliardë dollarë në startupin e AI.

Kështu, vlerësojnë mediat, Musk duket se “po kënaqej” me dramën rreth shkarkimit të Altman.

Të dy ndihmuan në fillimin e OpenAI së bashku në vitin 2015, por Musk u largua në 2018 dhe më vonë kritikoi kompaninë për marrëveshjen e saj me Microsoft.

CEO i Tesla ka qenë në një përplasje online me Altman javët e fundit pasi ish-CEO i OpenAI u tall me Grok, modeli i AI i ndërtuar nga kompania xAI e Musk, të cilën ai e ngriti në fillim të këtij viti për të konkurruar me OpenAI.

Ndryshe, Altman u shkarkua nga bordi i OpenAI të premten, pasi anëtarët e bordit thanë se ai nuk kishte qenë “vazhdimisht i sinqertë” në diskutimet e tij me ta.

Ndërkohë është raportuar se një nga arsyet e mundshme për shkarkimin e Altman ishte tensioni në rritje midis shtytjes komerciale të OpenAI të kryesuar nga Altman dhe pjesëve të kompanisë që ishin të shqetësuara për rreziqet e paraqitura nga teknologjia AI.

Elon Musk ka shprehur shqetësime të ngjashme në të kaluarën dhe i ka bërë thirrje bordit të shpjegojë arsyetimin e shkarkimit të Altman.

“Duke pasur parasysh rrezikun dhe fuqinë e AI të avancuar, publiku duhet të informohet se pse bordi mendoi se duhej të merrte një vendim kaq drastik”, shkroi ai të dielën në X. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat