Tensionet Kosovë – Serbi, Baerbock të enjten në Tiranë

Tirana

Tensionet Kosovë – Serbi, Baerbock të enjten në Tiranë

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 08:07
Annalena Baerbock

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock do të udhëtojë sot drejt Tiranës, mes tensioneve në rritje Kosovë- Serbi.

“Baerbock do të bisedojë me liderët nga Serbia dhe Kosova dhe do të vazhdojë t’u kërkojë të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin e konfliktit gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri”, njoftoi të mërkurën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.

Takimet në Shqipëri janë pjesë e “Procesit të Berlinit”, i cili filloi në vitin 2014 për të nxitur bashkëpunimin midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kriza e fundit mes Kosovës dhe Serbisë u shkaktua pasi një grup shkaktoi agresion kur e  sulmoi policinë në veri të Kosovës, duke vrarë një polic.

Duke folur për mediat në Berlin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Kathrin Deschauer, tha se situata në rajon është “mjaft shqetësuese”, në vazhdën e raundit të fundit të dhunës vdekjeprurëse në veri të Kosovës.

“Serbia e ka për detyrim që, pa mëdyshje, të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është e tensionuar. Shenjat e para të reduktimit të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit. Megjithatë, ne duam të theksojmë sërish se tani duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm drejt de-përshkallëzimit”, tha ajo.

Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes tha se aktualisht nuk ka plane për të rritur numrin e trupave gjermane të dislokuara në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.

Për momentin janë 71 ushtarë gjermanë në terren si pjesë e misionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat