​Ballkaniku i Xhudos në Pejë, Kuka: Jemi gati, pres katër medalje të arta

Xhudo

​Ballkaniku i Xhudos në Pejë, Kuka: Jemi gati, pres katër medalje të arta

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 09:31
Driton Kuka

Këtë fundjavë, më 2 dhe 3 shtator, në sallën e sporteve, 'Karagaç" në Pejë, do të mbahet Kampionati Ballkanik i Xhudos-Seniors & Mix Teams, në gara individuale dhe ekipore.

Mbi 120 garues nga 10 shtete do të zbarkojnë në Pejë, për të marrë pjesë në një garë mjaftë interesante, e cila i paraprinë Kampionatit Evropian të xhudos që do të mbahet poashtu në Kosovë në muajin dhjetor të këtij viti.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, thotë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë kampionat, edhe pse pranon se ishte mjaftë sfiduese të organizohet një ngjarje kaq madhore.

Kuka: Jemi gati për spektaklin e xhudos në Pejë

“Faktikisht është një garë e parë zyrtare që mbahet në Kosovë, në sportin e xhudos, një lloj testimi për Kampionatin Evropian që do ta mbajmë në muajin dhjetor. Përgatitjet jemi duke i bërë, është sfidë e veçantë për organizim, sidomos për shkak të teknologjisë, sepse në sportin e xhudos gjithçka ka avancuar jashtëzakonisht shumë dhe janë disa kushte që duhen plotësuar, por besoj që do të dalë gjithçka mirë, ekipi është përgatitur mirë, kështu që po shpresoj që në këtë fundjavë në qytetin e Pejës, qytetin e tri kampioneve olimpike dhe shumë medaljeve të tjera evropiane e botërore, do të ketë një ngjarje të bukur në sportin e xhudos.”, tha Kuka.

Përtej anës sportive, Kuka thotë se një tjetër sfidë në përgatitjet e këtij kampionati ishte edhe akomodimi i mysafirëve sepse janë dhjetë shtete që do të vijnë me më tepër se 120 garues në Kosovë.

Kuka: Akomodimi i mysafirëve është sfidë para kësaj gare

“Faktikisht edhe akomodimi është sfidë për gara të tilla, meqenëse kemi vendosur ta mbajmë në Pejë, por besoj që gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Priten më shumë se 120 garues të marrin pjesë, nëntë ose dhjetë shtete do të vijnë. Normalisht numri është aq sa marrin pjesë në gara të tilla të Kampionatit Ballkanik, dihet që ndonjëherë ndodh që ata top garuesit nuk marrin pjesë , sikur ne që nuk marrim pjesë me këta. Kësaj radhe Kosova do të marrë pjesë edhe me ekipin olimpik që është shumë me rëndësi për ne”, theksoi Kuka.

Kuka shprehet tejet optimistë në lidhje me xhudistët nga Kosova që do të garojnë në këtë kampionat. Ai thotë se nga ata pret tri deri në katër medalje të arta

Kuka: Kosova synon katër medalje të arta në Kampionatin Ballkanik

“Po besoj që së paku tri apo katër medalje të arta i presim prej ekipit tonë, besoj ndoshta edhe më shumë, por të shohim, kjo është ajo që besoj se nuk di t’ia huqim kësaj radhe. Ekipet e Turqisë, Bosnjës, Malit të Zi, Rumanisë do të vijnë me përbërje të plotë, edhe ekipet tjera. Kështu që kur të merret parasysh që një ekip i fuqishëm si Turqia që pothuajse në çdo kategori do t’i ketë tre apo katër garues, kjo flet vet që do të jetë një ngjarje e rëndësishme e sportit të xhudos dhe po besoj që ekipi ynë do të jetë në nivel të tyre.”, deklaroi Kuka.

Tutje Kuka kishte edhe kritikat për disa federata sportive në Kosovë. Sipas tij, mungesa e rezultateve në arenën ndërkombëtare është tregues i qartë se nuk po punohet me seriozitetin e duhur në shumë federata. Ai ka thënë Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Sllovenisë, një shtet që po arrin rezultate kulminante në shumë sporte.

Kuka: Federatat të punojnë më shumë për të pasur rezultate pozitive

“Unë mendoj që sporti i Kosovës ka nevojë për vlera, sporti i Kosovës ka nevojë për rezultate të rëndësishme. Jemi një vit para Lojërave Olimpike, ajo që do të doja unë është që të gjitha sportet, të gjitha federatat të mobilizohen në mënyrë që në Lojërat Olimpike në Paris të kemi përfaqësues me normë olimpike nga më shumë sporte dhe ky ishte mesazhi në mënyrë që të punohet më shumë, të punohet më seriozisht dhe jo të kënaqemi me ngjarje të cilat në fakt nuk janë vlera të vërteta në sport siç janë disa sporte të cilat më shumë merren me shou ose me hobi se sa me sport të vërtet. Kur po vijnë Lojërat Olimpike ose lojërat e fuqishme si kampionatet evropiane e botërore për të rritur, atu ku maten rezultatet kulminante, pothuajse në qetësi po i tejkalojnë shumë federata, ndoshta edhe pa dërguar garues fare. Kështu që ky është një mesazh për të gjithë komunitetin sportiv që të punojnë më shumë në mënyrë që Kosova ta ndjekë shembullin e një shteti të vogël siç është Sllovenia që edhe ata i kanë rreth 2 milionë banorë, por me të vërtetë pothuajse në çdo sport kanë rezultate kulminante. Kështu që do të dëshiroja që edhe Kosova një ditë ta arrijë nivelin e tillë”, theksoi Kuka.

Ndryshe, deri më tani, nga pjesëmarrjet në garat ndërkombëtare, janë pesë xhudistë që kanë arritur normën olimpike që cila ua garanton pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike që mbahen në Paris në vitin 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat