Bajram Gecaj e qet në rren Ramush Haradinajn: Presidenti nuk njihte vajin e lotëve fizik!

Aktuale

Bajram Gecaj e qet në rren Ramush Haradinajn: Presidenti nuk njihte vajin e lotëve fizik!

Nga: N.Sh Më: 8 janar 2019 Në ora: 19:55
Dr. Ibrahim Rugova

“Bajram, nuk kishte gjë më të vështirë se të jesh president, në një kohë që nga dritarja sheh si zbrazet me dhunë tërë Lagjja e Velanisë, për dhjetë minuta, për të ngel i vetëm pa popullin të cilit i ke shërbyer me devotshmëri tërë jetën”.

Kështu kishte thënë presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, i cili ishte arratisur në Bon të Gjermanisë, gjatë kohës së luftës në Kosovë, pas lirimit nga arrestit shtëpiak nga forcat serbe, kur edhe e kishte lëshuar Kosovës.

Këto fjalë të presidentin Ibrahim Rugova, sot i citon Bajram Gecaj, zyrtar i LDK-së dhe ish-këshilltar i ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Gecaj përmes një postimi në Facebook, thotë se, presidenti Rugova në fytyrë ishte i zverdhur, si të ishte pa gjak.

“Ai nuk po qante me lot por me dhimbje të thellë shpirtërore që nuk e fshehte , gjë që shihej nga trandja që dilte nga pamja e jashtme. As vajtim nuk ishte! Krejt çka ishte dhe që e pash me sytë e mi ishte zhgënjimi i momentit që dilte nga pafuqia e tij për të goditur Serbinë me një grusht migjenian, sa mali mitik që rrëzon përbindëshat që dalin nga deti”, shkruan Gecaj, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ja shkrimi i plotë:

PRESIDENTI NUK NJIHTE VAJIN E LOTËVE FIZIK!

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ishte këshilluar nga miqtë ndërkombëtarë që, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, mos të kthehej në Kosovë.

Në fakt, nuk ka qenë fjala për këshillim aq sa për një insistim të miqve tanë ndërkombëtarë, meqenëse jeta e tij rrezikohej seriozisht, marrë parasysh barbarinë dhe brutalitetin e pritur serb pas vendosmërisë së miqve për bombardimin e tyre. Presidenti i ndjerë, megjithatë, kishte insistuar se dëshironte të ndante fatin e tij me popullin e vet, pa marrë parasysh pasojat. Më vonë, pas lirimit nga arresti shtëpiak, Presidenti Rugova udhëtoi në Itali e më pastaj , për një kohë të shkurtër, qëndroi në Bon të Gjermanisë. Ditën e arritjes në Bon kam pasur nderin që ta vizitoi në shoqërinë e tre zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës të kohës.

Në mes tjerash, gjatë bisedës sonë, e mbajë mirë mend sikur sot kur Presidenti më tha : “Bajram, nuk kishte gjë më të vështirë se të jesh president, në një kohë që nga dritarja sheh si zbrazet me dhunë tërë Lagjja e Velanisë, për dhjetë minuta, për të ngel i vetëm pa popullin të cilit i ke shërbyer me devotshmëri tërë jetën”.

Këto fjalë sot kumbojnë në mendjen e shpirtin tim si në kohën kur i kam dëgjuar. Në fytyrë ishte i zverdhur i tëri, si të ishte pa gjak, me sy të zmadhuar dhe shikim të ngulur në një vend e duke thithur cigaren tërë kohën, pa nxjerrë as një lot nga syri. Ai nuk po qante me lot por me dhimbje të thellë shpirtërore që nuk e fshehte , gjë që shihej nga trandja që dilte nga pamja e jashtme. As vajtim nuk ishte! Krejt çka ishte dhe që e pash me sytë e mi ishte zhgënjimi i momentit që dilte nga pafuqia e tij për të goditur Serbinë me një grusht migjenian, sa mali mitik që rrëzon përbindëshat që dalin nga deti.

Këtë ngjarje e kamë ndarë me shumë miq dhe shumë shpesh. Të gjithë ata që e kanë njohur Presidentin Rugova nga afër e thonë që ai ka ditur të tronditet nga vështirësitë e jetës dhe nuk e ka fshehur vuajtjen shpirtërore për interesin e përgjithshëm. Megjithatë, vajtimi i Presidentit ishte gjithherë vaj burrash, sepse Presidenti nuk njihte vajin e lotëve fizik!

P.S. Personat në foto, nuk janë personat që ishin me mua në takimin e përshkruar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat