Pas Kadaresë, edhe shtëpia e Dritëro Agollit do të kthehet në muze nga Bashkia e Tiranës

Tirana

Pas Kadaresë, edhe shtëpia e Dritëro Agollit do të kthehet në muze nga Bashkia e Tiranës

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 16:37
Shtëpia e Dritëro Agollit

Banesa e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli do të kthehet në shtëpi-muze për t’u vizituar nga qytetarët e Tiranës dhe turistët që vizitojnë kryeqytetin. Kjo ka qenë edhe dëshira e fundit e bashkëshortes së shkrimtarit, Sadije Agolli, e cila u nda nga jeta ditën e sotme, 26 shkurt. Në një intervistë të dhënë një muaj më parë, kur edhe u shënua 2-vjetori i ndarjes nga jeta e shkrimtarit Dritëro Agolli, Sadija do të tregonte se ende jetonte me kujtimet e tij, me veprat, porositë e personazhet aq të dashura për lexuesin.

“Është një gjë shumë e rëndësishme, që gjithë ky ambient që kemi jetuar një jetë të tërë të jepet për muze. Këtu ka shumë gjëra që mund të mësojnë njerëzit, kushdo që vjen. Është jeta e tij, puna e tij, e pasqyruar në vepra, në gjithë këtë që shihni ju. Por edhe të tjerët mund ta mësojnë jetën e tij, si shkrimtar, si njeri edhe si artist. Përveç bibliotekës që e kemi shumë të pasur, ka piktura edhe skulptura, secila prej tyre mbart një kujtim”, rrëfente Sadije Agolli.

Falë nismës së Bashkisë së Tiranës, banesa e Dritëroit dhe Sadijes në Rrugën e “Dibrës” do të kthehet shumë shpejt në shtëpi-muze, ashtu siç ishte edhe dëshira e tyre e fundit. Pak kohë më pare, edhe banesa e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare u kthye në muze, nën përkujdesin e Bashkisë së Tiranës. Të dyja apartamentet e Agollit dhe Kadaresë, gjenden në të njëjtin pallat, pranë qendrës së Kryeqytetit, në Rrugën e Dibrës, prapa Teatrit Kombëtar të Operas.

I njohur ndryshe si “Pallati me kube”, për të cilin Artan Shkreli pat shkruar “disidencë mbrujtur në tulla” ai qe konceptuar i tillë nga arkitekti Maks Velo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat