Kompania “Intel”, investim 25 miliardë dollarësh për hapjen e një fabrike mikroprocesorësh në Izrael

Teknologji

Kompania “Intel”, investim 25 miliardë dollarësh për hapjen e një fabrike mikroprocesorësh në Izrael

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 06:28
Foto ilustrim

Qeveria e Izraelit ra dakord t'i japë kompanisë “Intel” një grant 3.2 miliardë dollarësh për ndërtimin e një fabrikë të re mikroprocesorësh në Izraelin jugor, që pritet të kushtojë 25 miliardë dollarë, thanë të martën të dyja palët. Ky është investimi më i madh një kompanie në Izrael.

Lajmi vjen ndërsa Izraeli vazhdon të jetë i angazhuar në një luftë me grupin militant palestinez Hamas, pas sulmit terrorist të këtij grupi në Izrael më 7 tetor. Kjo është gjithashtu një shfaqje e madhe e mbështetjes nga një kompani e madhe amerikane dhe një ofertë e rëndësishme nga qeveria e Izraelit në një kohë kur Uashingtoni ka rritur trysninë ndaj Izraelit për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të minimizuar viktimat në mesin e civilëve në Rripin e Gazës.

Aksionet e kompanisë “Intel”, e cila ka pak më pak se 10% të fuqisë punëtore globale në Izrael, u hapën me një rritje prej 2.73%, duke arritur vlerën e këmbimit në 49.28 dollarë në bursën “Nasdaq”.

Plani i zgjerimit të operacioneve në Kiryat Gat, ku “Intel” tashmë ka një fabrikë mikroprocesorësh, ndodhet 42 kilometra nga Rripi i Gazës, që kontrollohet nga Hamasi dhe është një "pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të kompanisë “Intel” për të krijuar një zinxhir furnizimi global më elastik, së bashku me investimet e planifikuara në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara”, tha kompania Intel përmes një deklarate.

Nën drejtimin e Drejtorit të ri Ekzekutiv Pat Gelsinger, “Intel” ka investuar miliarda dollarë në ndërtimin e fabrikave në tre kontinente për të rikthyer dominimin e saj në sektorin e prodhimit të mikroprocesorëve dhe për të konkurruar më mirë me rivalët “AMD”, “Nvidia” dhe “Samsung”. Fabrika e re izraelite është investimi më i fundit nga prodhuesi amerikan i mikroprocesorëve në vitet e fundit.

"Mbështetja nga qeveria e Izraelit do të sigurojë që Izraeli të mbetet një qendër globale e teknologjisë dhe talentit në fushën e mikroprocesorëve", tha nënpresidenti i kompanisë “Intel”, Daniel Benatar.

“Intel” kishte marrë më parë rreth 2 miliardë dollarë gjatë 50 viteve të fundit në grante izraelite në objekte të tjera atje.

Ofir Yosefi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Agjencisë izraelite të Investimeve, tha se “Intel” zgjodhi një grant më të lartë dhe normë më të lartë tatimore në vend të një oferte për një grant më të ulët dhe normë më të ulët tatimore.

Ai tha se procesi zgjati shumë muaj pasi një grant i një shkalle të tillë kishte nevojë për një rishikim dhe analizë të pavarur për të parë nëse ishte ekonomikisht i zbatueshëm. Analiza doli në përfundimin se Izraeli do të siguronte përfitime shumë më të larta fiskale dhe ekonomike nga kjo ofertë, shtoi ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat