Babka ose bukë e mbushur me çokollatë nga duart e Esmeraldës

Ushqime

Babka ose bukë e mbushur me çokollatë nga duart e Esmeraldës

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Quhet babka dhe e ka origjinën nga komunitetet hebre në Poloni, Rusi dhe Ukrainë. Është shumë popullore dhe në Izrael. Çokollata si mbushje, që në fakt i shkon shumë, është shtuar nga mesi i shekullit të '20 në Amerikë. Deri atëherë, mbushja ka qenë me sheqer e kanellë ose ndonjë reçel. Babka si fjalë e ka origjinën nga fjala gjyshe sepse dikur piqej me formën pala pala si fundet e gjysheve.

Për brumin:
- 2 filxhanë çaji miell + 1 lugë gjelle ( rreth 280 gr miell)
- 1 lugë e vogël maja për bukë = 3 gr
- gjysmë çaji kripë ose 3 gr
- 3 lugë gjelle sheqer ose 45 gr
- 1 vezë mesatare
- 1 çerek filxhan çaji vaj = 50 gr - ose gjalpë i shkrirë
- 1 çerek filxhan çaji ujë dhe 1 çerek filxhan çaji qumësht i vakët

Për mbushjen:
- 100 g çokollatë me 50% kakao e prerë në copa
- 100 ml panna për gatim = gjysmë kuti e vogël
- gjysmë lugë çaji kanellë

Për shurupin:
- 50 ml ujë
- 50 g sheqer

Përgatitja: Zëmë brumin (me dorë ose me mikser) dhe e lemë të vijë sa të dyfishohet në vëllim (2 orë). Ndërkohë që majaja bën punën e saj, nxehim deri në prag vlimi panën. E heqim nga zjarri dhe shtojmë copat e çokollatës. Përziejmë sa të shkrijë. Shtojmë dhe kanellën. Kur brumi ka ardhur, lyejmë tavolinën e punës me pak vaj. E hapim me hollues në formë drejtkëndëshi dhe shpërndajmë mbi të mbushjen, duke lënë bosh pak pjesë anash. E bëjmë role. E presim në mes dhe thurim dy pjesët. E vendosim në tepsi mbi letrën për pjekje, me anët me çokollatë lart. E lemë të vije përsëri për 40 minuta. Nxehim furrën në 185-190 gradë me ventilim. E pjekim për rreth 30 minuta. Kur e nxjerrim nga furra, bëjmë disa vrima me një thikë ose shkop shishqebapi dhe lyejmë me furçë me shurupin derisa të mbarohet. Shurupi i jep shkëlqim dhe e mban më të butë. Presim të ftohet të paktën 30 minuta dhe e shijojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat