Jeton Hadergjonaj: MKRS për arsye moslicencimi na ka ndaluar burimet financiare vendore

Tenis

Jeton Hadergjonaj: MKRS për arsye moslicencimi na ka ndaluar burimet financiare vendore

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 31 janar 2023 Në ora: 20:05
Jeton Hadergjonaj

Si shumica e sporteve në Kosovë, edhe tenisi i ka peripecitë e veta.

Federata e Tenisit e Kosovës pritet gjatë këtyre ditëve të licencohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit të Kosovës.

Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadergjonaj, flet për vështirësitë që po kalon tenisi, për synimet, për rikthimin e tenistes më të mirë Arlinda Rushiti dhe çfarë i duhet më shumë këtij sporti, prej më të shtrenjtit në botë.  

Image

“Bota sot”: Shkoi 2022, me batica dhe zbatica por si e vlerësoni tenisin në përgjithësi?

Jeton Hadergjonaj: Viti që e lamë pas ishte me shumë sfida për Federatën e Tenisit por edhe për sportin në përgjithësi. 

Ne si Federatë kemi ende vështirësi financiare të cilat erdhën si pasojë e procesit të licencimit të udhëhequr nga MKRS. 

MKRS për arsye moslicencimi na ka ndaluar burimet financiare vendore si TM3 dhe TM4, si dhe kontratat sponsoruese. 

Kjo ka ndikuar të keni obligime të mëdha financiare të cilat shpresojmë të na kompensohen nga ana e MKRS këto ditë pasi që kemi marrë rekomandim pozitiv nga Komisioni për Licencim dhe presim që ta nënshkruajmë Vendimin për Licencim këtë javë. 

Përkundër vështirësive ne i kemi mbajtur të gjitha garat dhe aktivitetet e planifikuara si në arenën ndërkombëtare dhe atë vendore për vitin që e lamë pas dhe për këtë arsye dua që t’i falënderoj të gjithë tenistët, prindërit, trajnerët, referët dhe stafin e FTK-së që kishin mirëkuptim për gjendjen financiare të FTK-së dhe që kontribuan që aktiviteti dhe garat të mos ndalen. 

“Bota sot”: Pas një kohe rikthehet Arlinda Rushiti në përfaqësuesen e Kosovës, a rriten edhe më shumë synimet dhe a do të jetë një përparësi për tenisin tonë?

Jeton Hadergjonaj: Arlinda Rushiti është aseti ynë më i madh në tenis. Ajo është një vajzë që ka një jetë të dedikuar vetëm në tenis 100%.  

Punon shumë pa u ndal me trajnerë profesionist, udhëton gati çdo javë nëpër turne në secilin cep të botës për të e arritur ëndrrën e saj e që është majat e tenisit botëror. Arlinda ka arritur deri në pozitën 352 WTA, që është një rezultat mjaft i mirë sepse për 1 vit ka përparuar afro 400 pozita në ranglistë.

Sa është i mirë ky rangim tregon fakti se tenistët nën numrin 300 marrin pjesë nëpër turnet më të mëdhenj të tenisit Wimbledon, Australian Open, Roland Garros e US Open që njihen si Grand Slam, por edhe nëpër Lojëra Olimpike. 

Se Arlinda me lojë nuk është larg dhe se ajo mund të i sfidoj edhe tenistet më të mira në botë tregon fakti se në vitin 2019 në Tunis në takimin Kosova - Tunizi,  është takuar me Ons Jabeur që tani është tenistja nr. 3 në botë. Arlinda para 4 vitesh ishte në pozitën 800. Loja ndaj Jabeur ka qenë shumë e fortë dhe Arlinda humbi me rezultat të ngushtë. 

Synimet tona në Kampionat botëror që njihet si BJK CUP janë tani më të mëdha. Fare nuk e mendojmë që mund të biem nga grupi por besoj se mund të jemi ekip që do të i befasoj shtetet e forta në tenis në Grupin Europe/Africa II si Greqia, Norvegjia, etj...

Shpenzimet mujore të Arlinda Rushitit janë prej 10.000-15.000 euro. Për mbulimin e shpenzimeve dhe për sukseset e saja deri më tani duhet falënderuar familjen Bajrami.

Kadri Bajrami dhe i biri i tij Kujtimi me vite të tëra kujdesen për Arlindën që asaj të mos i mungoj asgjë në rrugën e saj drejt suksesit. 

Tani më edhe ne si Federatë e si shtet duhet të i ndihmojmë Arlinda Rushitit. Duhet së bashku të jemi pjesë e një ekipi të gjerë në ndihmë të Arlindës. Na duhen mjete financiare nga shteti dhe nga sponsorët.

Menjëherë këtë javë Arlinda do ta ketë sponsorin e parë me ligjin për sponsorizime. Na duhet lobim sportiv edhe politik që e bëjmë të mundur rrugën sa më të lehtë të Arlindës drejt majave të tenisit botëror. 

“Bota sot”: Cilat janë synimet për vitin 2023?
Jeton Hadergjonaj:
Synimet tona në vitin 2023 janë që të konsolidohemi financiarisht si Federatë. Ekipet Nacionale të kenë suksese ndërkombëtare.

Tenistët si Arlinda Rushiti dhe të tjerët në ranglista botërore të përmirësojnë dukshëm rangimin e tyre, të nisim programin tenisi në shkolla dhe KOK, dhe ajo më e rëndësishmja e që shpresojmë të realizohet është që në hyrje të dimrit 2023-2024 në muajin tetor të i kemi terrenet e mbyllura të tenisit nëpër qendra të Kosovës e që janë edhe premtim i MKRS dhe zotim i tyre pas shumë takimeve që kemi pasur së bashku. 

“Bota sot”: A po ballafaqoheni me vështirësi të fushave?
Jeton Hadergjonaj:
Tenisi është ndër 3 sportet më të popullarizuara në botë nëpër media e televizione.

Tenistët e tenistet janë sportistët më të vlerësuar në botë sepse për të arritur në maje vërtetë duhet sakrificë jo vetëm e tenistit por edhe e familjes e edhe të një ekipi të gjerë që duhet të jenë të angazhuar rreth tenistit kampion. Për këtë arsye është sport i shtrenjtë për të arritur në maje dhe mjetet financiare për udhëtime e pagesë të stafit të trajnerëve janë të mëdha. 

Por, asgjë nga kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ka infrastrukturë optimale për punë 12 mujore. Ne në Kosovë ende përballemi me faktin që nuk kemi asnjë terren të mbyllur tenisi për punë gjatë kohës me shi dhe gjatë dimrit. Po ashtu kemi numër të pamjaftueshëm të terreneve të tenisit. Në planin 5-vjeçar të MKRS parashihet që qytetet kryesore në Kosovë të kenë qendra rajonale me minimum 4 terrene të tenisit. 

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë tenisit?

Jeton Hadergjonaj: Tenisit i duhet më së shumti:
1. Infrasdtruktuta Sportive për punë 12 mujore
2. Puna profesionale
3. Mbështetja nga sponsorët për talentët nacional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat