Rasti i abuzimit në Drenas dhe shumë pikëpyetje

Aktuale

Rasti i abuzimit në Drenas dhe shumë pikëpyetje

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 12:04
Protesta

Abuzimi me minorene në Drenas: Tri instutucionet kryesore që do të duhej të dëshmonin qëndrueshmërinë e një shteti, janë përfshirë në një skandal dhunimi seksual që ka ngjallur një debat të madh në Kosovë.

Një mësues, një hetues policor e një gjinekolog, dyshohet se janë të përfshirë në një skemë dhunimi të një të miture në Drenas. Viktima fillimisht ishte dhunuar nga mësuesi i saj, në shkollën ku po vijonte mësimet, ndërsa në momentin kur raportoi rastin në polici, u shantazhua e u abuzua seksualisht edhe nga hetuesi i policisë, i cili më pas e kishte detyruar që të abortonte fëmijën në një qendër gjinekologjike.

Reagimet sociale lidhur me këtë ngjarje ishin nga më ekstremet. Për rastin e së miturës kosovare u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme në Parlamentin e Kosovës. Mes fjalimesh të shumta, ishte deputetja Xhevahire Izmaku, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se ky rast nuk është dashur të bëhej kaq publik, duke lënë të nënkuptohet se tema e dhunimeve ende vazhdon të jetë tabu edhe për një ligjbërëse kosovare.

Institucione të dështuara

Sipas sociologut, Leutrim Sahiti, rasti i fundit i dhunimit seksual në Drenas, është vetëm një rast prej shumë rasteve që ndodhin në shkollat tona. „Kjo tregon më së miri që shteti ynë ka bërë pak në aspektin social, në edukimin e mirëfilltë të gjeneratave të reja dhe mbrojtjen nga sjelljet deviante. Si rast është mjaft kompleks për faktin që në këtë rast kanë dështuar shumë institucione, duke u nisur nga familja, shkolla, policia, qendra për punë sociale dhe në fund edhe gjykata. Një e mitur nuk ishte dashur në asnjë mënyrë që të intervistohej nga policia pa prezencën e prindërve apo punëtorit social dhe më pas është dashur që qendra për punë sociale ta marrë këtë vajzë në trajtim dhe përkrahje institucionale.", thotë ndër të tjera Sahiti.

Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, në vitin 2018-të janë raportuar 29 raste të dhunimeve seksuale dhe 7 të tentim dhunimeve. Rasti i fundit i dhunimit të së miturës, tashmë i bërë publik, ka ndikuar shumë që të kthejë vëmendjen e opinionit publik edhe njëherë tek shkelja e të drejtave të vajzave e grave dhe njëherësh të nxjerrë në pah fenomenin ekzistues që është abuzimi me të mitur apo pedofilia, për të cilin shumë pak diskutohet në vend.

Image

Vetëm dy vitet e fundit janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë. Sipas autoriteteve të rendit në vitin 2017, në polici janë paraqitur si raste të pedofilisë gjithsej 62 raste, kurse në vitin 2018, janë paraqitur 61 raste të tilla.

Tabu nga frika e stigmatizimit

"Një temë e tillë është ende tabu, duke e ditur mendësinë tonë kolektive dhe ngecjen ligjore edhe për definimin e fenomenit. Mirëpo, të tilla raste nuk duhet të mbeten të izoluara dhe të heshtura, por bashkarisht institucionet, organizatat dhe mediet duhet të krijojnë një plan- veprimi dhe bashkëpunimi për ta dënuar krimin.”, shpjegon Jeta Berisha, aktiviste për të drejtat e grave.

Në rastet e dhunimeve seksuale për shkak të frikës nga stigmatizimi dhe pamundësia për t‘u shqyrtuar drejt temat e ndjeshme dhe komplekse në shoqërinë shqiptare bën që viktimat e dhunës seksuale të zgjedhin që vetë t‘i vuajnë pasojat e dhunimit, pa i bërë ato publike. Pasojat tek viktimat e dhunës seksuale janë nga më të ndryshmet.

„Humbja e vetëbesimit dhe kontrollit, ndjenja e fajit, frustrimi, ankthi, izolimi, probleme me gjumin dhe me ushqyerjen, shmangia e ambienteve publike janë vetëm disa nga pasojat afatshkurtër të dhunimit. Në anën tjetër depresioni, ankthi dhe stresi post-trautmatik janë simptomat afatgjata që rrezikojnë çdo viktimë të dhunimit.", thotë psikologia Kaltrina Ajeti.

Rastet të tilla të heshtjes ka shumë në Kosovë edhe ndër 20 mijë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilat deri më tani nuk kanë pasur guximin as t'iu tregojnë të afërmve të tyre për atë që iu ka ndodhur 20 vite më parë. Deri më tani vetëm dy gra kanë pranuar të flasin hapur për atë se çfarë ka ndodhur.

Pozita superiore e  burrit ndaj gruas si derivat i mentalitetit patriarkal bën që për shumë çështje fajtore të mbetet gruaja. „Mungesa e shprehjes së lirë, mos trajtimi i barabartë në mendime ndikojnë që në shumë raste gruaja lihet fajtore  dhe kështu në rastet e dhunës të cilësohet si provokim për meshkujt. Shoqëria jonë duhet të shkëputet nga mentaliteti patriarkal dhe t‘i trajtojë si të barabartë burrin dhe gruan dhe kështu të mos i stigmatizojë gratë që bien viktimë e dhunës seksuale.", thotë sociologu Sahiti.

Gruaja mburojë e nderit në familje

Përjashtimi i grave dhe vajzave nga trashëgimia, përjashtimi nga vendimarrjet e rëndësishme në familje, mungesa e komunikimit duke i konsideruar si jo të barabarta në familje e shoqëri janë vetëm disa nga faktorët që ende cënojnë pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare dhe i pamundësojnë veprimin dhe fjalën e lirë.

Në një shoqëri patriarkale dhe të mbyllur siç është Kosova, ende nderi i familjes varet nga vajzat dhe gratë. „Shoqëria kosovare është shoqëri e mbyllur. Në sistemin e kaluar kjo mbyllje është parë e domosdoshme për të mbijetuar. Për shkak të mosbesimit në institucionet e pushtetit të atëhershëm, njerëzit e kanë bërë ligjin vetë, në institucione fetare apo në shtëpitë e tyre. Në këtë vetërregullim social në pozitën më të pafavorshme ka mbetur gruaja, për fatin dhe rolin e së cilës kanë vendosur të tjerët. Pavarësisht mungesës së përkrahjes dhe mohimit të rolit të saj, gruas kosovare i është mveshur barra më e rëndë morale, nderi. Duke qenë sinonim i nderit të familjes dhe fisit, cënimi i këtij nderi e përballë atë me gjykime të rënda në familje e shoqëri, pavarësisht faktit se ajo është viktimë.", thotë psikologia Kaltrina Ajeti.

Duke u nxitur nga raportimet e fundit të rasteve të dhunës seksuale, Fatjona Krasniqi, e cila jeton në Gjermani ka hapur një blog rrëfimesh në internet me anë të të cilit vajzat dhe gratë e reja i rrëfejnë rastet e tyre të ngacmimeve seksuale.  Në një periudhë të shkurtë kohore janë lajmëruar afro 2 mijë gra dhe vajza shqiptare, të cilat kanë shprehur vullnetin për ta ndarë rrëfimin e tyre me publikun./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat