Mblidhet në Tiranë Këshilli Koordinues i Diasporës, bashkëpunëtorja jonë Ira Londo zgjidhet në kryesi

Tirana

Mblidhet në Tiranë Këshilli Koordinues i Diasporës, bashkëpunëtorja jonë Ira Londo zgjidhet në kryesi

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 11:31
Këshilli Koordinues i Diasporës

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës dhe Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve më 18 dhjetor, u zhvillua mbledhja e Këshillit Koordinues të Diasporës, ku këtë herë ka përkuar edhe me mandatin e dytë të këtij këshilli. Me pjesëmarrje të gjerë nga qeveria shqiptare dhe institucionet mbështetëse, diskutimet e gjata janë mbyllur me shumë pozitivitet e vullnet të palëkundur për rienergjizimin e organeve të Diasporës, me fokus institucionalizimin e çdo mekanizmi, si dhe zgjdhjen dhe realizimin e çështjeve të rëndësishme.

Mbledhja u hap nga Kryetari i Këshillit, z. Mark Gjonaj, i cili duke i uruar suksese anëtarëve të zgjedhur për herë të parë, u ndal tek rëndësia e diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, z. Igli Hasani falënderoi anëtarët duke theksuar se Këshilli synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me diasporën shqiptare si dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë në veprimtarinë e tyre.


Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, në fjalën e saj prezantoi projektet dhe angazhimin që ka kjo ministri për diasporën shqiptare.

Z. Lavdrim Krrashi, Kryetar i Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin, ndër të tjera u ndal në të drejtën e votës duke theksuar se ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë parashikuar të drejtën e diasporës për të votuar dhe si ligjëvënës janë angazhuar në dhënien e kontributit në drejtim të mundësimit dhe përmirësimeve ligjore që i shërbejnë interesit të diasporës sa i takon votimit nga jashtë vendit.

Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe z.Ilirian Celibashi, i cili në fjalën e tij siguroi bashkëpunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të realizuar votën e diasporës.

Znj. Romina Kuko theksoi rëndësinë e regjistrimit të adresave të diasporës shqiptare dhe punën që po bën Ministria e Brendshme për të thjeshtuar procedurat e regjistrimit nëpërmjet portalit e-Albania.
Në pjesën e dytë anëtarët u njohën me aktivitetet e institucioneve shtetërore të diasporës si dhe diskutuan për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli, me qëllim krijimin e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.

Në pjesën e fundit janë miratuar ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Këshillit dhe janë zhvilluar zgjedhjet për mandatin e ri të kryesisë. Anëtarët zgjodhën si kryetar z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Angela Paparizo si dhe sekretare znj. Ira Londo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat