Alkaraz mbron fronin në “US Open”

Tenis

Alkaraz mbron fronin në “US Open”

Më: 21 korrik 2023 Në ora: 13:57
Alkaraz

Bota e tenisit nis përgatitjet për turneun e fundit Grand Slam të vitit 2023, “US Open”.

Ky kompeticion që zhvillohet në Nju Jork është planifikuar të startojë më datë 28 gusht me finalen që do të mbahet më datë 10 shtator.

Së fundmi është publikuar edhe lista me tenistët pjesëmarrës ku nuk mund të mungojë Karlos Alkaraz, fituesi i freskët i Uimbëlldonit. Tenisti nga Mursia do të ketë për detyrë të ruajë fronin, pasi është pikërisht ai fituesi në fuqi i “US Open”.

Sakaq, listës ashtu si në Roland Garros dhe Uimbëlldon i mungon Rafael Nadal.

E pritshme në fakt kjo zgjedhje e spanjollit që vijon rikuperimin nga dëmtimi i pësuar në “Australian Open”, ndërsa tenisti nga Majorka ka deklaruar se do të rikthehet vetëm në vitin 2024, atë që parashikohet të jetë i fundit në karrierën e 37-vjeçarit.

Ndërkohë, në listën e femrave bie në sy mungesa e fitueses së vitit 2021, britanikes Ema Radukanu e cila gjithashtu vijon periudhën e rikuperimit pas dy operacioneve në të dyja kyçet e duarve.

Nga ana tjetër nuk mungon kampionia në fuqi, Iga Sëiatek ndërsa pasi humbi tre turne Slam, rikthehet numri 55 i botës në tenisin e femrave, Simona Halep edhe pse kjo e fundit mbetet provizorisht e pezulluar për doping.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat