U shkarkua nga shkalla e parë, KPA shpëton prokurorin e Tiranës, e kthen në detyrë

Tirana

U shkarkua nga shkalla e parë, KPA shpëton prokurorin e Tiranës, e kthen në detyrë

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 20:27
Ndin Tavani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka kthyer në detyrë prokurorin e Tiranës, Ndini Tavani, i cili u shkarkua nga shkalla e parë e Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Ishte vetë prokurori ai që apeloi vendimin e KPK, e cila e shkarkoi me argumentet se ka konstatuar probleme për të tre kriteret e rivlerësimit, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Tavani ka dhënë shpjegime për problemet e konstatuara nga hetimi administrativ dhe ka kërkuar konfirmimin në detyrë. Shpjegimet e dhëna nga prokurori kanë bindur vetëm një anëtar të trupës gjykuese të KPK-së, kurse 2 anëtarët e tjerë vendosën për shkarkimin nga detyra të prokurorit.

Ndërsa sot KPA ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë duke rikthyer në detyrë prokurorin.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.2/2020, datë 09.01.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Ndini Tavani kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 199, datë 11.10.2019.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 199, datë 11.10.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Ndini Tavani dhe konfirmimin e tij në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
“, thuhet në vendimin e KPA.

Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 2003-2004. Më pas, ai ka vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat