Samir Mane i ftuar nga Universiteti i Vlorës: Turizmi do të jetë thelbësor për zhvillimin ekonomik

Vlora

Samir Mane i ftuar nga Universiteti i Vlorës: Turizmi do të jetë thelbësor për zhvillimin ekonomik

Më: 3 maj 2024 Në ora: 16:59
Foto nga vendi i ngjarjes

Turizmi u shndërrua në temën qendrore të bashkëbisedimit të Presidentit të Grupit BALFIN, Samir Mane, i ftuar në bisedë të hapur nga studentët e Universitetit Ismail Qemali në Vlorë. Të nisur natyrshëm nga pozita gjeografike, të rinjtë kërkuan këndvështrimin e themeluesit të një prej grupeve më të mëdha investuese, në lidhje faktorët që do sillnin rritjen ekonomike të qytetit të tyre.

Rreth dyqind studentë patën një dialog në mjediset e Rektoratit të Universitetit me Presidentin e Grupit BALFIN, gjatë të cilit ai ndau me të pranishmit përpjekjet e veta përgjatë 30 viteve për të arritur tek mundësitë që ka sot për kontribut në ekonomi dhe shoqëri. Samir Mane i këshilloi studentët ta konsiderojnë turizmin si sektorin që do marrë peshë edhe më të madhe në ekonominë e vendit dhe të rajonit. Ai shtoi se “duhen gjetur mënyrat për t’i orientuar studimet dhe punësimet drejt industrisë së turizmit. Profesionistët që përgatiten sot duhet të udhëheqin turizmin në Shqipëri e më tej dhe Grupi BALFIN do t’i ndihmojë me të gjithë ekspertizën e grumbulluar në këtë industri”.

Të rinjtë treguan se ishin të gatshëm që të fillojnë zbatimin e njohurive akademike në projekte konkrete dhe këtë mund ta realizojnë edhe nëpërmjet hapësira që u krijojnë kompanitë e Grupit BALFIN. Me aktivitet në disa industri dhe në 11 vende të ndryshme, këto kompani i janë bashkuar programit B4Students, i cili bën që të rinjtë të njihen me tregun e punës dhe më pas të bëhen pjesë e rëndësishme e tij.

“Me Fondacionin Mane dhe programin e specializuar B4Students tashmë kemi filluar t’i shërbejmë sistemit arsimor dhe të rinjve në zhvllimin e tyre personal dhe profesional” shtoi Samir Mane, duke i ftuar studentët të bëhen pjesë e mundësive që ofrojnë kompanitë e Grupit BALFIN.

Rektori i Universitetit Ismail Qemali, prof.Roland Zisi, shprehu kënaqësinë e vendosjes së një bashkëpunimi shumëplanësh mes universitetit që ai drejton dhe Grupi BALFIN. Nëpërmjet marrëveshjes së bashkëpunimit me Universitetin Ismail Qemali në Vlorë, Grupi BALFIN angazhohet të kontribuojë me praktika profesionale për studentët, bursa studimi dhe investime infrastrukturore.

Rektori i Universitetit, profesor Zisi, i dorëzoi Presidentit të Grupit BALFIN, Samir Mane, emblemën simbolike të universitetit në shenjë vlerësimi si model i njeriut të suksesshëm në biznes që përputhet me filozofinë e universitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat