Përurohet gjimnazi “Partizani”, Veliaj: Një xhevahir i ri i shtohet qytetit të Tiranës, një nga shkollat më të bukura që kemi ndërtuar

Tirana

Përurohet gjimnazi “Partizani”, Veliaj: Një xhevahir i ri i shtohet qytetit të Tiranës, një nga shkollat më të bukura që kemi ndërtuar

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 17:41
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Gjimnazi “Partizani” është xhevahiri i ri që i shtohet buqetës së shkollave të rindërtuara dhe të transformuara në Tiranë. Shkolla ka hapur dyert këtë vit për nxënësit e saj, me kushte moderne, hapësira të reja shtesë, por edhe terrene sportive.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se në gjimnazin “Partizani” është punuar me të njëtën cilësi, si për çdo shkollë tjetër të ndërtuar në kryeqytet. Ai shoqërohej nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku.

“Për ata që kanë qenë të shqetësuar pas tërmetit, të gjitha kollonat e shkollës janë përforcuar me çelik dhe beton, Prandaj dua të falenderoj inxhinierët, të cilët kanë punuar në një hapësirë relativisht të vogël, për t’u siguruar që edhe shkalla e emergjencave, që zakonisht vjen si shtojcë e ndërtesës, të jetë një pjesë kyçe edhe për estetikën e fasadës, duke ikur nga ato fasadat e vjetra si kuti shkrepëseje”, tha Veliaj.

Ai shtoi se koha kur privati ndërtonte me cilësi më të lartë dhe ndërtesa më të bukura se godinat publike, mund të quhet e perënduar.

“Kur e nisëm këtë punë, ishim mësuar se çdo gjë e shtetit ishte më e shëmtuar, më e pistë dhe më e rrënuar, se ajo e privatit. Kur shikon sot shkollat “Servete Maçi”, “Sami Frashëri”, apo “Partizani”, gjërat e privatit duken më të vjetra, më të lëna pas dore dhe më të rrënuara. Më në fund, ia mbërritëm kohës kur dritën e syrit, që janë fëmijët tanë, e çojmë në shkollat me infrastrukturën më të mirë e më të bukur në vend. Fëmijët vërtet mund të jenë 25% e popullsisë, por janë 100% e së ardhmes sonë. Për çdo cenim që i bëhet një shkolle, një kopshti, një çerdheje, nuk ia keni bërë 25% të popullsisë, por 100% të së ardhmes sonë. Për sa kohë që çunat dhe gocat janë 100% e së ardhmes, duhet të jenë 100% në fokusin tonë, të energjisë sonë dhe të punës sonë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku ftoi nxënësit të maksimizojnë kohën e shfrytëzimit të kësaj shkolle dhe mjediseve të saj, duke veçuar bibliotekën, ku mund të organizohen aktivitete kulturore, si dhe terrenet sportive, që mund të shfrytëzohen edhe pas orarit mësimor.

“Tani që kemi një ndërtesë fantastike si kjo, le ta mbushim me jetë. Kemi një bibliotekë që mund të hapet edhe për komunitetin. Kemi mundësi për të bërë aktivitete pafund, për t’iu bashkuar rrjetit të shkollave sportive, kampionateve, shkollave komunitare. Duhet të gumëzhijë edhe kjo palestër. Territori, në Tiranë, është bërë shumë i shtrenjtë. Nuk e kemi luksin të vëmë drynin në orën 14:00. Jam i bindur se tani që u bë shkolla, e gjithë lagjja do reflektojë bukurinë që ka shkolla, për të mos rënë në sy që është lënë pas dore dhe për të mbajtur hapin e saj, me pastërtinë që reflekton ky projekt i jashtëzakonshëm. Mund të them që është padyshim një nga shkollat më të bukura në Tiranë”, tha Veliaj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se është një krenari të shohësh transformimin e infrastrukturës shkollore në Tiranë.

“Nuk është e lehtë të ndërtosh një shkollë, nuk është e lehtë të rehabilitosh një shkollë, sepse të rehabilitosh një shkollë do të thotë që, jo vetëm të rindërtosh muret e saj, por të mendosh për të gjitha ato detaje që e bëjnë mësimin shumë më të lehtë nga pikëpamja praktike. Këto shkolla nuk është se kanë vetëm klasa. Shkollat që kemi ndërtuar, po ndërtojmë dhe do të ndërtojmë, janë shkolla të cilat në fakt, përputhen me kurrikulën tonë mësimore, me atë që ne duam të japim për fëmijët tanë, dijen. Dhe në fakt, është një krenari e vërtetë të shohësh sot se si Tirana, por edhe e gjithë Shqipëria, po shndërrohen në një rrjet infrastrukturor shkollor, i cili po na jep një kënaqësi shumë të madhe”, tha Manastirliu.

Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, u shpreh se gjimnazi “Partizani” është një tjetër xhevahir që i shtohet kurorës së qytetit të Tiranës.

“Jo gjithmonë mund të bëjmë maksimumin e mundshëm për pjesën e dijeve, për pjesën që sa duan fëmijët të mësojnë, por është shumë e rëndësishme që të krijojmë hapësira ku ta kenë mundësinë që ta kalojnë mirë shkollën, të mos kenë probleme logjistike, të kenë mundësi të fokusohen tek dija dhe t’ua bëjmë jetën më të thjeshtë nxënësve, padyshim edhe mësuesve. Besoj se gjithë puna e bërë në Tiranë, gjatë këtyre viteve, me gjithë shkollat e reja, ku ‘Partizani’ tashmë është një ndër ato xhevahiret e kurorës së qytetit, është tregues i faktit se ka një vëmendje të caktuar nga ana e qeverisë dhe nga ana e Bashkisë, për të siguruar që shkollat të jenë një vend ku të mësohet mirë,” u shpreh Mazniku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat