Kosova përgatitet për Izraelin - Bota Sot
Kosova përgatitet për Izraelin

Futboll

E diel, 21 tetor 2018

Kosova përgatitet për Izraelin

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 20:26
Kosova përgatitet për Izraelin

Kombëtarja e Kosovës U21 ka zhvilluar sot pasdite seancën e katërt stërvitore në fushën “Top Football” në Mazgit në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Evropianin 2019 kundër Izraelit në Tel Aviv. Përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit Erdogan Celina e Naser Prapashtica edhe gjatë stërvitjes së sotme kanë punuar në shumë aspekte në mënyrë që futbollistët të përgatiten sa më mirë për duelin kundër izraelitëve. Gjatë seancës së sotme krahas lojës taktike u punua edhe në gjuajtjet nga distanca dhe gjysmëdistanca. Gjendja e futbollistëve sipas stafit mjekësor në krye me prof. dr. Mehmet Maxhuni është shumë e mirë. Stërvitjen e sotme nga afër e ka ndjekur edhe drejtori teknik, Michael Nees.

Deklaruan pas stërvitjes
Erdogan Celina: E kemi marrë ndeshjen kundër Izraelit shumë seriozisht dhe po përgatitemi me përkushtim. Dihet se kjo ishte pjesëmarrja jonë në kualifikime dhe kemi krijuar një përvojë të mirë si ekipi si stafi, prandaj duam që këtë cikël ta mbyllim sa më mirë. Në këtë grumbullim kemi marrë edhe disa lojtarë të rinj, pasi duam të krijojmë ekipin për ciklin e ardhshëm kualifikues dhe sigurisht se në të ardhmen do ta kenë hapësirën për të dëshmuar cilësitë e tyre.

Muharrem Jashari: Jemi duke u stërvitur me përkushtim të gjithë lojtarët dhe synojmë që këto kualifikime t’i mbyllim me fitore. Për disa prej lojtarëve kjo do të jetë ndeshja e fundit, pasi më nuk do të kenë të drejtë loje me U21, prandaj edhe të gjithë jemi të përkushtuar për sukses. Edhe ardhjet e reja po shihet se kanë cilësi dhe vërtet harmonia në ekip është e jashtëzakonshme.

Arbër Hoxha: Atmosfera në ekip është e shkëlqyeshme e po ashtu edhe stërvitjet po ecin mirë. Të gjithë futbollistët po punojmë me seriozitet të madh dhe po e presim duelin me Izraelin me padurim. Synimi është që t’i hakmerremi izraelitëve për atë humbje të pamerituar në Mitrovicë.

Shkëlqim Sadiku: Jam i lumtur që jam bërë pjesë e Kosovës. Për ndeshjen me Izraelin nuk do të kem mundësi të luaj, ngase ende nuk i kam kompletuar dokumentet, por trajneri ma ka dhënë mundësinë që të bëhem pjesë ekipit dhe të ambientohem me bashkëlojtarët. Natyrisht se në ciklin e ardhshëm kualifikues pres të jap kontributin tim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test