Tenisti probleme me diabetin, “sulmon” Roland Garrosin

Tenis

Tenisti probleme me diabetin, “sulmon” Roland Garrosin

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 15:17
Alexander Zverev,

Alexander Zverev, tenisti gjerman është një nga ata që mund t’i shkojnë deri në fund turneut të këtij viti në Roland Garros.

Numri 27 i botës është duke u rikthyer në versionin e tij më të mirë pasi dëmtoi rëndë kaviljen, pikërisht në Roland Garros vitin e shkuar.

Aktualisht, Zverev është në çerekfinale ku e sfidon një nga zbulimet e këtij edicioni në Roland Garros, Tomas Martin Etcheverry, por më shumë se sa kundërshtari, gjermanin e shqetëson problemi i tij me diabetin.

“Sascha” është diagnostifikuar me diabet të tipit 1 prej moshës trevjeçare.

Sigurisht, që diçka e tillë ndikon edhe karrierën e tenistit që në fakt nuk ka pasur deri më tani probleme për të marrë insulinë gjatë turneve të ndryshëm. Por, këtë herë në Roland Garros nuk është lejuar dhe Zverev kërkon që diçka e tillë të ndryshojë pasi insulina nuk është doping.

“Kërkova që të marr insulinë në ndeshjen kundër Tiafoe, por më thanë se kjo do të më konsiderohej si një kërkesë për pushim i nevojshëm për të përdorur tualetin.

Kam në dispozicion vetëm dy të tillë dhe në një ndeshje me pesë sete më duhet që të marrë insulinën në katër apo pesë raste. Iu thashë se diçka e tillë nuk ishte në rregull dhe se rregullat po më mohonin diçka thelbësore për performancën time.

Dua të kujtoj se në raundin e dytë, e injektova vetë insulinën por menjëherë organizatorët i kapi paniku dhe më bërtitën se nuk mund ta bëja diçka të tillë. Më tha se këtë veprim duhej ta bënte një doktor, por unë e bëj vetë diçka të tillë prej fëmijërisë.

Duhet të më lejojnë ta bëj insulinën aty në fushë, por më kanë thënë se duket keq. Por, ju kujtoj se insulin nuk është doping”, u shpreh Zverev.

Pas këtyre deklaratave dhe shqetësimeve të Zverev, organizatorët kanë marrë vendimin që nga ndeshja e radhës, pikërisht çerekfinalja me Etcheverry, gjermani do të mund të injektojë insulinën vetë dhe në fushë pa pasur nevojë të marrë pushim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat