Federer synon titullin e 100-të në sezonin e ri

Tenis

Federer synon titullin e 100-të në sezonin e ri

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 23:52
Roger Federer

Roger Federer është gati të nisë sezonin e tij të 22-të në tenis, ku shpreson që të fitojë titullin e tij të 100 në karrierë.

Legjenda zvicerane e këtij sporti, lojën e të cilit kemi ende mundësinë ta admirojmë, shfaqet shumë i emocionuar dhe i motivuar për turnetë e vitit 2019, vit që ai shpreson të jetë i mrekullueshëm.

Objektivi i parë i “Mbretit” Federer është padyshim të mbrojë titullin në turneun e parë “Grand Slam” të vitit, “Australian Open” që do të nisë më 14 janar.

“Mendoj se, në moshën time, njerëzit presin që unë të bëj diçka të jashtëzakonshme në Melbourne. Për mua do të ishte e pabesueshme, por nëse nuk do t’ia dilja mbanë, asgjë nuk do të ishte jashtë logjikës, pasi në tenis është e vështirë që çdo vit të shfaqësh lojë të një niveli të lartë. Duhet edhe fati dhe një short i favorshëm”, tha Federer.

Federer, edhe pse në moshën 37-vjeçare, e sheh veten në një formë optimale dhe deklaron se trupi i tij është ende në gjendje që të përballojë sforcimet fizike. Por, përpara “Australian Open”, Federer do të marrë pjesë në “Hopman Cup” me skuadrën e Zvicrës, e sfida e parë do të jetë ajo me Britaninë e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat