“Kam qenë 3-4 muaj në depression”, Majlinda rrëfen vështirësitë në karrierë

Xhudo

“Kam qenë 3-4 muaj në depression”, Majlinda rrëfen vështirësitë në karrierë

Më: 8 prill 2023 Në ora: 15:19
Majlinda Kelmend

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot episodin e parë të Podcast-it “Flasim”. Në bisedë, Rama ftoi shtatë kampionët e sportit, Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Kampionët e ftuar rrëfyen rrugëtimet e tyre deri te suksesi, ndërsa gjatë fjalimit të Majlinda Kelmendit, e arta olimpike tregoi për ofertat milionëshe që i kishte pasur për të përfaqësuar shtete të huaja, por se nuk do ia kishte falur vetes nëse medalja e saj olimpike do shkonte për një shtet tjetër dhe jo në Kosovë.

Kelmendi: Kam marrë oferta milionëshe nga shtetet e tjera

“Unë jam një ndër ato sportistët që ka marrë oferta milionëshe nga shtetet e tjera për t’i përfaqësuar... Gjatë kohës kur mua më kanë ardhur ato oferta prej shteteve të tjera, realisht familja ime ka qenë në situatë shumë të vështirë ekonomike dhe nuk kam qenë shumë e sigurt nëse vendimi është i duhur ose jo që të refuzoja ato oferta... Gjithmonë e them dhe potencoj që nuk ia kisha falur asnjëherë vetes nëse medalja ime olimpike kishte shkuar për një shtet tjetër e jo për Kosovën. E kam pasur ëndërr gjithmonë që medaljen olimpike për gjithë shqiptarët të isha unë ajo që do e sillja, jam e lumtur që kjo ëndërr e imja është bërë realitet”, tha Kelmendi.

Më tej, Kelmendi tha se ka pasur probleme gjatë karrierës së saj më shumë se gjithë sportistët e tjerë. Në moshën 18 vjeçare, Majlinda ishte kampione evropiane dhe botërore, ndërsa pastaj fitoi normën olimpike, dhe nuk i ishte lejuar të marr pjesë në lojëra olimpike për Kosovën.

Kelmendi tha gjatë një periudhe të gjatë të karrierës i ka pasur dyert e mbyllura, pothuajse në të gjitha anët.

Pastaj, në vitin 2013 Kelmendi ishte bërë kampione botërore dhe pavarësisht kësaj, nëpër gara ndërkombëtare e kampionate evropiane e botërore nuk i ishte lejuar të marr pjesë për Kosovën. Por, Majlinda tha se është shumë me fat që është prej një qyteti të vogël siç është Peja, ku e kishte takuar Tonin, trajnerin kosovar të xhudos, i cili derisa ishte bërë ajo kampione botërore në vitin 2013, gjithçka kishte funksionuar me mjete vetanake.

Kelmendi: Plot 10, 12 vite kemi qenë unë dhe Toni kundër krejt botës

“Ne kemi qenë me fat që Toni dhe familja e tij kanë pasur punë të mirë financiarisht dhe ata kanë paguar gjithçka për ne, si gara, përgatitje e gjithçka tjetër. Mirëpo, deri në vitin 2013 ka qenë shumë e vështirë për Tonin. Ka qenë trajner, ka qenë menaxher, ka qenë psikolog, ka qenë gjithçka që është e mundur edhe shumë shpesh ka ndodhur që jo që nuk e kanë përkrahur, por kanë ditur t’i nxjerrin telashe, probleme. Kështu që, ne nuk jemi ndalur asnjëherë. Mund të them që për plot 10, 12 vite realisht, kemi qenë unë edhe Toni kundër krejt botës. Pavarësisht sesa na kanë injoruar, na kanë neglizhuar, nuk na kanë lejuar të marrim pjesë, në momente të tilla jemi bërë shumë të fortë”, tha Kelmendi.

E arta olimpike e Rio 2016 vazhdoi të rrëfente rrugëtimin e saj, ku edhe kishte mesazh për të rinjtë, duke thënë se ajo e Distria Krasniqi kanë arritur të kalojnë 1 milionë probleme, për të arritur suksesin që e kanë, e sot është bërë më e lehtë për sportistët, pasi që të paktën kur nisesh të shkosh në garë nuk të thonë “Hej, ku je nisur. Nuk mundesh të përfaqësosh Kosovën ose Shqipërinë”. Kelmendi tha se sportistët tani nuk janë të përfshirë në probleme politike siç ka qenë ajo në momente të caktuara padashje, pasi që pavarësisht se ishte sportiste, Majlindën e detyruan dhe e vendosën në binarë politikë.

Ndërkaq, Kelmendi tha se kushtet e tanishme për tu stërvitur janë tejet më të mira se ato që kishte pasur ajo.

Kelmendi: Jemi stërvitur në temperatura -10, -15 me rroba 2-3 kilogramë në trup

“Ne jemi stërvitur në një sallë ku ka qenë temperatura -10, -15 dimrit, me rroba ndoshta 2-3 kg në trup na është dashur të stërvitemi. Sot nuk e vëren salla është dimër apo është verë edhe gjithçka është shumë më e lehtë, thjesht duhet pasur vetëbesim, përkushtim dhe punë”, tha Kelmendi.

Si në gjithçka tjetër në jetë dhe në sport, sigurisht që ka batica dhe zbatica dhe është shumë e vështirë t’i përballosh se në çdo profesion tjetër, e kështu ishte edhe për Majlindën.

Sipas Kelmendit, sporti në një farë forme është punë fizike, harxhon shumë energji, të merr shumë kohë edhe pse ndoshta duket e lehtë. Pas humbjes së saj në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012, Kelmendi tregoi se kishte qenë në depresion për afro 3-4 muaj.

Kelmendi: Kam qenë 3-4 muaj në depresion

“Unë për vete e kam pasur një periudhë shumë të vështirë pas lojërave olimpike të Londrës 2012 dhe kam pësuar disfatë dhe kam fituar vetëm një ndeshje, pastaj ndeshjen e dytë e kam humbur me një garuese që nuk ka qenë as 50% e imja. Dhe pas lojërave olimpike të Londrës kam pasur një periudhë shumë të vështirë diku rreth 3-4 muaj kam qenë në një lloj depresioni e çdo ditë e çdo natë më ka shkuar në mend të tërhiqem, nuk jam e mirë, nuk ia vlen dhe kam pasur komente të këqija prej njerëzve.

Kelmendi shtoi se para Lojërave Olimpike njerëzit e kishin trajtuar si heroinë, ndërsa kur ishte kthyer pa fitore, kishte pasur trajtime prej më të këqijave nga njerëzit.

Kelmendi: 3 muaj isha në një periudhë të errët, kam pasur komente prej më të këqijave

“Deri sa shkova në lojërat olimpike më kanë trajtuar si heroinë, si mbretëreshë, si këtu, si në Kosovë, kur jam kthyer ka pasur komente e trajtime prej më të këqijave. Kështu që 3 muaj kam qenë në një mund të them periudhë të errët, deri sa një ditë thjesht kam vendos të filloj gjithçka nga e para. Thjesht të shijoj karrierën time dhe kam bindur veten që më së shumti kam përgjegjësi ndaj trajnerit tim, të tjerët i kam lënë të gjithë anash. E që në momentin që kam filluar të mendoj kështu, gjithçka ka shkuar më së miri”, tha Kelmendi.

Pas Majlinda Kelmendit, radha e rrëfimit ishte për Distria Krasniqin, e cila sfidën më të rëndë të karrierës e cilësoi humbjen e kilogramëve. Krasniqi tha se kishte pasur probleme me kilogramët, pasi që prej një shteti lejohet të përfaqësohet vetëm 1 në 1 kategori, dhe se ajo e Majlinda ishin në të njëjtën kategori, gjë kjo që çoi në humbjen e 11 kilogramëve për të artën olimpike.

Krasniqi: Kam pasur probleme me kilogramët, duhej nga 59 të zbrisja në 48 kilogramë

“Kjo për mua ka qenë sfida më e rëndë, për të zbritur kilogramët. Unë në atë kohë peshoja diku 59 kilogram dhe duhet të garoja në 48 kilogram”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, në fund fjalën morri edhe Nora Gjakova, e cila tha se vështirësitë që kishte pasur gjatë karrierës me lëndime e kanë bërë atë më të fortë. Po ashtu, Gjakova tha se nuk e ka menduar ndonjëherë ta lë sportin, pasi që e sheh si sfidë që duhet të kalohet për shkak të përkushtimit që e tregon vazhdimisht.

Gjakova: Kam pasur lëndime, tre operime, nuk më ka shkuar mendja ta lë sportin

“Normal që gjatë karrierës kam pasur lëndime, kam pasur tre operime por sa herë kam dalë përballë një sfidë e kam menduar që nëse e kaloj vazhdoj merrem me sport dhe jam për sportin e xhudos dhe nëse më shkon mendja ta lë kam thënë që duhet ta ndërpres e të mos vazhdoj, mos të tregohem e fortë. Nuk është ndonjë moment që më ka shkuar mendja ta lë sportin sepse gjithmonë e kam parë sfiduese dhe kam dashur ta kaloj këtë sfidë dhe gjithmonë më ka ardhur keq për vitet që kam kaluar në sport dhe përkushtimin që kam pasur. Kështu që sa herë ndoshta pak më ka shkuar mendja, kam thënë që kam disa vite në sport e nuk është e drejtë”, tha Gjakova.

Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova së fundmi morën gradën kolonel në Ushtrinë Shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat