Organizata Botërore e Turizmit takim në Shqipëri

Turizëm

Organizata Botërore e Turizmit takim në Shqipëri

Më: 8 prill 2024 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Organizata Botërore e Turizmit (UNËTO), agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara që nxit zhvillimin social-ekonomik e mjedisor përmes turizmit, po mban në Tiranë për disa ditë takimin e 70-të të Komisionit për Europën, duke analizuar ecurinë e kësaj fushe në rajon.

Mbajtja e këtij takimi në Shqipëri u cilësua nga organizatorët si një gjest vlerësimi për rezultatet e saj të fundit në fushën e turizmit.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, tha se suksesi i Shqipërisë me turizmin vitin e fundit është fryt i një pune shumëvjeçare, ndërsa gjithë rajoni ka shumë potencial dhe rezultatet kryesore do të vijnë prej turizmit në këtë rajon, sepse ka shumë zhvillime që po ndodhin dhe shumë projekte janë në zhvillim e sipër duke u hartuar.

Ne kemi shpërndarë një udhëzues ku u rekomandojmë gjithë kompanive që të investojnë në Shqipëri. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në mbështetje të turizmit të Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi, ku tregojmë mundësitë e vendit tuaj dhe për të tërhequr gjithnjë e më shumë investime të huaja direkte”, tha sekretari Pololikashvili.

Organizata Botërore e Turizmit mbështeti rezultatet e deritanishme në fushën e turizmit dhe ftoi cilindo të vizitojë dhe investojë në Shqipëri, e cila do të mikpresë Panairin ndërkombëtar të turizmit vitin e ardhshëm.

Arritëm tani një objektiv të rëndësishëm, që e synonim në vitin 2030: 10.1 milionë turistë brenda një viti. Sipas Barometrit të Organizatës Botërore të Turizmit Shqipëria ishte e para në Europë dhe e katërta në botë për rritjen e flukseve turistike për vitin 2023. Sot Shqipëria është një surprizë e bukur në zhvillimin e turizmit global dhe gati gati një simbol, ashtu si njerëzit e saj”, tha ministrija e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Autoritetet shqiptare kanë një optimizëm të matur teksa nga një anë turizmi po rritet, por nga ana tjetër duhet të mbrojnë natyrën.

Kryeministri Edi Rama tha në takimin e Organizatës Botërore të Turizmit se Shqipëria po përjeton një sukses në fushën e turizmit, por ndërkohë që po bëhet një destinacion i rëndësishëm turistik, po përpiqet të mbrojë natyrën duke ndërtuar bukur dhe me kujdes, duke mësuar nga gabimet e vendeve të tjerë.

“Shqipëria ishte nën një izolim të thellë dhe qeverisje brutale tri dekada më parë, si Korea e Veriut e Europës. Ka qenë mjaft e izoluar me Perëndimin dhe vizitohej nga vetëm 5 mijë turistë prej vendeve marksiste të ekstremit të majtë, ndërsa tani ka një realitet krejt ndryshe. Më shumë se 10 milionë turistë vitin e shkuar dhe me shifra të larta në fillim të këtij viti, erdhën prej një pune të madhe në këtë fushë, ku synohet zhvillim i qëndrueshëm”, tha zoti Rama.

Sektori i turizmit zë një vend të konsiderueshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto, si dhe punësim e vetëpunësim të shumë banorëve në të gjithë territorin malor e bregdetar të vendit në 12 muajt e vitit, ku turistët me numra në rritje vizitojnë zona historike e kulturore, plazhe dhe ekosisteme të rralla./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat