4 milionë euro për strehimin e shtresave në nevojë, ja dokumentet që u duhen për aplikimin e kredisë së butë

Tirana

4 milionë euro për strehimin e shtresave në nevojë, ja dokumentet që u duhen për aplikimin e kredisë së butë

Më: 29 nëntor 2016 Në ora: 08:25
Ilustrim

Shtresat në nevojë do të marrin nga buxheti i shtetit në formën e interesave për kredi të buta dhe subvencione për qira 4 milionë euro.

Shuma është parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Nga fondi i 560 milionë lekëve, 120 milionë lekë do të investohen për projekte dedikuar rikonstruksionit të 185 banesave të komunitetit rom dhe egjiptian. Përfitues në këtë kategori janë rreth 740 qytetarë. Ndërkohë, shuma prej 140 milionë lekësh do të shkojë për rehabilitimin e godinave ekzistuese të dala jashtë funksionit fillestar, me qëllim strehimin e shtresave në nevojë për 162 familje të pastreha.  

Ndërsa, rreth 280 milionë lekë janë fonde që duhen për mbulimin e shpenzimeve korrente për subvencionimin e interesave të kredive, me përfituese 4.300 familje, të cilat janë trajtuar me kredi me kosto të ulët, duke zvogëluar numrin e të pastrehëve në mbarë vendin. Sipas planit afatmesëm të Ministrisë së Zhvillimit Urban, një vlerë prej 20 milionë lekësh do të jetë bonus strehimi dhe grant i menjëhershëm për 230 familje, të cilat nuk kanë asnjë alternativë tjetër strehimi. Buxheti i shtetit u siguron familjeve në nevojë banesë, duke financuar qiranë në treg të lirë në masën 50-100% të vlerës. Për shlyerjen e kredisë së përftuar të banesës me kosto të ulët nga personat me aftësi të kufizuar dhe jetimët në masën 5-10% të vlerës së banesës. Sipas planit, 13 milionë lekë nga fondi i strehimit shkojnë për pagesën e qirave të familjeve që preken nga zbatimi i disa projekteve, siç janë projekti i rrugës transballkanike, në Vlorë, dhe projekti i Unazës së Madhe, në Tiranë, shpenzime që me Vendim të Këshillit të Ministrave duhen përballuar nga fondet e strehimit të parashikuara në buxhetet e çdo viti për MZHU-në. Përfituese do të jenë 174 familje. 

Bonusi i strehimit

Bonusi i strehimit përfaqëson ndihmë nga shteti në masën 50% të qirasë më të ulët në tregun e lirë, i cili mbulon shpenzimet e familjeve në nevojë për strehim. Bonusi i strehimit jepet me miratim të Këshillave Bashkiak nëpërmjet fondeve të bashkisë, për çdo familje në nevojë për bonus. Sipas të dhënave nga Ministria e Zhvillimit Urban, nga programi “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetin rom dhe egjiptian” në njësitë e qeverisjes vendore, i krijuar për herë të parë nga kjo qeveri, dedikuar kësaj kategorie shumë në nevojë, për vitin 2016 fondi i alokuar në vlerë 113.8 milionë lekë për këtë program është rritur me 25%. I gjithë fondi do të shkojë për investimin dhe zbatimin e projekteve për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom dhe egjiptian, nga të cilat pritet të përfitojnë 183 familje rome dhe egjiptiane, në disa bashki të vendit. 

Kreditë e buta, dokumentet

-Certifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.

-Vërtetimi për vendbanimin në bashki ose lejen e banimit, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.

-Vërtetimi i të ardhurave neto dhe bruto (vërtetim punësimi), shoqëruar me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

-Dokumenti nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.

-Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.

-Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.

-Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.

-Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.

-Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat nën fuqi të strehimit.

-Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.

-Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.

-Vendimi i Gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.

-Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.

-Vërtetim nga Komisioni Mjekësor për përcaktimin e Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.

-Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit e lëshuar nga Shërbimet teknike të bashkisë.

-Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”.

-Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës etj.

-Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje.

-Urdhri i Mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin).

-Vërtetim i marrë nga Qendra Kombëtare e Shërbimit të Përkujdesit Shoqëror për viktimat e dhunës në familje, e ngritur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

-Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat