Osaka kalon veteranen Serena Williams dhe bëhet sportistja më e paguar

Tenis

Osaka kalon veteranen Serena Williams dhe bëhet sportistja më e paguar

Më: 23 maj 2020 Në ora: 17:57
Osaka kalon veteranen Serena Williams dhe bëhet sportistja më e paguar

Tenistja japoneze, Naomi Osaka, është sportistja më e paguar në glob. 22-vjeçarja nipone kaloi në këtë lloj klasifikimi të veçantë tenisten e famshme nga Shtetet e Bashkuara, Serena Williams, që ka dominuar për shumë vite listën e gjatë të sportisteve më të vlerësuara nga ana financiare në planet.

Pavarësisht rezultateve të dobëta të regjistruara në dy muajt e parë të vitit, tenistja aziatike më në fund la prapa veteranen amerikane, falë marrëveshjeve të majme që Osaka ka siguruar nëpërmjet sponsorëve dhe përfitimeve nga të drejtat e imazhit, pa harruar aspak edhe mbështetjen e madhe që pati në këtë aspekt në atdhe, për shkak të Olimpiadës së Tokios. Për hir të së vërtetës Lojërat Olimpike Verore, që ishin planifikuar për t’u zhvilluar këtë vit në Lindjen e Largët, u shtynë për verën e ardhshme, gjithsesi duke marrë në konsideratë 12 muajt e fundit, tenistja e mirënjohur japoneze duket se është preferuar më tepër sesa sportistet e tjera nga sponsorët e ndryshëm. shkruan supersport.

Sipas revistës prestigjioze Forbes, që është e specializuar në përllogaritje të tilla, rezulton se 22-vjeçarja nga Osaka ka përfituar plot 37.41 milionë dollarë në harkun e 12 muajve të fundit, një shumë kjo ku përmblidhen natyrisht edhe paratë e siguruara nga turnetë e ndryshëm, ku ajo ka marrë pjesë. Duke lënë mënjanë titullin e fituar në “Australian Open” janarin e vitit të kaluar, gjatë 12 muajve të fundit Naomi Osaka ka fituar vetëm dy aktivitete gjithsej. Bëhet fjalë për turneun e qytetit të vendlindjes në Osaka, si dhe për kompeticionin e përvitshëm që mbahet si zakonisht në kryeqytetin e Kinës, Pekin. Një shifër e tillë është vetëm 1.4 milionë dollarë më e lartë sesa shuma që ka përfituar 38-vjeçarja nga Shtetet e Bashkuara.

Veterania nga Michigani gjatë kësaj periudhe nuk ka fituar asnjë turne, megjithatë motra e vogël Williams vazhdon të jetë e përkëdhelura e shumë sponsorëve. Të dyja këto teniste pozicionohen në dhjetëshen më të mirë të botës në klasifikimn e përgjithshëm WTA, megjithatë si për ironi të fatit Serena Williams dhe Naomi Osaka mbyllin pikërisht renditjen e dhjetëshes së parë.

Aktualisht gjithçka është ndërprerë për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 dhe drejtuesit po ashtu kanë ngrirë renditjen e përgjithshme, deri në momentin që do të rifillojnë sërish turnetë në këtë federatë, sidoqoftë motra e vogël Williams klasifikohet në vendin e nëntë, me vetëm 300 pikë më tepër se  Naomi Osaka. Të dyja këto teniste ia kanë dalë në këtë mënyrë për të thyer rekordin e mëparshëm, që ishte afërsisht 30 milionë dollarë amerikanë.

Sportistja më e paguar, gjithsesi, ishte përsëri një teniste. Bëhet fjalë për tenisten e famshme Maria Sharapova, që vari raketën në gozhdë vetëm pak muaj më parë. Bukuroshja ruse në vitin 2015 fiksoi një rekord për kohën, duke përfituar në harkun e një viti plot 29.73 milionë dollarë. Për hir të së vërtetës revista Forbes e ka filluar një përllogaritje të tillë vetëm në vitin 1990, sidoqoftë interesant është fakti që në të gjitha rastet në këto tri dekada lista e sportisteve më të paguara në rruzull është fituar përherë nga tenistet.

Osaka është me origjinë nga Japonia nga nëna dhe nga Haiti nga ana e babait, gjithsesi 22-vjeçarja nipone pozicionohet në vendin e 29-të në klasifikimin e përgjithshëm të 100 sportistëve më të paguar në botë, vetëm katër vende më lart krahasuar me veteranen Serena Williams, që numëron plot 23 tituj Slam në karrierë.

Drejtuesit e revistës kanë shpjeguar se renditja përfundimtare do të botohet javën e ardhshme, sidoqoftë ata konfirmuan se për herë të parë që nga viti 2016 lista e 100 sportistëve më të paguar në rruzull përmban dy sportiste. Të dyja këto teniste u përballën në finalen e vitit 2018 në US Open, një finale tepër e përfolur në Slemin Njujorkez në Flushing Meadows, ku Naomi Osaka përfitoi edhe nga tri ndëshkime që mori Serena nga kryesori portugez, Carlos Ramos, për shkelje të disiplinës dhe etikës, duke siguruar në këtë mënyrë edhe titullin e parë të madh në karrierë. Në janarin e vitit të shkuar pas trofeut të dytë Slam të fituar në Melbourne Park, ku mposhti në finale në tre sete ceken Petra Kvitova, Naomi Osaka u ngjit në fronin e tenisit të femrave, për t’u pozicionuar në vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm të Federatës WTA, gjithsesi që nga ajo kohë forma e saj ka rëndë ndjeshëm.

Serena Williams deri tani kishte mbajtur për katër vjet statusin e sportistes më të paguar te femrat, ndërsa përpara veteranes amerikane një renditje e tillë u kryesua për plot 5 vjet nga Maria Sharapova. Osaka që tani është rezidente në Shtetin e Floridas është një figurë tepër popullore në atdheun e saj dhe në prag të Lojërave Olimpike 22-vjeçarja ka patur një mbështetje të jashtëzakonshme në “vendin e lindjes së diellit”, gjë që konfirmohet më së miri edhe nga vetë kontratat e majme të sponsorizimit që ka përfituar nga firma të fuqishme si Nike, Nissan apo dhe Yonex.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat