Tabaku: Tirana do jetë surpriza e zgjedhjeve të 25 prillit

Tirana

Tabaku: Tirana do jetë surpriza e zgjedhjeve të 25 prillit

Më: 11 prill 2021 Në ora: 11:16
Jorida Tabaku

Kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku ka folur për fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

E renditur e dyta në kryeqytet, Tabaku në një intervistë për cna, u shpreh se programi i hartuar nga PD do të sjellë ndryshimin në Shqipëri, ndërsa shtoi se Qeveria e korruptuar e Edi Ramës i ka vjedhur qytetarët për tetë vjet.

Kandidatja për deputete theksoi, se gjatë fushatës elektorale opozita, po tregon dita ditës që ka një ekip dhe një udhëheqje të përgjegjshme.

“Partia Demokratike dhe aleatët e saj po tregojnë dita – ditës që janë alternativa më e mirë qeverisëse. Ne kemi shkuar te çdo qytetar dhe kemi folur për programin që kemi hartuar për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, për të sjellë normalitetin, për të hapur vende të reja pune, për të pasur paga më të larta dhe kosto jetese më të ulët, për një kujdes më të mirë shëndetësor dhe arsim më të mirë për fëmijët, për të frenuar largimin e të rinjve dhe të familjeve të tëra.

Opozita po tregon se ka një ekip dhe një udhëheqje të përgjegjshme e qytetare, krejt të ndryshëm nga grupi i batakçinjve që kanë i kanë mashtuar e vjedhur shqiptarët për 8 vjet. Ne jemi bërë bashkë me qytetarët për ta larguar këtë qeveri që është shndërruar në barrën më të rëndë për vendin dhe çdokënd që jeton këtu”, tha Tabaku.

Kandidatja për deputete ka krahasuar edhe fushatën e këtij viti me herët e tjera. Duke iu referuar situatës pandemike që nuk lejohen grumbullime me shumë njerëz, Tabaku tha, se ndryshimi i kësaj fushate është dëshira e madhe e qytetarëve për të pasur një Qeveri me parime dhe vlera, që punon për të ulur taksat dhe rritur pagat, në mënyrë që sipas saj të përmirësohet niveli i jetesës.

“Kjo fushatë është atipike për shkak të pandemisë. Por edhe në këtë fushatë, me gjithë përpjekjet tona, ka qenë e pamundur të frenosh qytetarët që vijnë të na takojnë. Më shumë se nga covid, kupton që ata duan të shpëtojnë nga një Qeveri që ua ka nxirë jetën me plot kuptimin e fjalës në 8 vjet.

Ndihen të mashtruar e tani edhe të tallur, sepse të njëjtët njerëz që ua kanë marrë votën me gënjeshtra, tentojnë t’i gënjejnë njësoj për të tretën herë. Ajo që shoh ndryshe është një dëshirë e madhe e qytetarëve për të pasur një qeveri me parime e vlera, me njerëz të përgjegjshëm e me dinjitet, që punon për të ulur taksat, për të rritur pagat e për të përmirësuar nivelin e jetesës”, u shpreh Tabaku.

E pyetur se sa mandate synon PD në Tiranë, kandidatja për deputete theksoi se do të marrin së paku 20 mandate në kryeqytet.

Tabaku shtoi se Tirana do të jetë surpriza e zgjedhjeve të 25 prillit, që për demokraten do të jetë qyteti që do u sjell fitoren.

“Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të marrin së paku 20 mandate në Tiranë. Tirana do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve. Ajo do t’i japë kësaj qeverie të korruptuar shuplakën që meriton. Ajo do t’ua kthejë me të njëjtën monedhë vjedhjen masive për 8 vjet pushtetarëve më të babëzitur që ka njohur historia e Shqipërisë, në qeveri dhe apo edhe në Bashkinë e Tiranës, e cila është kthyer në një lavatrice të pastrimit të parave jo vetëm të grupeve kriminale shqiptare, duke ndikuar drejpërdrejtë në kriminalizimin e të gjithë shoqërisë.

Dëmi që i kanë bërë Edi Rama dhe pupaci i tij në bashki Shqipërisë, nuk ia kanë bërë as pushtuesit. Këta ia kanë tretur edhe palcën vendit. Nuk kanë lënë gjë pa vjedhur. Kanë deformuar demokracinë dhe shoqërinë”, tha Tabaku.

Demokratja garantoi të gjithë qytetarët se opozita nuk do të lejojë këtë herë që grupe kriminale të futin duart në kutitë e votimit.

“Partia Demokratike nuk do të lejojë në këto zgjedhje që Edi Rama të realizojë planet e tij për blerjen e votës, si në zgjedhjet e kaluara, përmes grupit të tij të korruptuar në qeveri dhe në PS apo nëpërmjet grupeve kriminale që ai përdor sa herë i duhen për të vjedhur apo trembur qytetarët. Në këto zgjedhje, nuk do të ketë plan që do ta shpëtojë Ramën nga humbja. Ai po kërcënon arsimtarë e punonjës të administratës, sepse e kupton që humbjen e ka të pashmangshme. Ne, së bashku me qytetarët, do të ndalojmë cdo përpjekje të tij për ta deformuar sërish vullnetin e shqiptarëve dhe për t’u mohuar atyre të drejtën për të zgjedhur qeverinë që dëshirojnë”, tha Tabaku.

Ish deputetja tregoi më tej edhe shqetësimin më të madh që ka hasur nga takimet e ndryshme me qytetarët.

“Qytetarët kërkojnë punë, siguri, drejtësi, një shtet normal, një qeveri që kujdeset për ta, nëpunës shtetërorë që u shërbejnë dhe nuk i shohin nga xhepat, policë që i ndihmojnë dhe nuk i keqtrajtojnë, tatimorë miqësorë me biznesin dhe jo gjobvënësa sa për shtetin aq edhe për vete. Cdo qytetar që takoj sheh shpresë tek ne për të ndryshuar situatën, për të hapur vende pune, për të rritur pagat e pensionet, për të frenuar largimin e rinisë, për të luftuar krimin e korrupsionin që janë ulur këmbëkryq, për të ndryshuar kursin e vendit, për ta futur atë në shinat e një shteti normal që aspiron Bashkimin Europian dhe jo të një shteti që largohet në çdo formë gjithnjë e më shumë nga Brukseli.

Nën Edi Ramën, Shqipëria nuk e ka pasur për asnjë ditë BE-në busull orientimi. Premtimi për hapjen e negociatave ka qenë që në vitin e parë të mandatit të parë të kësaj qeverie, por ja ku jemi në vitin e 8 dhe dëgjojnë gjithnjë të njëjtat përralla. Shqiptarët kanë shqetësim kryesor qeverinë e tyre, sepse nga aty ka buruar cdo e keqe që u ka ardhur në këto 8 vjet. Largimi i Edi Ramës do të jetë shpëtim për ata dhe për vendin”, tha Tabaku.

Në fund, Tabaku kishte edhe një mesazh për qytetarët.

“Çdo qytetar, më 25 prill duhet të dalë në zgjedhje dhe të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar, për të zgjedhur qeverinë që do të drejtojë vendin dhe do të kujdeset për ata. Kësaj here, më shumë se kurrë, shqiptarët duhet të votojnë për veten e tyre, për të ardhmen e tyre. Qytetarët e dinë se nuk mund të vazhdohet më kështu dhe e kanë kuptuar që koha për të ndryshuar është tani. Ata duhet të dalin masivisht në votime për të votuar për shpresën dhe për kthimin e vendit në normalitet”, u shpreh kandidatja e PD Jorida Tabaku në intervistë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat