6 çështjet më të rëndësishme që duhet ditur për Ligjin e ri zviceran për të huajt dhe integrim - Bota Sot
6 çështjet më të rëndësishme që duhet ditur për Ligjin e ri zviceran për të huajt dhe integrim

Zvicra

6 çështjet më të rëndësishme që duhet ditur për Ligjin e ri zviceran për të huajt dhe integrim

Nga: Lirim Begzati Më: 12 janar 2020 Në ora: 17:11
Lirim Begzati

1. Ashtu si edhe në të kaluarën, ligji i ri aplikohet vetëm ndaj personave të huaj, që vijnë nga shtetet e quajtura të “treta” (që nuk janë pra anëtarë të BE) ku bëjnë pjesë edhe disa shtete ballkanike. Ai nuk aplikohet ndaj personave që janë bartës të një pasaporte evropiane. Këto të fundit iu nënshtrohen rregullave që figurojnë në marrëveshjet bilaterale që e lidhin Zvicrën me Evropën, rregulla këto që kanë shumë pakë pikëtakime me ato të ligjit për huajt.

2. Kushtet për transformimin e lejes së qëndrimit B në C janë vështirësuar dukshëm, kurse humbja e një leje mund të ndodhë shumë më shpejt se sa në të kaluarën. Për shembull, një varshmërie gjatë (dhe e paarsyeshme) nga ndihmat sociale mund të çojnë deri te humbja e lejes së qëndrimit! Edhe për realizmin e të drejtës për bashkim familjar zbatohen kushte më të ashpra.

3. Një theks i veçantëpërqendrohet në nivelin e njohjeve gjuhësore. Jo vetëm se kërkohet një shkallë e ngritur e zotërimit të gjuhës së vendit, por kësaj çështje i jepet gati se epiteti i një sinonimi për integrim në shoqëri. Përveç se kërkohet një nivel i mirë gojor, është shtuar edhe rëndësia e njohjeve gjuhësore me shkrim. Gjë kjo që kërkohej shumë pakë në të kaluarën.

4. Janë zgjeruar kompetencat e shërbimeve që merren me çështje të migracionit. Për trajtimin e dosjes së një kandidati, autoritetet vendimmarrëse kanë të drejtë të kërkojnë informata nga shërbime të ndryshme shtetërore, bile edhe informata të interpretuara nganjëherë si të karakterit privat.

5. Edhe pse ky ligj federal mbulon tërë territorin zviceran, kantonet e ndryshme gëzojnë një liri të gjerë veprimi në kuadër të interpretimit të një rregulle. Çdo kanton i definon kushtet dhe rregullat e aplikimit praktik të ligjit. Shumë shpejt, dallimet kanë filluar të ndjehen në mes kantoneve. Disa janë shumë të ashpra se sa të tjerat.

6. Në këndvështrimin juridik, disa rregulla të tij duken diskutabile, nëse iu referohemi rregullave që kanë të bëjnë me parimin e respektimit të sferës private e familjare, sipas nenit 8 të Konventës evropiane për të drejtat e njeriut. E ardhmja do të na tregoi se a do të kalojnë pa telashe ca rregulla të ligjit! Një përgjigje lidhur me ketë, mund të kemi vetëm në kuadër të një procedure ankesore deri në instancat më të larta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat