Varshmëria nga ndihmat sociale në këto kohëra dhe pasojat për lejen e qëndrimit

Zvicra

Varshmëria nga ndihmat sociale në këto kohëra dhe pasojat për lejen e qëndrimit

Nga: Lirim Begzati Më: 5 prill 2021 Në ora: 11:22
Lirim Begzati

Ligji i ri zviceran për të huajt i vitit 2019, nuk e anashkaloi një rregull që ka të bëjë me imponimin e disa kushteve që ndërlidhen me të drejtën e lejes së qëndrimit në raste të varshmërisë nga ndihmat sociale.

Ky ligj nuk jep megjithatë sqarime të mjaftueshme për me e kuptuar ashtu siç duhet se, konkretisht, cilat raste të varshmërisë nga ndihmat e shtetit çojnë deri te humbja apo kufizimi i një të drejte në fushën e lejeve të qëndrimit.

Aty definohet një rregull parimore e cila fokusohet posaçërisht në kriteret e përgjithësuara që e potencojnë “varshmërinë brenda një kohe të gjatë” dhe “marrjen e një shume të lartë ndihmash nga shteti”, rregulla këto që shkaktojnë ca kokëçarje në këndvështrimin juridik.

Kjo nënkupton atë se ligji për të huajt nuk është aq i “përgatitur” për me dhënë përgjigje të qarta për këso situatash. Mirëpo, nuk mund të thuhet edhe ajo se në ligjin në fjalë nuk parashikohen rregulla për mbrojtje në raste specifike.

Kështu që, autoritetet që i marrin vendimet, janë ato të cilat duhet të vlerësojnë lirshëm se në cilat raste arsyetohet që dikujt t’i refuzohet kjo e drejtë (p.sh., kalimi nga leja B në C) apo të vendoset për mos vazhdimin e një leje ekzistuese dhe për dëbimin nga Zvicra (p.sh., për personat që e posedojnë lejen B).

Si pasojë e ndryshimeve ligjore, një sërë shembujsh tregojnë se janë të shumtë ata të huaj që frikësohen t’i drejtohen shtetit për me kërkuar ndihmë sociale, me arsyen që të mos rrezikojnë humbjen e një statusi të qëndrimit.

Pyetja legjitime është pra se a ka vend për një frik të tillë?

Sipas një reflektimi logjik, dhe marrë parasysh situatën e tanishme, nëse gjendemi përballë një domosdoshmërie vërtetë të kuptueshme për kërkim ndihme nga shteti (p.sh. për arsye të humbjes së vendit të punës, pamundësia e sigurimit të ardhurave nga burime të tjera), atëherë nuk dyshohet se kjo e drejtë duhet me u kërkuar.

Janë ligjet zvicerane ata të cilat e parashikojnë një të drejt të tillë. Përveç kësaj, diçka është e sigurt se, autoritetet vendimmarrëse janë të detyruara t’a marrin parasysh gjendjen e krijuar, bile duke i zbutur ndërkohë disa kritere të tyre për shmangien e “penalizimeve” ndaj personave që varen përkohësisht nga ndihmat.

Mirëpo, i’a vlen të ceket edhe ajo se e gjithë kjo n’varet prapëseprapë nga rasti në rast. Kësisoj, është jashtëzakonisht vështirë të jepet një përgjigje gjithëpërfshirëse; një analizë kjo që çonë edhe në konkludim se duhet treguar një kujdes të lartë veprimi nëse ballafaqohemi me një situatë të tillë.

Prapëseprapë, në bazë të një vlerësimi tjetër konformë realiteteve aktuale, pasojat e rënda ekonomike që veç ndjehen rëndë në tregun e punës, janë duke shkaktuar detyrimisht rritjen e numrit të personave që n’varen nga ndihmat e shtetit, ku të huajt përbëjnë një përqindje dukshëm të lartë.

Edhe sot e kësaj dite, gjendemi ende pra në një rrugë e cila çonë në drejtim të disa sfidave të panjohura. Në fakt, vështirë është me iu dhënë përgjigje sidomos dy pyetjeve të tjera vijuese:

Në planin praktik, vallë në çfarë niveli merret parasysh konkretisht gjendja e krijuar dhe pasojat që dalin nga kjo, gjatë shqyrtimit të një dosje që lidhet me lejen e qëndrimit dhe vlerësimit të çështjes së varshmërisë nga ndihmat sociale?

Çfarë qasje tregojnë kantonet e ndryshme zvicerane, sa janë dallimet në mes tyre në kuadër të shqyrtimit të dosjeve të lejeve, pasi që çështja e akordimit të ndihmave sociale është në kompetencë ekskluzivisht kantonale ?

Sipas dëshmive në praktikat tona profesionale, vërehet se gradualisht është duke u treguar një vullnet institucional dhe një praktik interpretimi më i “butë” ndaj të huajve që n’varen nga ndihmat sociale, duke mos iu cenuar tyre disa të drejta themelore të qëndrimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat