Tregu i gjësë së gjallë në Baldushk garanton sigurinë ushqimore të qytetarëve

Tirana

Tregu i gjësë së gjallë në Baldushk garanton sigurinë ushqimore të qytetarëve

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 13:36
Kryebashkiaku Veliaj

Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë ushqimore për festat e fundvitit, si dhe për mbajtjen nën kontroll të çmimeve. Ashtu si vitin e shkuar, në Baldushk është ngritur tregu i gjësë së gjallë, ku prej disa ditësh tregtohet gjeli i detit i zonës. Gjatë vizitës së tij në këtë treg, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tregu funksionon brenda standardeve të higjienës dhe është kthyer në furnizuesin kryesor të gjelit të detit për familjet e Tiranës në darkën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte të zonës, të cilat mandej kontribuojnë në rritjen e ekonomisë lokale.

“Thirrja jonë është shumë e thjeshtë: nëse promovojmë ekonomi lokale, nëse paratë qarkullojnë brenda vendit, nëse ndihmojmë fermerët që merren gjithë vitin me këtë punë, besoj se kemi bërë gjestin më të madh patriotik që mund të bëjë dikush. Nuk ka gjest më të madh se të kontribuosh financiarisht që bashkëqytetarët e tu të kenë një cilësi jete më të mirë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit do të vijojë me rigorozitet punën për garantimin e sigurisë ushqimore për të gjithë qytetarët.

“Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit garanton të gjitha certifikimet veterinare. Ndaj do t’i ftoja të gjithë qytetarët që në ditët në vijim, për të gjithë ata që preferojnë që gjelin ta blejnë të gjallë, të mos kërkojnë të bëjnë pazar në rrugët e qytetit. U bëj thirrje qytetarëve që të përfitojnë nga fakti që këtu garantojmë cilësinë, garantojmë ekonominë vendase dhe kemi të gjithë veterinerët dhe stafin e AMK-së për të siguruar që çdo gjë është me higjienë dhe e certifikuar”, tha ai.

Por, një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe kontrollit të përditshëm për të eliminuar spekulimet me çmimet. Duke e cilësuar zonën e Tiranës fantastike për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, Veliaj deklaroi se eksperienca e vitit të shkuar me tregun e Baldushkut, ishte një histori suksesi, pasi ndihmoi ekonomitë e shumë familjeve fermere.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat