Nëse jeni mërzitur nga bakllavaja dhe kadaifi, kjo është receta më e mirë për festat

Ushqime

Nëse jeni mërzitur nga bakllavaja dhe kadaifi, kjo është receta më e mirë për festat

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 09:08
Foto ilustrim

Në qoftë se sheqerparja dhe bakllavaja tradicionale ju duken shumë të vështira për t'u përgatitur, nuk keni pse të vraponi në pastiçerinë e parë në lagje, pasi me pak punë dhe kreativitet mund të realizoni ëmbëlsirën më të mirë të festave të fundvitit. Duararta Linda Fishta ka zjedhur për ju kekun më të shijshëm për këtë fund dhjetori, kekun me salcë portokalli, i cili ka aq sy sa mund të zbukurojë çdo tryezë festive.

Përbërësit për tavë me diametër 22/24 cm të thellë: 225g sheqer, 280g miell, 12g sodë për ëmbëlsira, 1 majë thike kripë, 130ml lëng portokalli I freskët, lëkura 1 + ½ limoni bio e grirë në rende, lëkura 1+1/2 portokall bio e grirë në rende, 140ml vaj luledielli, 3 vezë, 100g fara lulëkuqesh.

Për salcën e portokallit: 150ml lëng portokalli I freskët, 150g sheqer, 100ml ujë.

Për zbukurim: sheqer pluhur, 2-3 lugë qumësht dhe fruta pylli sipas dëshirës.

Përgatitja: Ndezim furrën me 170°C.Në një tas të madh hedhim lëngun e portokallit, vajin, vezët, sheqerin, miellin dhe sodën me sitë, kripën, farat e lulëkuqeve, lëkurën e grirë të portokallit dhe të limonit. I përziejmë vetëm pasi t’i kemi hedhur të gjithë përbërësit me rrahësin e vezëve me dorë me shumë energji duke u përpjekur që brumi të marrë sa më shumë ajër sepse kjo do ta bëjë kekun akoma më të butë. Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë e miell për 40 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër.

Për salcën me portokall: Hedhim të gjithë përbërësit në një tenxhere të vogël dhe e vëmë në flake të ulët duke e përzier pa ndërprerje derisa të trashet sipas dëshirës. Kur keku të jetë pjekur, e shpojmë në sipërfaqe me kruajtëse dhëmbësh dhe I hedhim sipër salcën e portokallit pjesëpjesë në mënyrë që ajo të thithet nga keku. Lëmë pak nga salca mënjanë për ta përdorur kur kekun ta përmbysim në pjatë. Pasi të kenë kaluar 20 minuta dhe keku ka thithur të gjithë salcën, e përmbysim mbi pjatën që do ta shërbejmë dhe pasi ta shpojmë përsëri me kruajtëse dhëmbësh e lagim me salcën që na ka mbetur. Nëse dëshironi mund të përgatitni glase të bardhë duke përzier 2-3 lugë qumësht me sheqer pluhur. Këtë të fundit do ta shtoni pjesë-pjesë derisa të keni trashësinë e dëshiruar. Përpiquni ta bëni pak të trashë pasi krijon kontrast me frutat sipër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat