Hamiti: Rugova udhëhoqi popullin drejt pavarësisë me përkushtim në ballafaqim me skeptikë

Aktuale

Hamiti: Rugova udhëhoqi popullin drejt pavarësisë me përkushtim në ballafaqim me skeptikë

Nga: Bota sot Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 18:47
Muhamet Hamiti

Ambasadori i parë i Kosovës në Mbetërinë e Bashkuar Muhamet Hamiti, në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka kujtuar Atin Themeltar të shtetit, Presidentin historik Ibrahim Rugova.

Hamiti, që ishte ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Rugovës, ka thënë se presidenti udhëhoqi popullin në rrugën e pavarësisë me përkushtim e devocion besimtari dhe në ballafaqim me skeptikë.

Ai ka vlerësuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës, është arritja më e madhe e popullit të Kosovës.

Më poshtë postimi i plotë i Hamitit:

Festojmë pavarësinë, kujtojmë atin themeltar të shtetit, qëndrestarët

Në këtë ditë feste, në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kujtojmë me zemër e me emër të gjithë qëndrestarët, të gjallë e të vdekur, të gjithë luftëtarët për liri, demokraci e pavarësi të vendit tonë të dashur.

Sjellim në mend para të gjithëve Atin Themeltar të shtetit, Presidentin historik Ibrahim Rugova.

Ideja është e para.

Rugova udhëhoqi popullin në rrugën e pavarësisë me përkushtim e devocion besimtari, në ballafaqim me skeptikë, me miq e armiq, qoftë pse s’e donin, qoftë se nuk u dukej realist synimi i pavarësisë. Ibrahim Rugova ishte idealist realist, një nacionalist i kulturuar. Lufta e tij politike, rezistenca aktive paqësore e popullit, Republika e parë e Kosovës, shtruan rrugën për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me luftë, mbasiqë Perëndimi u bind për drejtësinë e çështjes dhe për përkushtimin e shqiptarëve për luftë të pabarabartë me okupatorin në gjakimin e tyre për liri, demokraci e pavarësi. Për jetë të mëvetësishme e të dinjitetshme në trojet e veta.

Shteti është i pari. Kosova është e para!

Edhe një herë: gëzuar Dita e Pavarësisë së Kosovës! Ta festojmë sot e mot arritjen më të madhe të popullit të Kosovës!

(Post scriptum: pushteti është kalimtar. Për qeverisjen e keqe, për rrezikuesit e shtetit e të tërësisë së tij tokësore, për cenet e shoqërisë sonë, për kompromiset me të keqen, herë të tjera. Jo në këtë ditë feste.)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat