Zeka tregon për “hatër” të cilës deputete e nënshkroi rezolutën për KQZ-në

Aktuale

Zeka tregon për “hatër” të cilës deputete e nënshkroi rezolutën për KQZ-në

Më: 13 mars 2019 Në ora: 14:59
Milaim Zeka

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që ta zhbllokojë KQZ.

Ai tha se e ndërroi mendje dhe do ta nënshkruajë rezolutën për “hatër” të deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Zeka: Hatri i Albulenës e nënshkruaj rezolutën

“I bëj thirrje presidentit që ta zhbllokojë KQZ-në edhe Albulena hatri yt do e nënshkruaj. E ndërrova mendimin”, ka thënë ai.

Ndryshe, ka disa muaj që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jofunksional për shkak të mos emërimit të anëtarëve të ri nga presidenti i vendit.

Presidenti Thaçi ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me përbërjen e re që do të ketë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Është ngritur dilemë nga presidenti sa i përket ndarjes së anëtarëve të KQZ-së, se sa përfaqësues do të kenë partitë politike aty.

Në qershor, Thaçi kishte vendosur të emërojë grupin e parë të anëtarëve të KQZ-së, derisa për të tjerët kërkoi sqarime nga kushtetuesja se si duhet të bëhet ndarja e posteve në këtë institucion. E këtë Presidenca tha se po e bën “për të shmangur çdo dilemë se nga cilat grupe parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së”.

Por Gjykata Kushtetuese nuk mund të merrte vendim për këtë, dhe as për ndonjë çështje tjetër, meqë ishte pa kuorum, pasi që presidenti Thaçi ende nuk i kishte dekretuar gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Siç thonë në Kushtetuese, kjo edhe ishte arsyeja që nuk arriti të shqyrtohej lënda për KQZ-në.

Pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, del që koalicioni PAN duhet të ketë dy, nga katër anëtar përfaqësues sa kishte në KQZ, komunitetet pakicë të kenë katër anëtarë, kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje të kenë nga 2 përfaqësues, e që më parë kishin nga një.

Çështja u komplikua këtu, meqë del se ka dilemë a duhet PAN të ketë dy ose më shumë anëtarë në KQZ, apo opozita, në këtë rast LDK dhe Vetëvendosje.

Neni 139 i Kushtetutës së Kosovës dhe Ligji i përgjithshëm për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës, i përcaktojnë qartë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së.

Bazuar në këto dokumente, 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, me nominim të partive politike, presidenti i Kosovës duhet të emërojë anëtarët e rinj.

Kujtojmë se në tre ciklet e fundit, Republika e Kosovës nuk ka pas zgjedhje të rregullta, por çdoherë të jashtëzakonshme ose të parakohshme. Në kushtet aktuale, organizmi i zgjedhjeve do të ishte problematik.

Situata të tilla bllokimi e vështirësojnë edhe adresimin tutje të reformës zgjedhore, marrë parasysh që vendi është në fillimin e aktiviteteve rreth adresimit të çështjes së reformës zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat