Tirana bëhet gati për 5 Majin të kujtojë sakrificat e dëshmorëve

Tirana

Tirana bëhet gati për 5 Majin të kujtojë sakrificat e dëshmorëve

Më: 3 maj 2019 Në ora: 10:39
Foto

Në prag të 5 majit, Ditës së Dëshmorëve, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka ndërhyrë në pllakat tek sipërfaqet e ndryshme në Varrezat e Dëshmorëve, për pastrimin e mbetjeve, për ndriçimin e pllakave, vendosjen e luleve dhe rregullimin e ndriçimit. Punonjësit e Bashkisë kanë punuar për kurimin e bimësisë dhe të dekoracionit duke zbukuruar shtëpinë e përjetshme të atyre që dhanë jetën për Shqipërinë!

 “Mirënjohës çdo ditë për sakrificat e dëshmorëve, që e sollën Tiranën e Shqipërinë në ditët e sotme! Por ky 5 Maj, Dita e Dëshmorëve, do jetë jo vetëm një moment ku do të kujtojmë veprën dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për të patur një Shqipëri të lirë dhe më të mirë, por edhe një ditë feste dhe pa makina në Tiranë"  shkruan Veliaj.

Bashkia e Tiranës përveç homazheve në të gjitha varrezat e dëshmorëve, ka organizuar edhe një sërë aktivitetesh festive

Sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Sheshi “Rinia” dhe Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës do të ofrojnë lojëra, muzikë dhe ritëm pa fund nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje.

 Aktivitetet do nisin me një sërë organizimesh në sheshin “Skënderbej” për më të vegjlit e qytetit me një shfaqje të korit të Liceut Artistik kombinuar me shfaqje aktrimi të fëmijëve të Qendrës Kulturore.

Gjithashtu fëmijët do kenë mundësi që të mësojnë dhe zhvillojnë edhe lojërat e dikurshme të rrugës, të zhvillojnë gara të shkurtra apo edhe të krijojnë dhe të ngrenë balonën e tyre.

Më të rriturit do kenë mundësi të ndjekin koncerte muzikore të gjimnazistëve të Tiranës dhe ansamblit të qytetit. Kënde të veçanta i janë kushtuar edhe nostalgjikëve të viteve të luftës, të cilët do kenë mundësi të ndjekin filma apo dokumentar me tematikë të zgjedhur nga lufta për çlirimin e vendit.

Nuk do mungojnë as panairet e produkteve vendase apo edhe ekspozime të mjeteve të Ministrisë së Brendshme apo asaj të Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat