Qusaj: Të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e përfaqësuesve të diasporës në ngritjen dhe zhvillimin e atdheut

Zvicra

Qusaj: Të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e përfaqësuesve të diasporës në ngritjen dhe zhvillimin e atdheut

Nga: Dashnim Ebibi Më: 5 korrik 2023 Në ora: 09:18
Pamje nga intervista

'Në vitin 2018, Kompania Novartis ka ndarë çmimin prestigjioz “AWARD Stein Rubin” për kontributin tim në idejimin e një procesi të brendshëm në prodhimin e medikamenteve, proces ky që ndihmoi kompaninë në uljen e çmimit në prodhim. Gati çdo vit nga Kompania Lonza marr mirënjohje për kontributin tim në lehtësimin e prodhimit të medikamenteve', na tha, ndër të tjera, z. Qusaj.

Në fillim të kësaj interviste, do të kujtoj një fjalë të urtë të Winston Churchill: “Kurrë, kurrë, kurrë mos hiqni dorë.” Është e pamundur përmes kësaj hyrjeje të kësaj interviste të them gjithë ate që mësova nga vetë protagonisti i bashkëbisedimit tonë për suksesin që e ka arritur, falë një pune shumë të madhe dhe serioze. Është nder i madh dhe imazh i jashtëzakonshëm kombëtar, që e kemi një personalitet me shumë arritje shkencore në Zvicër. Dita ditës po dëgjojmë arritje të të rinjëve tanë në fusha të ndryshme të dijes, që po lindin e po rriten në mërgim, por arritjet e një bashkëkombasi, që është shkolluar në atdhe dhe për një kohë të shkurtër, ai fiton majat e shkencës, kjo është paksa më e veçant. Krejt e krejt, suksesi nuk falet, por arrihet. Pa e njohur gjuhën gjermane, pa e njohur shtetin mirë ku po shkon, me diploma universiteti, drejtohet një jete të re.

Një jete, që nuk do të dorëzohet kurrë, pavarësisht betejave të jetës, por me rëndësi të fitohet lufta. Lufta fitohet me punë dhe jo me rrahje gjoksi. Duke respektuar ligjin e shtetit zviceran, duke u përkrahur nga bashkëshortja dhe familja në përgjithësi, kërkon dituri vazhdimisht dhe erdhi deri te cili i suksesit, gradohet me gradën më të lartë shkencore. Sa e sa fjalë kam për të thënë për këtë personalitet me plot kuptimin e fjalës, por e pamundur të përshkruhet e gjithë bota e tij jo verbale. Ai na foli pa dorëza, me sinqeritet, sepse nuk vuan nga egoizmi, nga bajraktarizmi, shpalos anën jo verbale të tij dhe na tregon, se si u largua nga atdheu, si erdhi në Zvicër dhe si arriti suksese. Ka kujtime dhe falënderime edhe për prindërit e tij, që e rritën me shumë dashni dhe etikë morale, deri te rrethi ku u rrit dhe fitoi bazën e arsimimit. Falënderues për mësuesit, arsimtarët, profesorët, që kaloi shkollën fillore, të mesmen dhe fakultetin, atje në tokat shqiptare. Çfarë shpirti të bardhë i thoja vetes, kur e dëgjoja duke folur.

Fjalët i dilnin si të qëndisura me copa shpirti. I qetë, me kulturë të të dëgjuari. Respekt të veçant ndaj bashkëbiseduesit. I etur për atdhe. Gjithnjë përmend prindërit, familjen e tij në atdhe e diasporë. Flet me krenari për bashkëshorten e tij, me të cilën së bashku arritën sukseset. Na foli për kujdesin që e bënë bashkëshortja e tij me fëmijët e tij të vegjël. Sa mirënjohës që i është bashkëshortes, sepse po i përgadit fëmijët për jetë të shëndosh. Jeta është e sigurt kur ke bazën e familjes. Sa e sa fjalë të mira mësova gjatë bisedës. Gjatë bashkëbisedës, shikoja orën, sa shpejt që kalonte. Dihet se koha është më e shenjta në këtë jetë dhe shumë e saktë, sepse kjo jetë shumë e shkurt. Kohën, që ia mora doktorit, ndjehesha i mërzitur, pa e harruar kohën time, që djalit tim i pata premtuar për të dalur me biçikleta.

Të kënaqet shpirti kur sheh sukseset e bashkëkombasve tanë. Sot për sot, koha është bërë shumë dinamike, nuk po lexohen tekstet e gjata, ku mendoj, se në ato ka shumë shpirt, sepse nuk e kap syri i kamerës, por syri i shpirtit. Prandaj, ndodh kjo, vetëm në atdheun tonë, nuk kemi gazeta të shtypura dhe flasim për gazetari. Hallakam, kohë tranziconi thojshin disa veprimtarë në një takim para disa javëve, shumë e sakt. Emisione e shkrime pa kurrfarë shije e profesionalizmi, vetëm e vetëm për klikime. Dihet rëndësia apo pesha e medias. Me këtë desha ta godas numrin 10-të, se personalite si ky protagonisti i kësaj interviste na duhen të jenë nëpër media. Rast konkret, se si vihet në diasporë dhe arrinë majat e shkencës. Kjo është më shumë se krenari. Diaspora nuk ka vetëm sportista të mirë. Ka shkenctarë, që krenohen vendet pritëse e në këtë rast Zvicra. Nuk është më diaspora ajo që ka punuar më shumë në punë fizike, por gjithandej kemi intelektual të suksesshëm.

Image
Prof.dr.Ylber Qusaj

Edhe ajo punë fizike ka qenë e ndershme, sepse me djersën e tyre kanë ndihmuar përveç familjen, edhe proçeset që i kemi kaluar si komb, sidomos para luftës, gjatë luftës dhe sot e kësaj dite, Kosova, por edhe tokat tjera shqiptare. Është kjo diasporë, që shkurt e shqip mundet ta quajmë me fakte, se ishte dhe është arteria kryesore e së mirës në atdhe. Sa vështirësi që kishte kur erdhi në Zvicër. Me të ardhur, donte të punonte. Nuk donte të rrinte pa punë, sepse e kishte të trashëguar, sepse vetëm me djersë arrihen të mirat. Kur disa shokëve të punës në fillim, ju tregonte, se ka dëshirë, që një ditë të vazhdoj studimet apo të punoj në profesionin e tij, dikujt ju dukej ëndërr e pa arritshme. Modest, duke ecur për toke, filloi kurset e gjuhës gjermane dhe pas një kohe shumë të shkurtë, arriti të mësoj gjermanishten akademike.

Tash, kishte fituar çelësin e suksesit. Ylberi me shumë besim në vete dhe me arritjet që i kishte fituar në Universitetin e Tetovës, një ditë duke punuar, përnjëherë i vije në mendje një ide për një zbulim në fushën e mjeksisë. Për fat të mirë, sigurisht nga bardhësia e tij shpirtërore, i hapen dyert e suksesit dhe një ditë, arrinë gradën shkencore po me ate ide që e kishte. Puna dhe logjika na dallon nga gjallesat tjera të këtij planeti. Ylberi, përveç se është shkenctarë, ai ishte i kompletuar edhe me etikë, duke ditur të nderoj dhe duke mos rrahur gjoksin, por duke frymëzuar e ndihmuar të gjitha ata që duan të merren me shkencë.

Nuk ka kthim, por vetëm te para! Nuk ka dorëzim, por deri në realizim të projektit! Mundemi dhe e arrijmë! Besim në vete! Përkrahje nga familja! Shumë punë! Respekt maksimal kohës! Për ate kohë, që bashkëbiseduam me Prof.dr.Ylber Qusaj, mora shumë kujtime të mira, por e pamundur të përshkruhen siç ju thash edhe më lart. Shpresoj shumë, se në një të ardhme të afërt, do të kemi përsëri mundësi, të mësojmë edhe më shumë nga sukseset e tija dhe padyshim se është krenaria jonë. Për më shumë të nderuar lexues, do të mësoni në vazhdim nga doktori nga kjo intervistë e gjatë, por reale, nga e cila shpresojmë, se do të mësojmë shumë gjëra, se si arrihen sukseset shumë larg atdheut.

Një biografi me disa fjalë

I doktoruar në Strasburg të Francës për Farmaci dhe i punësuar në gjigandin farmaceutik në Aargau të Zvicrës ku edhe jeton. Prof. Dr. Qusaj është shquar në aktivitetin e tij shkencor, duke u bërë një nga personalitetet më të respektuara shkencore në shtetin helvetik dhe më gjerë. Nga viti 2020 është angazhuar edhe si ligjërues i Lëndës 'Prodhimi i Avancuar i Medikamenteve', Farmaci, në Kolegjin 'Rezonanca' në Prishtinë.

Data e lindjes, vendi, shkollimi

Prof. dr.Ylber Qusaj është i lindur më 05.04.1983 në fshatin Pllajnik të Opojës, Komuna e Dragashit. Pas përfundimit të shkollës së mesme të mjekësisë, viti 2002, një kohë të shkurtër ka punuar si teknik medicinal në fshatin e tij të lindjes. Në Universitetin Shtetëror të Tetovës ka ndjekur studimet për farmaci, të cilat i ka përfunduar me sukses të shkëlqyer në vitin 2007. Gjatë studimeve në Tetovë, Prof. dr. Qusaj shquhet edhe për pjesëmarrje aktive në veprimtari të ndryshme që zhvilloheshin në universitet dhe jashtë tij.

Motivi dhe arsyet për braktisjen e vendlindjes

Image
Prof.dr.Ylber Qusaj

Njohja me bashkudhëtaren e tij të jetës, i dha atij mundësinë që të vazhdojë edhe më tej rrugëtimin drejt zgjerimit të dijes. Pas përfundimit të fakultetit të farmacisë, në fund të vitit 2007, Ylberi emigron në Zvicër, ku jetonte bashkëshortja e tij me familjen e saj.

Vështirësitë e vitit të parë si mërgimtar

Sfida e parë, me të cilën është ballafaquar në këtë mjedis të ri, ishte mësimi i gjuhës gjermane, e cila do t’ia hapte atij shtigjet për vazhdimin e rrugës së shkollimit. Në periudhën 2008-2009, falë vullnetit të çeliktë, kishte arritur t’i kryente disa nivele të mësimit të gjuhës gjermane, të cilën arriti ta zotërojë deri në nivel shkencor. Kjo i hapi atij rrugë që të niste punë në industrinë farmaceutike, për të cilën kishte përgatitjen adekuate shkollore.

Puna e parë në mërgim

Në shtator të vitit 2008, me ndihmën dhe bashkëpunimin e bashkëvendësit Blerim Krasniqi, që ishte edhe si udhëheqës në këtë repart, e filloi praktikën e punës në industrinë farmaceutike Bioforce AG (A. Vogel), Roggwil (TG) ku u angazhua në zhvillimin e medikamenteve në bazë bimore. Kjo e ndihmoi shumë që të integrohej në mjedisin e ri dhe të regjistronte studimet e doktoraturës. Pikërisht kjo kompani i ndihmoi në finalizimin e doktoratës. Në tetor të vitit 2009, i filloi studimet e doktoraturës në Universitetin e Bazelit në Zvicër, ndërsa nga viti 2011-2012 i vazhdoi këto studime në Universitetin e Strasburgut në Francë. Më datë 1 shkurt 2013 mbroi me sukses disertacionin e doktoraturës me temën: “Optimizimi dhe Investigimi i Tabletave Echinacea me Teknologjinë ‘base granulate’”. Doktoratura u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Bazelit, Universitetit të Strasburgut dhe Kompanisë “Bioforce AG” ku kishte zhvilluar pjesën eksperimentale të punimit të doktoraturës.

Malli për atdheun

Duhet theksuar se dr. Qusaj është një kryefamiljar i përkushtuar dhe i lidhur ngushtë edhe me vendlindjen. Çdo pushim, sado i shkurtë që të jetë, bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tij, e kalon në Kosovë dhe viziton të afërmit dhe miqtë e shumtë. Mbi të gjitha te doktori është njerëzorja.

Shteti i Kosovës dhe Shqipërisë duhen të kontribuojnë më tepër që të bartim përvojën zvicerane në atdhe.

Diaspora shqiptare ka dëshmuar që di dhe mundet të organizohet në mbështetje të interesave kombëtare. Sipas jush, cili është niveli i organizimit të saj sot dhe çfarë potenciali kontribues përfaqëson diaspora jonë në ditët e sotme?

Diaspora ka kontribuar për vite të tëra dhe vazhdon të kontribuojë në aspektin financiar dhe kulturor dhe organizativ, por unë mendoj se ne duhet te organizohemi , në kuadër të shteteve tona në Ballkan që mos të varen vetëm nga remitencat, por të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e përfaqësuesve të diasporës në ngritjen dhe zhvillimin e shtetit. Shteti i Kosovës dhe Shqipërisë duhen të kontribuojnë më tepër që të bartim përvojën zvicerane në atdhe. Ka shumë kuadro të kualifikuara në Zvicër që japin kontributin e tyre në këtë shtet, duhet të krijohen me shumë politika dhe mundësi nga shtetet përkatëse që ata këto njohuri ti bartin në shtetin përkatës të tyre. Shumë njerëz këtu dinë gjuhët e huaja dhe kanë më shumë mundësi këtu.

Si e kaloni kohën e lirë kur nuk jeni në punë?

Kur nuk jam në punë, kujdesem për familjen time dhe shëndetin mendor. Pas shumë angazhimeve me familje, mundohem të gjej kohë ditore që të kujdesem për shëndetin fizik, si ushqimi i mirë dhe duke lëvizur çdo ditë. Një ditë e zakonshme me gjenë duke vrapuar i vetmuar në natyrë ose duke dalur në mjedis të pastër në natyrë, së bashku me familje, në atë mënyrë që të jem në lëvizje duke u kujdesur për shëndetin fizik dhe mendor. Falë rezultateve të arritura në punë, personaliteti im vlerësohet shumë, jo vetëm në kompaninë ku punoj, por edhe në mesin e komunitetit zviceran dhe atij shqiptar që jeton në Zvicër. Shpesh takohem me disa miq këtu në Zvicër. Madje, shpeshherë organizoj takime jashtë orarit të punës me shqiptarët që punojnë në këto kompani farmaceutike, me ç’rast i këmbejmë përvojat tona në farmaci.

Sa mendoni që ka arritur të integrohet gjenerata e re e diasporës shqiptare në shtetin ku ju jetoni e veproni?

Gjeneratat e para të diasporës shqiptare të viteve '70-'90 ishin kryesisht mashkuj që kishin qëllime të punës dhe përfitimit të parave. Ata ikën nga dhuna, nga shtypja etnike dhe identitare dhe kanë qenë të drejtuar në atë kohë nga frika e asimilimit. Ata e kanë parë identitetin shqiptar në mënyrë më emocionale.

Unë kam ardhur në mërgim më vonë, në fund të vitit 2007 dhe besoj se gjeneratat tjera janë më të interesuara të kontribuojnë më shumë në aspektin social e ekonomik, jo vetëm në bazë të identitetit. Dëshirojnë më shumë të integrohen dhe të jenë pjesë e shoqërisë.

Mendoj se pas viteve '90-ta, ata filluan ti marrin edhe familjet e tyre dhe kështu edhe qëllimet e tyre filluan të ndryshonin, pasi fëmijët filluan të ndjekin shkollat në një vend të huaj dhe në një formë lindën edhe programet e reja të integrimit, të cilat, pak a shumë, ndikuan në vetëdijesimin rreth çështjeve edukuese, Mundësitë e përfitimit të kësaj forme filluan ti shfrytëzonin fëmijët e tyre, duke ndjekur shkollimin.

Gjenerata e re është përqendruar më tepër në arsim dhe kontribut në të gjitha lëmitë ku punojnë. Ajo është edhe rruga më e duhur për integrim, duke qenë pjesë e shoqërisë dhe duke kontribuar në këtë shoqëri.

Sipas mendimit tuaj, për çfarë mbështetje konkrete të shteteve shqiptare ka nevojë urgjente diaspora shqiptare?

Unë e shoh se gjeneratat e reja nuk dëshirojnë vetëm të shkojnë në Kosovë me ndonjë veturë të madhe e për t’u krenuar, për t’u martuar me shqiptarë, e për të pasur dasma në Kosovë. Është një grup në rritje, i cili dëshiron të kontribuojë në zhvillim më afatgjatë, qoftë për shoqërinë civile, qoftë për sektorin privat.

Cili është kapitali juaj shpirtëror, të cilin keni arritur ta krijoni dhe me të cilin ndjeheni krenar?

Falë rezultateve të arritura në punë, përfundimit të doktoratës në lëmin e farmacisë dhe në universitetet më prestegjioze në Evropë, personaliteti im vlerësohet dhe respektohet shumë, jo vetëm në kompaninë ku punoj, e në kompanitë ku kam punuar, por edhe në mesin e komunitetit zviceran dhe atij shqiptar që jeton në Zvicër. Përvoja në punë dhe avancimet në fushën shkencore në farmaci kanë bërë që unë të jem njëri nga kuadrot më të respektuara, duke më dhënë edhe rol udhëheqës në kompani. Gradimi shkencor në lëmin e farmaceutikes ka bërë që të jem i privilegjuar dhe i respektuar, si në aspektin shoqëror e moral, po ashtu edhe në aspektin financiar. Në vitin 2018, Kompania 'Novartis' ka ndarë çmimin prestigjioz “AWARD Stein Rubin” për kontributin tim në idejimin e një procesi të brendshëm në prodhimin e medikamenteve, proces ky që ndihmoi kompaninë në uljen e çmimit në prodhim. Gati çdo vit, nga Kompania 'Lonza' marr mirënjohje për kontributin e tim në lehtësimin e prodhimit të medikamenteve.

A keni bërë plane se ku ti kaloni vitet pas pensionimit?

Dalja në pension është një nga momentet historike në jetën e çdo personi. Shpesh e kam menduar dhe kam bërë plane edhe me bashkshorten time rreth pensionimit dhe jetës sonë. Për këtë, në këtë kohë të re, kemi rregulluar një shtëpi të re në Kosovë, ku mendojmë ta kalojmë një pjesë të pensionimit. Për mua janë edhe shumë vite deri në pensionim, por ajo sinjalizon se rrugëtimi im duke punuar shumë ka përfunduar. Si pensionist e shoh veten duke shijuar jetën me atë që kam dashur dhe pasur gjithmonë në mendje. Planifikoj, duke u marrë me hobin tim, duke udhëtuar nëpër botë dhe duke kaluar më shumë kohë me familjen time në vendlindje dhe këtu në Zvicër.

Cila është porosia juaj për gjeneratën e re të komunitetit shqiptar që po rritet në diasporë?

Gjeneratat e komunitetit shqiptar duhet të përqendrohen edhe më shumë në arsimim dhe kontribut në të gjitha lëmitë ku punojnë. Nëse ne kemi më shumë ekspertë dhe kontribues në të gjitha lëmitë, atëherë do të kemi më shumë forcë në organizim dhe vendimmarrje në këtë shtet. Arsimimi dhe kontributi në atë vend është edhe rruga më e duhur për integrim dhe diverzitet, duke qenë pjesë e shoqërisë dhe duke kontribuar në këtë shoqëri. Ne kemi nevojë më tepër për përfaqësim në Parlamentin e Zvicrës. Kemi nevojë më tepër për njerëz të kuadrove politike që neve na përfaqësojnë këtu dhe na ndihmojnë më tepër në integrimin dhe diverzitetin me popullin e shtetin zviceran.

I keni thënë vetes, ‘pse kam ardhur në mërgim’?

Në fillim, deri sa jam integruar dhe rregulluar në Zvicër, kam menduar shpesh këtë pyetje ‘pse kam ardhur në mërgim’ dhe se çfarë do të jetë e ardhmja ime këtu. Mirëpo, shpesh e kam vizualizuar të ardhmen time dhe si do të ishte jeta ime në Kosovë dhe në Zvicër. Kam ardhur në lumturinë dhe kënaqësinë time, duke e parë veten time në Zvicër dhe duke kontribuar në këtë shoqëri. Kështu që tash ka disa vite që nuk e bëj këtë pyetje, sepse jam shumë i respektuar, nderuar dhe pranuar në këtë shoqëri. Zvicra më është bërë si vendlindje e dytë për.

Mendoni se ju kanë shkuar shumë vite, duke menduar se një ditë do të ktheheni nëatdhe?

Çdo fazë në jetë që e kam kaluar, ka pasur vështirësitë e veta. Shpesh kam menduar se pse e kam vrarë mendjen për të ardhmen dhe kthimin në atdhe. Mirëpo, këto mendime janë pjesë e jetës. Për çdo fazë në jetë jam krenar dhe mendoj se deri tash jam i lumtur me jetën në Zvicër.

Çka kujtoni më së shumti nga atdheu?

Kujtimet nga fëmijëria dhe rinia në vendlindje janë kujtime të mira. Unë jam rritur dhe zhvilluar në vendlindje. Këtu kam ardhur si 24 vjeçar, kështu që kam kujtime të mira me vëllezërit, me familjen dhe shoqërinë. Këto kujtime të mira janë pjesë e jetës dhe do të mbeten gjithmonë tek unë.

Si ishte jeta e mërgimit më herët dhe si është sot, apo cila periudhë për ju është më e mirë, ajo më e hershmja, apo kjo e sotmja?

Secila periudhë i ka pasur sfidat e veta, e hershmja dhe e sotmja. Për këtë periudhë mund të flas më shumë, sidomos pas vitit 2010, e cila për diasporën shqiptare është një periudhë e lulëzimit dhe edukimit të vazhdueshëm. Në këtë kohë kemi disa kuadro shumë të suksesshme, të cilat janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane dhe komunitetit shqiptar në Zvicër. Ato, gjithashtu, kontribuojnë në shtetin e tyre të lindjes. Tash mundësitë e transportit dhe komunikimit me vendlindje jane më të theksuara dhe më të lehta. Mund të udhëtosh në mëngjes për një konferencë apo ligjeratë në Kosovë dhe brenda ditës të kthehesh ne vendin ku jeton. Kjo është lehtësia që ta mundëson edhe mbajtjen e kontateve dhe lidhjeve të ngushta me vendlindjen.

Çka nuk i falni vetes?

Deri tash jam shumë i kënaqur me veten dhe jetën time. Nga natyra jam njeri që falë dhe duron shumë. Për të qenë i lumtur, punoj me veten dhe kështu, nëse lindë ndonjë pakënaqësi, mundohem të përpunoj, të shkruaj apo të vizualizoj për veten apo ndonjë problem që të harrohet sa me shpejt. Në këtë formë arrij balancin e brendshëm shpirtëror dhe lirohem nga ndonjë paqartësi apo keqkuptim me vetveten.

