Kompania Apple forcon sigurinë e pajisjeve të saj inteligjente

Teknologji

Kompania Apple forcon sigurinë e pajisjeve të saj inteligjente

Më: 25 janar 2024 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

Kompania Apple përditësoi këtë javë programet e saj për telefonat inteligjentë me një opsion të ri quajtur “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”, që e bën shumë më të vështirë për hajdutët e telefonave qasjen në funksionet kryesore të tij. Kompania i bëri thirrje përdoruesve ta aktivizojnë menjëherë atë.

A duhet të aktivizojë funksionin e ri për mbrojtjen e pajisjes së vjedhur? 

Programi për telefonat inteligjentë dhe iPad-et, u përditësua me një opsion të ri të krijuar për të penguar hajdutët që të fshijnë të dhënat e telefonave, me qëllimin për t’i rishitur. Po kështu opsioni pengon qasjen tek Apple ID-ja, llogaria e përdoruesit, e cila përdoret për të hyrë në të gjitha shërbimet që ofron Apple-i, si dhe për t'i bërë të gjitha pajisjet të punojnë të ndërlidhura e pa probleme. “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” është një opsion i ri që përfshihet me versionin më të fundit të sistemit operativ iOS, 17.3.

Kompania Apple thotë se funksioni i ri është një shtresë, shtesë sigurie për përdoruesit e telefonave inteligjentë (IPhone). Kjo i jep zgjidhje një dobësie që hajdutët kanë arritur ta zbërthejnë e ta shfrytëzojnë për të bllokuar viktimat nga llogaritë e tyre në Apple, të fshijnë fotot dhe skedarët e tjerë nga llogaritë e tyre në iCloud dhe të zbrazin llogaritë e tyre bankare duke hyrë në fjalëkalimet e ruajtura në menaxherin e fjalëkalimeve të programit “Keychain”.

Apple nxori këtë funksion të ri pas shfaqjes së provave për një rritje të vjedhjes së telefonave. Shumë histori të vjedhjes së telefonave janë publikuar në platformën “Reddit” dhe në artikuj të tjerë lajmesh nga Los Anxhelosi deri në Londër, ku policia thotë se taktikat më të zakonshme të hajdutëve janë vjedhja telefonave nga xhepat e rrobave të pronarëve të tyre, tavolinat e restoranteve dhe rrëmbimet e tyre me motoçikleta.

Gazeta Wall Street Journal raportoi vitin e kaluar se si kriminelët i vëzhgonin njerëzit duke përdorur fjalëkalimet për të fituar qasje në informacionin e tyre personal para se t’u vidhnin atyre telefonat.

Si funksionon opsioni “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”? 

Funksioni “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur” ruan gjurmët e "vendndodhjeve të njohura" të një përdoruesi, si shtëpia ose vendi i punës, dhe shton rrathë sigurie shtesë me teknologji biometrike, që duhen kapërcyer nëse dikush përpiqet të përdorë pajisjen për të kryer operacione të caktuara jashtë atyre vendeve.

Funksioni i ri gjithashtu zvogëlon rëndësinë e fjalëkalimeve, të cilat hajdutët mund t'i vjedhin duke shikuar mbi supe të dikujt ose duke kërcënuar dhe detyruar viktimat t'i dorëzojnë ato. Opsioni i ri favorizon funksionet "biometrike" për hapjen e pajisjes si skanimi i fytyrës apo gishtërinjve, që janë shumë më të vështira për t'u kopjuar.

Kështu që, nëse një IPhone vidhet pas aktivizimit të “Mbrojtjes së Pajisjes së Vjedhur”, për fshirjen e të dhënave të telefonit hajdutit do t’i kërkohej skanimi i fytyrës ose shenjat e gishtërinjve.

Kjo është mënyra e vetme për të hapur telefonin, funksioni i ri nuk lejon që dikush të përdorë fjalëkalimin apo ndonjë metodë tjetër të hapjes së telefonit.

Veprime të tjera që do ta aktivizonin këtë veçori nëse telefoni nuk është në një vend të njohur përfshijnë përdorimin e fjalëkalimeve të ruajtura në “Keychain” dhe metodat e pagesave të ruajtura në “Safari”, çaktivizimin e funksionit mbi humbjen e telefonit, aplikimin për një kartë të re Apple dhe përdorimin e telefonit iPhone për të konfiguruar një pajisje të re.

Ekziston gjithashtu një shtresë e dytë për të ngadalësuar hajdutët që përpiqen të hyjnë në infrastrukturën kritike të sigurisë së telefonit. Nëse dikush përpiqet, për shembull, të dalë nga një llogari në Apple, të ndryshojë fjalëkalimin ndërsa është në një vend të panjohur, ai ose ajo do të duhet të verifikojë identitetin përmes skanimit të fytyrës ose shenjave të gishtërinjve, të presë një orë dhe më pas të bëjë një skanim të dytë të fytyrës apo gishtërinjve. E njëjta gjë ndodhë nëse ka përpjekje për ndryshim të fjalëkalimit të llogarisë në Apple, përditësim të veçorive të sigurisë, çaktivizim të funksionit "Gjej Pajisjen Time" dhe atij "Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur". 

“Vonesa e sigurisë është krijuar për të parandaluar një hajdut të kryejë operacione kritike, në mënyrë që pronari i pajisjes të ketë kohë të marrë masa për të mbojtur sigurinë e llogarisë Apple”, tha kompania. "Kur telefoni juaj iPhone është në një vend të njohur, këto hapa shtesë nuk do të kërkohen dhe ju mund të përdorni fjalëkalimin e pajisjes si zakonisht."

Si aktivizohet funksioni “Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”

Është e thjeshtë, nëse dini ku të shikoni.

Së pari, shkarkoni dhe përditësoni me versionin më të fundit sistemin operativ iOS për telefonat iPhone ose tabletat iPad. Më pas shkoni tek sistemet e telefonit, hapni vegëzën me mbishkrimin "Face ID & Passcode" apo "Touch ID & Passcode" dhe futni fjalëkalimin tuaj. Lëvizni më poshtë dhe do të shihni opsionin “Stolen Device Protection” (“Mbrojtja e Pajisjes së Vjedhur”).

Në varësi të modelit të telefonit iPhone, do të duhet të prekni ose zvarrisni butonin për ta aktivizuar ose çaktivizuar këtë funksion. Para se të kryeni këtë operacion, ju duhet të aktivizoni verifikimin e identiteti me dy faktorë dhe funksionin “Find My Device” (Gjeni Pajisjen Time) në llogarinë tuaj në Apple. Funksioni i ri vlen për modelet më të fundit të telefonave, përfshirë modelet IPhone XS dhe ato IPhone SE të gjeneratës së dytë dhe të tretë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat