Dëbimi i mundshëm nga Zvicra, edhe pas disa dekadave qëndrim! - Bota Sot
Dëbimi i mundshëm nga Zvicra, edhe pas disa dekadave qëndrim!

Zvicra

Dëbimi i mundshëm nga Zvicra, edhe pas disa dekadave qëndrim!

Nga: Lirim Begzati Më: 7 tetor 2019 Në ora: 09:27
Lirim Begzati

Nëse dëgjohet se dëbimi nga territori zviceran është shqiptuar kundrejt një personi që ka kaluar dekada të tëra, bile edhe gati tërë jetën e tij në këtë shtet, asgjë nuk ka të befasishme nga e gjithë kjo! Ekziston një rregull ligjore vërtetë shumë e ashpër e cila e parashikon këtë.

Bazën ligjore të masës së dëbimit e gjejmë posaçërisht në Kodin penal zviceran (neni 63a). Kjo dispozitë përmban një listë të gjerë të shkeljeve ligjore të cilat i’a hapin rrugën një gjykate që t’a shqiptoi një masë të tillë.

Dispozita në fjalë, së paku në shikim të parë, duket vërtetë jashtëzakonisht e ashpër, pasi që thuhet se masa e dëbimit do të shqiptohet, pa marrë parasysh lartësinë e dënimit, duke përdorur edhe termin “dëbim i detyrueshëm” (nëse bëhet njëra nga shkeljet sipas “listës” së nenit të përmendur).

Kuptohet se aty ceken veprat e rënda penale, siç janë vrasjet, lëndimet e rënda trupore, trafiku me lëndë narkotike, vjedhjet e rënda, keqpërdorimet e rënda apo vjedhjet në lëmin e sigurimeve shoqërore ose në ndihmat sociale, trafiku me qenie njerëzore, dhunimet, pjesëmarrja në organizata kriminale, ....por edhe disa dhjetëra vepra të cilat i takojnë natyrisht regjistrit të veprave të rënda ...

Mirëpo, një paragraf i po të njëjtit nenë e relativizon disi ashpërsinë e kësaj rregulle, duke precizuar se masa e dëbimit mundet që të mos shqiptohet, në qoftë se i huaj, si pasojë e kësaj mase, do të vihet në një situatë jashtëzakonisht të vështirë personale dhe nëse interesi publik nuk do të ishte i një niveli më të lartë se sa interesi personal i të huajt që të vazhdojë të qëndrojë në Zvicër.

Analizohen pra paralelisht dy aspekte të rëndësishëm: interesi publik (apo i shtetit) dhe rrethanat personale të jashtëzakonshme të individit që i kanoset dëbimit. Një definim ky i mirëfilltë juridik, por edhe kompleks, i cili hapë një fushë të gjerë interpretimi për atë se çka nënkupton realisht e gjithë kjo!

Vështirë të gjendet një praktikë uniforme e aplikimit të vendimeve në këtë lëmi. Megjithatë, ajo që vërehet në praktikat e sotme gjyqësore të kantoneve të ndryshme, tregon se:

Dispozita e përmendur iu akordon një fushe të lirë veprimi gjykatësve që t’a shqiptojnë apo jo masën e dëbimit. Kjo nënkupton se në kuadër të shqyrtimit të një çështje, deri diku të ngjashme, nëse një gjykatës merr vendimin e dëbimit, kjo nuk domethënë se vlen për ndonjë gjykatës tjetër i cili ndoshta do të tregoj një qëndrim sadopak më të butë;

Në kantonet e ndryshme zvicerane, në sistemet e tyre gjyqësore, nuk mund të themi se tek të gjitha kantonet i gjejmë po të njëjtat praktika profesionale në fushën e dëbimeve; vlerësohet nganjëherë se ekzistojnë pra kantone që tregohen më të ashpra se sa disa të tjera:

Në përgjithësi, përveç analizës së thuktë të veprës së kryer, faktorët tjerë më të rëndësishëm që analizohen dhe që çojnë peshë në atë se a do të shqiptohet apo jo dëbimi janë posaçërisht këto si vijojnë: gjendja familjare e personit (i martuar apo jo, a ka fëmijë të mitur, etj.), duke analizuar në përgjithësi edhe lidhshmërinë e tij me Zvicrën, e ndërkohë edhe raporti me vendin e origjinës (ku shtrohet edhe pyetja se sa janë gjasat për ri-integrim në vendin e tij).

Analizohen edhe aspektet mbi integrimin profesional në shoqërinë zvicerane; duke e shqyrtuar posaçërisht atë se, personi që rrezikon dëbimin, a ka punuar rregullisht dhe se a është varur brenda një kohe të gjatë nga ndihmat sociale, por edhe ajo se a i ka borxhe shtetit.

Ajo që nuk i “shpëton” disa individë nga masat e dëbimit lidhet sidomos me atë se a gjendemi përballë një personi që veç ka kryer më herët vepra të tjera penale të ngjashme, a është pra recidivist.

Nëse bëjmë një dallim në mes të statusit të kategorive të ndryshme të të huajve karshi dispozitave të sipërpërmendura, atëherë mund të thuhet se ato aplikohen pavarësisht nga origjina e personave që janë objekt dëbimi. Marrëveshjet bilaterale që Zvicra i ka me shtetet e Bashkësisë evropiane nuk paraqesin ndonjë pengesë që shtetasi evropian të dëbohet.

Mirëpo, duhet pranuar atë se një person që vjen nga shtetet jashtë Bashkësisë evropiane (siç janë edhe vendet tona ballkanike) rrezikon më lehtë dëbimin se sa të tjetër. Kjo sqarohet posaçërisht me faktin se ndaj kësaj kategorie aplikohet edhe Ligji për të huaj dhe integrim i cili, vetëm si i tillë, pa mos iu referuar ndonjë dispozite ligjore penale, mund të mjaftojë nganjëherë që të shqiptohet masa e dëbimit. Rikujtojmë se ky ligj nuk aplikohet për shtetasit që vijnë nga shtetet e Bashkësisë evropiane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...