Në vitin 2019 fillova punë në Kompaninë 'Lonza AG', Stein në Zvicër, në cilësinë e ekspertit për shkencë e teknologji dhe prodhim të medikamenteve të reja klinike.

Gjatë gjithë kësaj kohe sa keni në mërgim, keni fituar më shumë apo keni humbur?

Për të gjitha këto vite, kam fituar shumë nga mërgimi dhe shteti zviceran. Unë jam ngritur shumë në aspektin shkencor dhe profesional. as përfundimit të doktoraturës, në vitin 2013, avancimi shkencor më ka hapur horizonte të reja. Jam punësuar në gjigandin e industrisë farmaceutike zvicerane “Novartis AG” Stein, ku si ekspert-menaxher, jap kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe prodhimin e medikamenteve të reja. Këtu kam thelluar edhe më shumë njohuritë në zhvillimin dhe prodhimin e formave sterile të tabletave dhe kapsulave. Gjatë punës në këtë kompani përfitoj përvojë të mirë në zhvillimin dhe prodhimin e medikamenteve me kualitet të lartë, duke përdorur teknologjitë më të avancuara për prodhimin e barërave.

Në vitin 2019 fillova punë në Kompaninë 'Lonza AG', Stein në Zvicër, në cilësinë e ekspertit për shkencë e teknologji dhe prodhim të medikamenteve të reja klinike që aplikohen te pacientët në mënyrë intravenoze dhe intramuskulare, si vaksinat, etj.

Njohja e gjuhes shipe në Zvicër, për disa vite, do të jetë një përparësi për komunikim për të gjithë punëtorët dhe për punë në Zvicër.

Mendoni se edhe në të ardhmen, gjeneratat e reja që jetojnë e veprojnë në Zvicër, nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe?

Unë mendoj se gjeneratat që jetojnë e veprojnë në Zvicër, nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe, sepse prindërit e tyre janë të lidhur ngushtë me vendlindjen, investimet në sektorin privat në vendlindje. Besoj se kane për tu rritur edhe më shumë për të mbajtur këto lidhje. Njohja e gjuhes shipe në Zvicër, për disa vite, do të jetë një përparësi për komunikim për të gjithë punëtorët dhe për punë në Zvicër. Rritja e mërgatës shqiptare do të rrisë kërkesën e shërbimeve edhe në gjuhën shqipe këtu në Zvicër. Trasporti dhe komunikimi me vendlindjen është lehtësuar shumë. Vajtje ardhjet në vendlindje janë më të lehta.

Sikur të ishte e mundur që të vinit edhe njëherë prej fillimit në mërgim, çka do të kishit bërë në ditën e parë?

Po mendoj se me mundësitë dhe aftësitë e mia, kam arritur kulmin e karrierës në lëmin e farmacisë në Zvicër. Kështu, mendoj se deri tash e kam zhvilluar mirë karrierën.

Për fund të kësaj interviste, ku kishit dashur të pinit pikën e fundit të ujit të kësaj bote?

Unë jam i lidhur shumë ngushtë me vendlindjen. Çdo pushim, sado i shkurtë që të jetë, bashkë me gruan dhe katër fëmijët, shkojmë në Kosovë dhe vizitojmë të afërmit dhe miqtë e shumtë. Normal se pikën e fundit të ujit të kësaj bote do ta pija, me gjithë dëshirë, në vendlindje.

Shumë faleminderit për kohën dhe patëm nderin, që ta realizojmë këtë intervistë. Suksese të tjera, shëndet e gjitha të mirat për Ju e familjen.

Ju lutem, nderi ishte edhe i imi. Juve dhe të gjithë bashkatdhetarëve, ju uroj pushime të mbara, meqë po afrohen edhe pushimet verore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat