Halit Barani rrëfen përmes fejtonit “tmerrin e dokumentuar”

Aktuale

Halit Barani rrëfen përmes fejtonit “tmerrin e dokumentuar”

Nga: N.Sh Më: 15 mars 2019 Në ora: 08:55
Halit Barani

Kryetari i Këshillit rajonal për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Barani, përmes një fejtoni të botuar në Facebook, po rrëfen ngjarjet e paraluftës të cilat i ka të dokumentuara dhe me fakte.

Barani në vazhdimin e fejtonit “tmerri i dokumentuar”, tregon se si e kishin arrestuar vet atë policia serbe dhe si kishte jetuar ky në ilegalitet për disa kohë.

VAZHDON FEJTONI TMERRI I DOKUMENTUAR, VAZHDON

Më 19.VII.1996, në rrugën Beograd – Mitrovicë, policët serbë e keqtrajtojnë fizikisht dhe e plaçkitin Hasan (Shahin) Beqirin (47) nga fshati Bajgorë i Shalës së Mitrovicës, i cili po kthehej me bashkëshorten dhe 5 fëmijët nga Gjermania, ku punonte tashmë 24 vjet. Policët ia plaçkitin 480 DM, ndërsa ia lëshojnë një vërtetim prej 105 din. Prapë në Kralevë, dy policë të komunikacionit e ndalin dhe ia plaçkitin 100 DM dhe pasaportën, për çka nuk i lëshojnë kurrfarë dëshmie. Gjatë rrugës për në Mitrovicë, në hyrje të Leshakut, prapë një patrullë tjetër e policisë serbe, në orën 2300, e ndalon veturën e Hasanit dhe, pasi e legjitimojnë, e zbresin nga vetura dhe e kontrollojnë, ku e pyesin se nga vjen dhe kur ai u tregon se vjen nga Gjermania, ata ia kërkojnë pasaportën. Kur Hasani u tregon se, më herët, një tjetër patrullë e policisë ia ka marrë pasaportën, ata fillojnë t’i bien me grushte, duke i thënë se ti po propagandon se policia serbe plaçkitë. Hasanin, bashkë me fëmijët dhe bashkëshorten, e mbajnë në Leshak deri të nesërmen, në orën 1000, ku i lirojnë, duke i porositur që të mos propagandojnë se policia serbe i ka plaçkitur.

Më 23.VII.1996, në orën 730, 4 policë dhe tre inspektorë serbë të SPB - së së Mitrovicës shkojnë në fshatin Pirq të Mitrovicës, në shtëpinë e Osman (Rexhep) Kolludrës (65), me ç’rast bastisin shtëpinë e tij, ku kërkojnë një automatik. Në shtëpi, policët e inspektorët krijojnë rrëmujë të vërtetë dhe para se të dalin i urdhërojnë anëtarët e familjes së Osmanit që t’i rregullojnë gjësendet (t’i kthejnë nëpër vendet e veta), ashtu si kanë qenë. Në fund, i arrestojnë dy djemtë e Osmanit, Shemsiun (35) e Aliun (30) dhe vëllain e Osmanit, Abdullahun (70). Polici, Ratko Antonieviq dhe inspektori, Dragan Gjuriq, këtu ua grisin pasaportat Shemsiut dhe Aliut dhe thyejnë një kornizë, në të cilën ishte e varur në mur një shqiponjë dykrerëshe e vizatuar.

Më 24.VII.1996, në orën 820, dy policë serbë (Dejan Saviq dhe një tjetër i quajtur Rexho) shkojnë në lagjen “Ilirida”, në shtëpinë e Halit (Rushit) Baranit (45), kryetar i KMDLNJ – së - Qendra Rajonale në Mitrovicë dhe anëtar i kryesisë së LDK-së - dega në Mitrovicë, me ç’rast e arrestojnë dhe e mbajnë deri në orën 1300, kohë pas kohe duke e keqtrajtuar fizikisht. Policët nga Haliti kërkojnë një pushkë dhe një revole, të cilat, sipas policëve, i ka trashëgim nga babai. Në orën 1300, policët e lirojnë, me kusht që të paraqitet prapë të nesërmen, më 25.VII.1996, në orën 800 dhe me vete të sjellë së paku një revole. Haliti më nuk u paraqit në polici dhe gjatë tërë kohës, derisa filloi lufta, më 25.XI.1997, në Drenicë (Vojnik), veproi në gjysmë ilegalitet. Duhet përmendur se policët e kishin bastisur shtëpinë e tij më 21, 22 dhe 23.VII.1996, me pretekst të kërkimit të tij.

Më 25.VII.1996, në orën 930, shtatë (7) policë serbë dhe tre civilë serbë, punëtorë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, shkojnë në lagjen “Bair”, në banesën e Burhan (Mehmet) Vetmit (52), ku në banesë ishte nëna e tij Nevruzja (72) dhe motra, Vasfija (42). Policët, këto të dyja i nxjerrin me dhunë, kurse plaçkat nga banesa i nxjerrin punëtorët, të cilët ishin me policë dhe në këtë banesë u vendos menjëherë një familje serbe. Në këtë banesë, familja e Burhanit jetoi plot 19 vjet dhe e posedon dokumentin (dëshminë) se banesa është e tij.

Më 29.VII.1996, në orën 1000, tre policë serbë, të cilëve u printe Velko Mihajloviq, shkojnë në fshatin Bare, në shtëpinë e Hysen (Halil) Osmanit (56), nga i cili kërkojnë një revole. Pasi ai nuk kishte kurrfarë armësh, policët e urdhërojnë që të paraqitet në stacionin e policisë në Stantërg, të nesërmen, në orën 700 dhe me vete të sjellë një revole. Ai u paraqit dhe kur polici Kandiq e pyet për revolen, ai i përgjigjet se s’ka. Menjëherë i hidhen në shpinë dy policë dhe i bien me shufra gome, me ç’rast i shkaktojnë lëndime në duar dhe fytyrë. Pas një ore e lirojnë, me kusht që të paraqitet prapë në polici, më 2.VIII.1996, në orën 700, dhe me vete të sjellë revolen.

Se pushtuesin serb e pengonte edhe riatdhesimi i shqiptarëve që ishin në botën e jashtme, tregojnë edhe faktet e poshtëshënuara.

Më 4.VIII.1996, në Aeroportin e Prishtinës, policia serbe nuk e lejoi të dalë nga aeroporti File (Jakup) Hasangxhekajn-Imeri (26) nga Shipoli i Mitrovicës, e cila ishte me tre fëmijët e saj: Arlindën (7), Majlindën (2) dhe Arianin (1). Filja me fëmijët po kthehej nga Gjermania në Kosovë, përkatësisht Mitrovicë. Të gjithë kishin viza dhe gjithë dokumentacionin e kishin në rregull. Files me fëmijët iu desh të qëndrojë në aeroport plot një ditë dhe të nesërmen ta presë (paguajë) biletën dhe, përmes Zvicrës, të kthehet prapë në Gjermani.

Njëjtë i ndodh edhe Luljetë (Rrahim) Hysenit (21), e cila vinte nga Gjermania në Mitrovicë. Në Aeroportin e Prishtinës kishin dalë për ta pritur dy prindërit e saj, por policia serbe nuk e lejoi as të dalë jashtë aeroportit. Pas shumë lutjeve, që policëve ua bëri babai i saj, Rrahimi, policët e lejojnë vetëm pesë minuta që të përshëndetet me prindër dhe atë në gjuhën serbe, ku, pas pesë minutave, policët e kthejnë prapë brenda rrethojës se aeroportit, ku ajo qëndron mbi dhjetë orë, prej nga kthehet prapë për në Gjermani.

Më 7.VIII.1996, në orën 1730, në afërsi të burgut në Smrekonicë të Vushtrrisë, pesë policë serbë, të armatosur gjerë në dhëmbë, e ndalin në rrugë Mehdi (Fejzë) Ibrahimin(36) nga fshati Kçiq i Madh i Mitrovicës, i cili ishte me traktor të ngarkuar me kashtë, që e kishte blerë për bagëti në Pasomë dhe po kthehej në shtëpi. Policët, pasi e legjitimojnë, e rrahin me grushte dhe shqelma. Pas 30 minutave e detyrojnë të shtrihet buzë rruge në stomak dhe t’i ngrit këmbët lart. Policët e rrahin shputave të këmbëve me shufra gome, derisa lodhen, ndërsa Mehdiu mbetet i shtrirë, të cilit iu desh kohë e gjatë mjekimi derisa u shërua.

Më 8.VIII.1996, në orën 815 të mëngjesit, dy policë serbë e arrestojnë Jahir (Alush) Demakun (45), banor i lagjes “Kodra e Minatorëve” të Mitrovicës. Jahiri ishte duke e pritur djalin e vet Albertin në stacionin lokal të autobusëve, në vendin e quajtur Polet. Policët e dërgojnë Jahirin në Vushtrri dhe e dorëzojnë në stacionin e policisë, ku e marrin tre policë serbë dhe pa farë paralajmërimi e rrahin me shufra gome duarve dhe kokës. Pas gjysmë ore, prej tij kërkojnë të dorëzojë një revole. Pasi ai nuk kishte armë, e lirojnë me kusht që të paraqitet prapë të nesërmen në policin e Vushtrrisë. Policët që e rrahin ia marrin edhe letërnjoftimin, për të cilën i thonë se nesër kur të lajmërohesh e ta sjellësh revolen do ta kthejmë. Jahiri paraqitet sipas urdhëresës. Policët prapë e rrahin dhe pas një ore ia japin letërnjoftimin dhe e lirojnë. Sipas deklaratës së Jahirit, këtë “shpërblim” e kishte nga serbi Dragan Dashiq, me të cilin kishin punuar në Shtëpinë e Mallrave në Mitrovicë dhe njëherë e kishin pasur një mosmarrëveshje. Ky person, aktualisht punonte në Vushtrri.

Më 15.VIII.1996, reth orës 1015, në afërsi të tregut të pemëve në Mitrovicë, policët Vllasta dhe Bozha i rrahin disa të rinj shqiptarë, pa kurrfarë arsyeje. Me këtë rast, më së keqi e pësoi Lulzim (Bektesh) Cimili (26) nga fshati Melenicë i Shalës së Bajgorës. Lulëzimi ishte duke shitur speca, të cilët i kishte blerë më herët, në mënyrë që ta sigurojë kafshatën e gojës për 9 anëtarët e familjes së vet.

Policia serbe e dëbon me dhunë nga banesa e vet familjen e Selman (Hashim) Ibishit (60). Banesa është në lagjen “Lumbardhi” të Mitrovicës. Pas largimit të familjes në fjalë, në këtë banesë vendoset familja serbe e njëfarë Zvezdani. Pas disa muajve Zvezdani e liron banesën, ku në të pastaj vendoset familja serbe e njëfarë Radojeviqit nga Albaniku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat