Dikur ata quheshin “Fabulous-4”, duke shkuar gjithnjë të katërt në gjysmëfinalet e turneve të mëdhenj. Bëhet fjalë për Roger Federer, Rafael Nadal, Novak Djokovic dhe Andy Murray. Por ky i fundit prej vitesh tashmë ka dalë nga grupi.
Tenisti britanik, i “mbërthyer” nga dëmtimet, operacionet e mungesa e gjatë në fushën e lojës, ka kohë që ka dalë nga skena kryesore. Aktualisht ndodhet në Kinë, ku po luan në turneun e Zhuhai. Pas fitores në ndeshjen e parë, u mund në të dytën, duke u eliminuar.
“Nëse do të luaja ndaj Federer, Djokovic apo Nadal do të mundesha keq. Jo vetëm kaq, por një humbje e tillë do të ngadalësonte rikthimin tim në elitë. Ndeshje të tilla nuk janë të mira për mua, sidomos për sa i përket anës psikologjike. Ndaj tyre, sot s’kam asnjë shans të fitoj”, tha Murray.