Betimi i Veliajt, reagojnë Alimehmeti, Braimllari dhe Blushi: Shkeli ligjin, nuk u betua para anëtareve të Këshillit Bashkiak

Tirana

Betimi i Veliajt, reagojnë Alimehmeti, Braimllari dhe Blushi: Shkeli ligjin, nuk u betua para anëtareve të Këshillit Bashkiak

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 19:07
Foto ilustrim

Këshilltarët e opozitës e quajnë të paligjshëm betimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ceremoni e cila u zhvillua në ambientet e tarracës së godinës.

Këshilltari Ilir Alihmehmeti thotë se është e paprecedentë që kryetari i zgjedhur refuzon të betohet siç e parashikon ligji para Këshillit Bashkiak.

“E paprecedentë nga Bashkia Tiranë! Kryetari i zgjedhur i Bashkisë refuzon të betohet siç e parashikon ligji dhe rregullorja në fuqi. Njoftimi i nisur nga vetë Bashkia Tiranë, pika 6 e rendit të ditës për mbledhjen e parë, flet qartë ku duhet të betohet Kryetari i Bashkisē. Neni 18, mbi mandatin e kryetarit, thotë se: Pika 1: Shpallja e vlefshmërisë dhe betimi i Kryetarit bëhet në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. Pika 3: Ushtrimi i mandatit të Kryetarit fillon në çastin kur bën betimin përpara Këshillit Bashkiak.”-thuhet në reagimin e Ilir Alimehmetit.

Endrit Braimllari shprehet se betimi në tarracë thellon paligjshmërinë dhe tenton të ulë autoritetin e Këshillit Bashkiak që përfaqëson qytetarët e Tiranës

“Turp i madh Erion Veliaj betohet ne tarracë dhe jo në sallën e këshillit bashkiak ku e përcakton ligji dhe rregullorja. Betimi i Erion Veliaj në tarracë thellon paligjshmërinë dhe tenton të uli autoritetin e Këshillit Bashkiak që përfaqëson qytetarët e Tiranës. Ky vendim poshtëron qytetarë të cilët duan transparencë. Sindroma e frikës nga hajdutëria dhe bunkerizimi e udhëheq kudo”-ishte ky reagimi i Endrit Braimllarit.

Edhe Tedi Blushi e quan të papranueshëm betimin siç e cilëson ai në “ambient dasmash”.

“Erion Veliaj refuzon të betohet para anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, në shkelje të rregullores, ligjit, procedurave dhe traditës. Ky “betim” në një “ambient dasmash”, vijim i precedentit të betimit të gjyqtares kushtetuese tek Lana është nul dhe i papranueshëm! Asnjë surprizë nga një Kryetar i zgjedhur me vota të blera, ekzemplar në paligjshmërinë që e karakterizon!  Partia e Lirisë e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë dhe interesit qytetar!”-reagoi Tedi Blushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat