Sheshi “Skënderbej” dhe “Pazari i Ri” përfundojnë vitin tjetër

Tirana

Sheshi “Skënderbej” dhe “Pazari i Ri” përfundojnë vitin tjetër

Më: 14 nëntor 2016 Në ora: 20:56
Foto

Bashkia e Tiranës ka vijuar këtë pasdite prezantimin dhe konsultimin e projektbuxhetit të vitit 2017 me qytetarët. Takimi i radhës ishte me banorët e Njësisë Administrative Nr. 1, gjatë të cilit nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku, paraqiti projektet që do të prekin këtë zonë, si dhe projektet strategjike që mbështeten nga Buxheti 2017.

Ai theksoi se pavarësisht borxheve dhe punëve të lëna përgjysmë nga administrata e kaluar, u bë e mundur hapja e 100 kantiereve të punës, një pjesë e mirë të cilave hyjnë te projektet e mëdha dhe që kanë impakt te të gjithë qytetarët e Tiranës.

Mazniku theksoi se edhe për vitin e ardhshëm Buxheti vjen sërish me një rritje të konsiderueshme, i cili në krahasim me buxhetin e vitit 2014 është 3 herë më i madh dhe gati 30% më i madh se ai i vitit 2016. Ndërkohë, ai bëri të ditur se ky buxhet në rritje do të bëjë të mundur rritjen e investimeve për vitin që vjen, duke prekur direkt edhe Njësinë 1.

Ai theksoi se rritja e Buxhetit të vitit të ardhshëm nuk do të shoqërohet me rritje të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset, duke konfirmuar se taksat dhe tarifat nuk do të ndryshojnë për 2017.

Duke u ndalur te projektet madhore që do të mbështeten nga Buxheti i ardhshëm, Mazniku tha se sheshi “Skëndërbej” parashikohet të përfundojë brenda 6 muajve të parë të vitit të ardhshëm. Ai shtoi se do të vijojnë investimet edhe në Parkun e Madh të Tiranës, për ta bërë atë më funksional dhe të frekuentuar nga qytetarët.

Nënkryetari i Bashkisë së kryeqytetit theksoi se do të vijojnë projektet e Pazarit të Ri, Bulevardit apo Parkut Qendror të Tiranës.

Ndërkohë, ai bëri edhe një prezantim të projekteve të reja strategjike të Bashkisë së Tiranës, një pjesë e të cilave janë pjesë edhe e projektit të Planit të Përgjithshëm Vendor. Një prej tyre është edhe projekti i ndërtimit i shkollave të reja në gjithë Tiranën. 

Të tjera projekte që parashikohen për vitin 2017 janë: zgjerimi dhe sistemimi i shtratit të Lanës, pylli orbital, terminalet e transportit apo edhe ndërtimi i rrjetit minimal të biçikletave.

Mazniku u ndalu edhe te projektet që prekin direkt Njësinë 1, duke bërë të ditur se puna për realizimin e tyre do të vazhdojë me të njëjtin ritëm si vitin e parë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat