VV: Dhuna sistemike mori sot formën e dhunës direkte te “Astiri”

Tirana

VV: Dhuna sistemike mori sot formën e dhunës direkte te “Astiri”

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 12:06
VV

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar pas me shqetësim pas ngjarjes që u zhvillua mëngjesin e sotëm në zonën e “Astirit” pranë “Unazës së Re” në Tiranë.

Sipas VV-së, qytetarët kanë muaj që protestojnë pas skandaleve të një projekti korruptiv infrastrukturor me kompaninë “DH Albania”.

“Siç është raportuar edhe nga mediat, rreth 13 persona, qytetarë dhe pjesëtarë të Policisë, janë lënduar gjatë aksionit të sotëm të Policisë dhe po marrin shërbim pranë spitalit Universitar të Traumës. Sakaq, mediat kanë raportuar gjithashtu se rreth 10 protestues të tjerë janë arrestuar, mes tyre edhe pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, e disa edhe janë keqtrajtuar gjatë arrestimit”, thuhet në reagim.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri bëri thirrje për ndaljen e të gjitha veprimeve nga ana e organeve shtetërore që mund ta tensionojnë situatën edhe më tej duke shkaktuar lëndime dhe viktima.

“Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të ‘Unazës së Re’. Një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve. Çështja e pronave në zonën e ‘Astirit’ duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët”, vijon reagimi.

Në fund, VV kërkon lirimin e protestuesve që sipas tyre po mbahen të arrestuar padrejtësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat