Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se janë 103 veteranë të UÇK-së të ftuar nga Gjykata Speciale.
Gucati, në “Dossier D” me Fidan Ramën ka thënë se ka edhe anëtarë të kryesisë së OVL UÇK të ftuar nga Gjykata Speciale.
“Është një anëtar i kryesisë së OVL UÇK që do të udhëtojë më katër shkurt në Gjykatën Speciale. Emri i tij nuk është bërë publik dhe gjatë ditëve në vijim avokati i tij do ta publikojë emrin”.
“… Edhe tre të tjerëve do t’u publikohen emrat nga avokatët e tyre. Të gjithë janë veteranë të UÇK-së. Na është konfirmuar që janë të ftuar për Speciale”, tha Gucati.
I pari i OVL të UÇK-së ka thënë se janë të konfirmuar 11 ftesa për në Gjykatën Speciale dhe prej tyre ka komandantë dhe ushtarë të thjeshtë.
Ai thotë se ka raste kur veteranët e ftuar nga Gjykata Speciale nuk kanë qenë më parë në gjykata vendore, apo ndërkombëtare.
“Katër të fundit që i përmenda nuk kanë qenë asnjëherë nëpër gjykata, as vendore e as ndërkombëtare”, tha Gucati.