Haradinaj: Vrasjet e pasluftës i bëri dora e armikut - Bota Sot
Haradinaj: Vrasjet e pasluftës i bëri dora e armikut

Aktuale

Haradinaj: Vrasjet e pasluftës i bëri dora e armikut

Më: 30 dhjetor 2018 Në ora: 18:21
Foto

(E plotësuar) - Në Kosovë sot është shënuar Dita e Veteranit, në përkujtim të dëshmorëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Manifestimi qendror është mbajtur sonte në Prishtinë, nën përkujdesjen e  kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka organizuar një pritje për veteranët në bashkëpunim me OVLUÇK.

Kryeministri Haradinaj tha se Dita e Veteranit shënon 30 dhjetorin sulmin në familjen Jashari, një sulm i hershëm, kur kurrkujt nuk i shkoi mendja se te shqiptarët ka armë dhe që ia kthejnë armët armikut.

Haradinaj: Sfidat nuk do të na dobësojnë

“Sfidat nuk na dobësojnë dhe nuk do të na dobësojnë, na lodhin ato që vijnë pas shpine. Ato që vijnë përballë janë të lehta për luftëtarë. Ne kemi bërë çmos që askujt prej luftëtarëve të mos iu vijë pas shpine dhe prej njëri-tjetrit. Kemi ruajtur nderin e ushtarit. Ne s’kemi me lejuar me shti pyka mes luftëtarëve dhe me i përça dhe dobësuar ata që edhe ashtu rruga deri në liri i ka lodhur. Gjykata Speciale është në Hagë. Mos u frikësoheni bashkëluftëtarë. S’jemi frikësuar nga formacionet e Millosheviqit, mos u frikësoni sot. Mos lejoni të bëheni e keqja e bashkëluftëtarit tjetër dhe tregoni nderin tonë si komb. Askush prej neve mos u fshihni, s’kini pse fshiheni. Mos të mendojë se është vetëm. Unë nuk jam vetëm. E kam pasur gjithë popullin mbrapa. Nëse më thirrin prapë, e di që nuk jam vetëm”, porositi Haradinaj.

Haradinaj përmendi edhe themelimin e ushtrisë së Kosovës, e cila do të jetë përkrah gjithë ushtrive më të fuqishme të botës, përfshirë atë të SHBA-së, NATO-s dhe Shqipërisë.

Duke përkujtuar se është krenar që ishte ushtar i lirisë dhe i Adem Jasharit, kreu i Qeverisë së vendit pati edhe një porosi tjetër.

Haradinaj: Vrasjet e pasluftës i bëri dora e armikut

“Vrasjet e pasluftës nuk janë vrasje prej ushtarëve të UÇK-së. Nuk ka ushtar që ka luftuar për liri, që ka parë vdekjen me sy, që ka shpëtuar popullin e vet, që e vranë një vëlla të vetin pas lufte. Nuk ka shans. Nuk e bën ushtari atë, nuk e bën pas shpine, nuk e bën fshehtë, natën. Ajo është dora e armikut që e ka bërë, ta dini! Sa për ushtarin e lirisë, sa për mua kurrë një shqiptar, një njeri nuk do të kishte vdekur pas luftës në Kosovë. Të gjithë ishin gjallë ata që i vajtojmë sot, do të ishin me ne”, ka thënë ai.

Haradinaj ka treguar rastin kur është tragjikisht ka humbur jetën djali i heroit Shkëlzen Haradinajt, Shqipdoni, 11 vjet më parë, kur ishte goditur nga një autobus dhe ai së bashku me familjen e tij fali gjakun, pasi shqiptarët duhet të dinë të falin njëri-tjetrin.

Ai ka porositur bashkëluftëtarët e tij se edhe institucionet e vendit mund të gabojnë ndonjëherë, duke kërkuar mirëkuptimin e tyre, pasi  shqiptarët nuk mund të jenë aleatë të rusëve, por të Amerikës dhe aleatët e saj.

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka folur për sfidat dhe problemet me të cilat veteranët janë përballur deri në ditët e sotme, si dhe punën e shoqatave të dala të luftës për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

Gucati: Po përballemi me sfida të padrejta

“Sot edhe pas 20 vitesh të përfundimit të luftës po përballemi me sfida të padrejta. OVLUÇK duke mos u pajtuar me padrejtësitë ka bërë dhjetëra reagime dhe ka lëshuar qindra komunikata, ka organizuar shumë protesta dhe të gjitha këto i ka bërë për mbrojtjen legjitime të veteranëve të luftës së UÇK-së dhe luftës çlirimtare”, ka thënë ai.

Ndërsa, Baca Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kërkoi që të tregohemi vigjilent dhe çdo përballje të mundshme me armikun t’i përgjigjemi sikur në të kaluarën.

Rifat Jashari: Duhet të jemi vigjilentë

“Urime të gjitha me të mira për shtetin dhe kombin tonë. Shpresoj që kurrë e keqe të mos i ndodh këtij populli dhe vendi, por gjithmonë duhet të jemi vigjilentë dhe çfarëdo që të ndodhë t’i përgjigjemi qysh iu kemi përgjigjur edhe më herët”, porositi ai.

Për nder të kësaj dite, kryeministri Haradinaj ka ndarë medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu për familjen Jashari në shenjë respekti për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, për shërbim jetësor për veteranët e luftës së UÇK-së është nderuar Faton Klinaku.

Po ashtu, për kontribut jetësor në shërbim të veteranëve të luftës është nderuar me medaljen Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Avdyl Mushkolaj, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Deçan.  

Gjatë ditës, OVL UÇK ka organizuar homazhe në Prekaz e gjithashtu degët e kësaj organizate kanë organizuar homazhe nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë.

Dita e Veteranit shënohet për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

Ndryshe, më 30 dhjetor  1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së.

Haradinaj: Jam ushtar i Adem Jasharit dhe Ibrahim Rugovës

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë manifestimit të Ditës së Veteranit ka thënë se ai është ushtar i Adem Jashari dhe i ish presidentit, Ibrahim Rugova.

Gjatë një fjalimi në shënjimin e kësaj dite, ai ka folur për Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk frikësohet nga ajo nuk duhet të frikësohet asnjë veteran i luftës së Kosovës.

Sipas tij, nëse e thërrasin edhe vet atë nuk do frikësohet dhe do i përgjigjet ftesës pasi që ai e ka popullin pas vete, siç e kanë të gjithë veteranët e tjerë.

Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se nuk ka pse të frikësohet askush sepse shqiptarët, apo ushtarët e UÇK-së nuk janë ata që kanë vrarë vëllezërit e tyre pas luftës, janë armiqtë ata që e kanë bërë këtë gjë.

Kjo është deklarata e Haradinajt:

“Në traditën tonë nuk e kemi vajtuar asnjëherë njëri-tjetrin por e kemi respektuar dhe kemi ndjekur atë që i ka prirë luftës së lirisë. 
Jemi krenar që neve na ka prirë një familje heroike, pra sot shënojmë edhe përvjetorin e sulmit të parë ndaj familjes Jasharit.

Shikoni sa krenare dhe e çmuar është rruga jonë për liri. Nuk ka dilemë se meritor për lirinë është luftëtari, por jo vetëm ai, të gjithë atdhetarët, të gjithë ata që kanë përkrahur përpjekjen tonë për liri janë meritor. Si veteran, i shprehi falënderime ushtrime mike, që po na bëjnë krenar dhe që ushtria jonë po i bashkohet atyre.

Sfida nuk na dobësojnë, kurrë nuk do të na dobësojnë ato që vijnë përballë, na lodhin ato që vijnë anash e pas shpinës, ndërsa ato që na vijnë përball janë të lehta për luftëtarin.

Nuk do lejojmë askënd të shtijë pyka mes ushtarëve dhe t’i dëmtojë ata që rruga për liri i ka lodh e i ka ngarkuar më shumë se të tjerët.

Nga Gjykata Speciale mos u frikësoni, nuk jemi frikësuar para topave, para granatave, para Millosheviqit, nuk do frikësohemi as sot. Tregoni nderin shqiptar dhe nderin tonë. Askush nga ne të mos fshehët, të mos mendoj askush që është vetëm. Kudo që kam qenë e kam pasur popullin pas vete, ju kam pasur juve pas vete.

Nëse më thirrin prapë e di që nuk jam vetëm, edhe juve nëse ju thirrin mos u frikësoni nuk jeni vetëm. Nganjëherë humb shpresa, por në fund do jemi krenar. Unë jam krenar me atë që kam bërë si ushtar i lirisë, si ushtar i Adem Jasharit dhe i Ibrahim Rugovës. Çdo herë na kanë dëmtuar duke na vendosur kundër njëri tjetrit.

Nuk ka luftëtarë që e vranë një vëlla të vetin pas shpinës pas luftës në Kosovës, është dora e armikut që e ka bërë atë, nuk e bën një ushtar i lirisë një gjë të tillë.

Nis manifestimi i Ditës së Veteranit, i pranishëm edhe kryeministri Haradinaj

Ka filluar manifestimi i Ditës së Veteranit, e cila po mbahet nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Image

Me këtë rast është organizuar edhe pritje për veteranët e vendit.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme janë bërë homazhe të shumta tek dëshmorët e kombit të cilët kanë dhënë jetën për liri.

Ndryshe me fillimin e këtij manifestimi është mbajtur 1 minuta heshtje për të rënit në luftë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...