Historia e nuses dhe vjehrrës në Tiranë që ‘ngelën’ duke telefonuar policinë, por në burg është djali!

Tirana

Historia e nuses dhe vjehrrës në Tiranë që ‘ngelën’ duke telefonuar policinë, por në burg është djali!

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 13:29
Foto ilustrim

Deri ku mund të arrijnë marrëdhëniet e këqija mes një nuseje dhe një vjehrre? Kinematografia i ka treguar të gjitha ekstremitetet, letërsia po ashtu. Por prisni, një nuse dhe një vjehrrë në Tiranë urrehen aq shumë sa kanë vendosur të kthehen në spiunet e betuara të njëra-tjetrës, me shpresën se njëra do shkelë në kallo dhe për rrjedhim policia do kryejë arrestim.

Por në kushtet kur asnjëra s’po kryen shkelje penale, policisë së Tiranës sipas burimeve të gazetës Si nuk i ka mbetur gjë tjetër, sa telefonohet vrapon në banesën e dy grave, merr kallëzimin dhe dëgjon.

Nga njëra anë vjehrra ankohet në komisariatin numër dy  se sa e papastër është e reja, kurse nusja spiunon se vjehrra ka hyrë pa leje në dhomën e gjumit.

Sipas një burimi policor të gazetës Si marrëdhëniet mes dy grave kulmuan me grindje, as më pak dhe as më shumë, por për shkak të një mashkulli.

Dhe kush mund të ishte ai, veçse djali i vjehrrës e për rrjedhim burri i nuses, një 32-vjecare që është betuar si edhe e moshuara se do ta fitojë këtë bast.

Sipas të dhënave policore kallëzimet respektive janë administruar në komisariatin numër dy nga seksioni për parandalimin dhe hetimin e krimeve.

Të dyja gratë kanë urdhër mbrojtjeje nga njëra-tjetra, ndërsa deri më tani, edhe pse ato janë betuar që tjetra do shkojë në burg, në fakt ai që ka përfunduar në qeli është djali.

K. XH. tregon se jeton me vjehrrën, pasi i shoqi M. XH ndodhet në burg për çështje droge.

“Vjehrra më akuzon mua se e kam futur në burg, dhe sherret tona u nxehën. Së bashku me vajzën mora urdhër mbrojtjeje dhe ndonëse jetojmë në të njëjtin apartament, ajo nuk duhet të na afrohet asnjërës”.

32-vjeçarja insiston se pavarësisht këtij urdhri që njëkohësisht është me urdhër mbrojtjeje edhe vjehrra V. XH, ajo i ka hyrë në dhomën e gjumit.

“Një javë më parë e gjeta vjehrrën te dera, e pyeta akoma futesh tek dhoma ime? Dje vjehrra kishte hyrë në dhomën e gjumit, kishte hequr dyshekun dhe pastruar dhomën. Kisha ikur tek prindërit dhe e vetmja gjë që bëra përpara se të ikja ishte ushqimi i maces”.

E reja kërkon që kjo çështje të ndiqet ligjërisht nga policia, megjithëse me herët vjehrra e kishte bërë një telefonatë dhe kishte spiunuar nusen e djalit.

“Nusja ime ka kohë që ka shkuar në strehën e grave të dhunuara, unë pastrova dhomën e gjumit pasi nga aty vinte një erë shumë e keqe. Poshtë dyshekut gjeta shiringa të drogës që ajo përdor. Unë telefonova policët dhe ata mbajtën shënim, ju tregova shikoni po thyej urdhrin e mbrojtjes, shikoni sa e papastër që është. I mora të më ndihmonin, t’ju tregoja çfarë halli të madh kam. Policët e panë vetë gjendjen dhe numëruan dhjete qese plehrash si dhe panë që macja kishte bërë nevojën. Policët më thanë na njofto kur të vijë nusja”, rrëfen vjehrra sipas burimeve të gazetës Si.

Në përfundim policët janë dorëzuar dhe kanë mbajtur shënim të dyja ankesat dhe siç bëhet me dije, njëra nga gratë, do referohet për thyerje të urdhrit të gjykatës, kurse tjetra nuk është vendosur ende se çfarë vepre mund të ketë kryer ajo me mos pastrimin e shtëpisë.

“Nuk ekziston një vepër që do të ishte ndotje e mjedisit, por të dyja gratë po ia vështirësojnë jetën njëra-tjetrës. E moshuara e bindur që djali ra në burg për faj të nuses synon që t’i lirohet shtëpia që në fakt rezulton pronë e saj. Kurse nusja, siç kuptohet ka vendosur t’ia nxijë jetën vjehrrës me justifikimin se ka një fëmijë të mitur dhe nuk ka ku shkon dhe për këtë qëllim ajo lë në dhomë çdo mbeturinë duke shkaktuar erë të rëndë në shtëpi”, tha në anonimitet një zyrtar policie që po e heton rastin e veçantë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat