Kelmendi: Si trajnere po i shijoj më shumë sukseset e xhudos

Xhudo

Kelmendi: Si trajnere po i shijoj më shumë sukseset e xhudos

Më: 4 shtator 2023 Në ora: 10:38
Majlinda Kelmendi

Majlinda Kelmendi ka filluar të jap rezultate impresionuese tashmë edhe si trajnere e xhudos.

Nën drejtimin e saj dhe të Driton Kukës, xhudistët kosovarë fituar tetë medalje të arta individuale si dhe u shpallën kampion ballkanik në garën ekipore.

Këto suksese Kelmendi tha për KosovaPress se ishin duke i pritur, por që edhe u befasuan nga disa prej xhudistëve të rinj.

Kelmendi: Nga xhudo po dalin emra të rinj shumë premtues

“Realisht për ditën e djeshme, në gara individuale, ka shkuar më mirë se sa e kemi pritur. Sigurisht qe prej Lorianës, Akilit, Distrisë kemi pritur medalje të arta, mirëpo Muhamedin Veseli edhe Dion Sharapolli na kanë befasuar për të mirë, kjo tregon që në xhudon e Kosovës do të dalin në të ardhmen edhe emra të rinj. Kështu që në përgjithësi ka shkuar jashtëzakonisht mirë. Jemi kënaqur, garat ekipore në përgjithësi janë me adrenalinë, shumë interesant, kështu që ka qenë atmosferë jashtëzakonisht e mirë, garuesit kanë qenë jashtëzakonisht të motivuar”, tha Kelmendi.

Ajo shtoi se garuesit u motivuan shumë nga fakti se kjo garë u zhvillua në Kosovë, e posaqërisht në qytetin e Pejës.

Kelmendi: Epiteti i vendasit i motivoi xhudistët tanë

“Sigurisht që po, nëse Kampionati Ballkanik do të ishte mbajtur në ndonjë shtet tjetër jam e sigurt që asnjëri prej garuesve nuk do të kishte shprehur vullnet të marrë pjesë, por, përderisa është mbajtur në Kosovë, në qytetin tonë, në qytetin e Pejës, secili ka qenë i gatshëm të marrë pjesë për vet faktin që ndoshta janë familjarët këtu, janë bashkëqytetarët, kështu që me kënaqësi kanë marrë pjesë.”, thekso Kelmendi.

Tutje, Kelmendi theksoi se tani do të përgatiten për Kampionatin Evropian të xhudos që zhvillohet po ashtu në Kosovë në muajin dhjetor dhe se aty synojnë suksese të tjera.

Kelmendi: Tani synojmë suksese edhe në Kampionatin Evropian

“Po besoj që po, jemi duke punuar intensivisht, jemi duke u përgatitur në maksimum edhe Kampionati Evropian do të jetë jashtëzakonisht i fortë. Presim shumë më shumë njerëz të vijnë, ta shohin garën, do të jetë shumë interesant, do të marrin pjesë yjet botërore, kështu që po besojmë që do të kemi sukses edhe atje.”, shtoi më tutje ish-kampionia olimpike.

Ajo thekson se për dallim nga koha kur garonte dhe e kishte presionin e fitimit të medaljeve, tani si trajnere po e shijon shumë më shumë këtë sport.

Kelmendi: Si trajnere po i shijojë më shumë sukseset

“Sigurisht që po, po e shijoj në maksimum. Si garuese kam pasur shumë stres, shumë ngarkesë dhe presion, ndoshta për vet faktin që të gjithë shqiptarët presin që Majlinda të jetë e para, kështu që tani si trajnerë po e shijojë shumë më shumë.”, tha në fund ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat